1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hahn pret reforma nga qeveria e Shkupit

26 Qershor 2017

Komisioneri i zgjerimit të BE-së Johannes Hahn, qëndron në Maqedoni të hënën (26.06, i ftuar në seancën e qeverisë për të diskutuar reformat urgjente që duhet të ndërmarrë qeveria e re në Shkup.

https://p.dw.com/p/2fNeV
EU - Erweiterungskommissar Johannes Hahn
Fotografi: DW/A. Feilcke

Fokusimi i qeverisë tek reformat e nevojshme për nxjerrjen nga kriza të Maqedonisë - kjo do të jetë tema kryesore e vizitës së komisionerit të BE për zgjerimin, Johannes Hahn në Shkup të hënën (26.06). Hahn do të marrë pjesë në seancën e qeverisë dedikuar kësaj teme, dhe do të ketë takime bilaterale me kryeministrin Zoran Zaev dhe disa ministra, si edhe me përfaqësues të opozitës.

Të premten kryeministri i ri Zaev ka pasur takime me segmentë të shoqërisë civile dhe mediat lidhur me prioritet e reformave. Zaev njoftoi se do t'i paraqesë planin e veprimit komisionerit Hahn, të  përgatitur nga qeveria. Kryeministri Zaev njoftoi gjithashtu se pret që deri në fund të vitit 2017 Maqedonia të rimarrë rekomandimin për fillimin e negociatave me BE-në, në mënyrë që përfundimisht të hapë negociatat për anëtarësim vitin e ardhshëm. Për zbatimin e reformave do të formohen grupe pune të veçanta si p.sh. Grupi për reformën në drejtësi, ai për reformën e shërbimeve sekrete, administratën publike, sistemin zgjedhor, organet e pavarura, si dhe reformat në media.

Këto reforma janë inkurajuar edhe nga BE. Në deklaratën e Hahn para ardhjes në Shkup, nënvizohet se "qeveria bashkë me opozitën duhet të përqëndrohet në zbatimin e prioriteteve urgjente të reformave dhe të marrëveshjes së Përzhinos, që vendi të kthehet përsëri në rrugën e integrimit në BE”.

Sipas analizave nga Instituti i Politikave Evropiane në Shkup, në dy vitet e fundit nuk është realizuar pothuajse asgjë nga lista e prioriteteve për reforma. Sipas listës së publikuar nga Instituti, aty ka pasur vetëm të dhëna dhe shifra mbi nëpunësit shtetërorë.

Në Maqedoni ka qëndruar edhe ish-drejtori për zgjerimin e Bashkimit Europian, Reinhard Priebe, i cili ka pasur takime me përfaqësues të lartë qeveritarë lidhur me reformat urgjente që duhet të ndërmarrë qeveria e re Maqedonisë.