1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi mediatik WAZ braktis Serbinë

29 Qershor 2010

Grupi mediatik gjerman WAZ pas rreth dhjetë vitesh aktivitet në Serbi, do të largohet nga vendi, pas problemeve që hasi në blerjen e një gazete bulevardeske. Ky vendim ka hasur në kritika të forta jo vetëm nga politika.

https://p.dw.com/p/O60Z
Qendra administrative e koncernit WAZ në Essen
Qendra administrative e koncernit WAZ në EssenFotografi: picture-alliance/dpa

Në mes të muajit qershor grupi mediatik nga Esseni WAZ, njoftoi se korrupsioni dhe nacionalizmi në Serbi e kishin penguar në blerjen e gazetës "Vecernje Novosti". Për këtë arsye kishte vendosur të largohej nga Serbia. Grupit WAZ i përkasin në Serbi gjysma e gazetës beogradase me emër "Politika" dhe shumica e aksioneve në gazetën "Dnevnik" në Novi Sad.

Paralajmërime të Serbisë për ndalim rikthimi

Ministri serb i Ekonomisë, Mladjan Dinkic reagoi ashpër ndaj vendimit të koncernit mediatik WAZ, për t'u larguar nga Serbia. Nëse është e vërtetë se pas këtij njoftimi WAZ do të përpiqet të marrë nga dera e pasme kontrollin e gazetës beogradase "Vecernje Novosti", do t'i ndalohet kthimi në tregun serb, tha Dinkici për këtë gazetë. Ministri njoftoi se do të kujdesej për shpalljen e ndalimit në instancën përgjegjëse. Shkak për paralajmërimin ishte se gjatë tërheqjes nga Serbia, grupi mediatik WAZ kishte blerë grupin "Ardos Holding" nga Salzburgu, i cili ka 25% të aksioneve të gazetës "Vercernje Novosti". Përmes blerjes së dy grupeve të tjera holding që synon grupi WAZ, të cilët kanë gjithashtu aksione të Ardos, koncerni nga Esseni do të bëhej aksioner shumice me 62% të aksioneve në gazetën serbe.

Sipas njoftimeve në mediet serbe, sipërmarrës serbë me reputacion të dyshimtë, kishin kërkuar nga gjermanët provizione dhe pjesë në kapital, për të lejuar blerjen nga WAZ të gazetës "Vecernje Novosti". Kjo ngriti pyetjen se përse koncerni mediatik gjerman i ishte drejtuar ndërmjetësve të tillë. Veç kësaj grupi WAZ kritikohet në Serbi për politikën e tij të biznesit. Sipas medieve serbe, në Bullgari grupi konsiderohet tashmë monopolist me pjesën e lartë të tregut që zotëron. Në rastin e Serbisë WAZ akuzohet se me blerjen e grupit "Ardos Holding" ka dashur të anashkalojë ligjin për kartelet. Specialistë serbë thonë megjithatë se blerja indirekte e aksioneve të "Vecernje Novosti" është e ligjshme. Nëse zyra për mbrojtjen e konkurencës në Serbi nuk kundërshton një muaj pas paraqitjes së kërkesës për blerjen e aksioneve, atëherë presupozohet arritja e një marrëveshjeje në heshtje.

Bodo Hombach, drejtor i grupit mediatik WAZ
Bodo Hombach, drejtor i grupit mediatik WAZFotografi: picture-alliance/dpa

Hombach: do të largohemi në mënyrë të rregullt

Drejtuesi i grupit WAZ shprehet se janë të vendosur të largohen nga Serbia, por nuk do të lejojnë që të grabiten. Grupi i tij ka investuar në Serbi 120 milionë euro, të cilat kërkon t'i marrë pjesërisht mbrapsht. Në intervistë me Deutsche Welle-n Hombachu u shpreh: "Ne do të largohemi në mënyrë të rregullt. Kjo do të thotë që do të sigurojmë pasurinë tonë, nuk jemi në arrati. Duam që gjithçka të kryhet sipas normave të shtetit ligjor, të kemi mundësi për të shitur, por nuk do të investojmë më në Serbi."

Hombach-u ankohet edhe për ndihmën sipas të tij të munguar nga politika në Serbi. "Pas asaj që kemi përjetuar kemi vendosur që nuk ka kuptim të punosh në media në një vend ku nuk je i mirëpritur. Nëse ministri i Ekonomisë na fyen me fjalë aventureske, se duhet të largohemi nga vendi për të mos u kthyer më, atëherë nuk ka më hapësirë për akvititet botues. Na vjen keq të konstatojmë që politika në Serbi, e cila thotë se dëshiron të shkojë drejt Evropës jo vetëm që nuk na mbron, por një pjesë e sulmit kundër nesh vjen pikërisht prej saj."

Autor:Filipovic/Dikic/Schmidt/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi