1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hakmarrje apo drejtësi?

Ayhan Simsek / Angelina Verbica5 Shtator 2013

Oficerë të ushtrisë turke akuzohen për pjesëmarrje në një puç të vitit 1997. Kritikët shohin këtu përpjekjen e qeverisë islamiste, për të zgjeruar pushtetin e saj dhe për t'u hakmarrë ndaj laicizmit në ushtri.

https://p.dw.com/p/19cVT
Fotografi: Reuters

Në fillim të javës (02.09.2013) nisi procesi gjyqësor kundër ish shefit të ushtrisë dhe oficerëve të tjerë të lartë në Turqi. Ata pranuan gjoja rolin për rrëzimin e koalicionit qeverisës të drejtuar nga islamistët në vitin 1997. Ky proces cilësohet nga qeveria islamiste-konservatore AKP e kryeministrit Rexhep Taip Erdogan si "transformim drejt demokracisë" në Turqi.

"Turqia ndodhet në një proces normalizimi", tha Ahmet Aydin, zëvendëskryetar i partisë në pushtet (AKP). "Turqia është shndërruar në një sistem të ri. Në sistem të shtetit ligjor dhe demokracisë", deklaroi ai.

Por ky rast i diskutueshëm politikisht është kritikuar shumë nga opozita laike e Turqisë. Ajo nuk ka besim te politika e Erdoganit dhe pohon se AKP synon të islamizojë shtetin. "Ky proces është absurd", shkruante Kamer Genc, një deputet i partisë popullore republikane, (CHP), partisë më të rëndësishme opozitare, në profilin e tij në twitter, ndërsa ndiqte rastin në sallën e gjyqit. "Qeveria AKP i konsideron krime masat kundër reaksionarëve islamistë", thekson ai. "Me 28 shkurt 1997 Këshilli Kombëtar turk i Sigurisë ndërmori masa legjitime kundër kërcënimit të karakterit laik të shtetit tonë", argumenton më tej Genc. "Asnjë gjykatë turke nuk mund të zhvillojë një proces, duke u bazuar në pohime të tilla", thotë ai.

Në foto, gjeneral Ismail Hakki Karadayi - i akuzuari kryesor
Në foto, gjeneral Ismail Hakki Karadayi - i akuzuari kryesorFotografi: Adem Altan/AFP/Getty Images

Ky rast ka të bëjë me ngjarjet, që në Turqi njihen si "puçi postmodern", apo si "procesi i 28 shkurtit". Ndryshe nga puçet ushtarake të viteve 1960, 1971, apo 1980 gjeneralët as nuk e morën pushtetin dhe as nuk prishën rendin kushtetues. Në prapaskenë ato inskenuan një fushatë presioni politik, për të imponuar dorëheqjen e koalicionit qeveritar të politikanit islamist Necmettin Erbakan.

"Goditje për demokracinë"

Deniz Zeyrek, politolog dhe shef i zyrës në Ankara të gazetës liberale ditore "Radikal", thotë se ndërhyrja e madhe e ushtrisë turke në vitin 1997 synonte të godiste islamizmin në politikë, por ishte në fakt një goditje për demokracinë turke. "Unë i kam përjetuar si gazetar ditët e intervenimit. Jo vetëm islamistët, por edhe liberalët dhe demokratët kanë qenë viktima politike të këtij procesi", thotë ai në bisedë me Deutsche Welle. Nga "puçi postmodern", siç u quajt ai nga njëri prej gjeneralëve, u forcua roli i ushtarakëve në politikë, liritë në jetën politike u kufizuan dhe u vendosën shumë kufizime në disa media.

Pamje nga protestat kundër procesit gjyqësor (Ankara, 02.09.2013)
Pamje nga protestat kundër procesit gjyqësor (Ankara, 02.09.2013)Fotografi: Reuters

Sipas Zeyrek një proces i ndershëm për puçin postmodern mund të kontribuojë për demokratizimin dhe normalizimin e politikës në Turqi. "Unë kam disa dyshime, por jam i sigurtë, se procesi mund të jetë një hap më tej në drejtim të demokratizimit të Turqisë", thotë ai. Por kjo mund të arrihet vetëm, nëse procesi zhvillohet i lirë nga mentaliteti i hakmarrjes, thotë Zeyrek. "Për fat të keq ka patur prirje hakmarrjeje në raste të ngjashme. Kjo hedh një hije shqetësuese mbi rastin aktual", thekson ai.

Procese gjyqësore spektakulare

Që nga viti 2008 në Turqi ka patur procese gjyqësore kundër punonjësve aktivë dhe në pension të ushtrisë, kundër politikanëve të opozitës, shkencëtarëve dhe gazetarëve. Më shumë se 250 oficerë në pension, ndër ta edhe ish shefi i ushtrisë, Ilker Basbug, u arrestuan muajin e kaluar gjoja për përpjekje për të kryer grusht shteti. Ata akuzoheshin se kishin krijuar organizatën ilegale Ergenekon. Një rast tjetër: në shtatorin e vitit të kaluar u dënuan me heqje lirie më shumë se 300 oficerë turq, sepse u akuzuan për një puç kundër qeverisë AKP. Të gjithë të pandehurit i kundershtojnë akuzat dhe e kanë çuar çështjen në gjykatën e lartë turke.

Masa të rrepta të sigurisë nga ana e ushtrisë turke më 02.09.2013 në Ankara
Masa të rrepta të sigurisë nga ana e ushtrisë turke më 02.09.2013 në AnkaraFotografi: Adem Altan/AFP/Getty images

Të dyja rastet u errësuan nga mangësi procedurale dhe zgjatje e paraburgimit. Kritikët thonë se këto procese gjyqësore janë zhvilluar për motive politike dhe se qëllimi i tyre ishte të dobësojnë pushtetin e ushtarakëve turq, dikur aq të fuqishëm. Sipas një sondazhi të fundit rreth 54 përqind e popullsisë turke beson se gjatë procesit Ergenekon nuk janë respektuar parimet e një procesi të ndershëm.