1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hap pozitiv po skepticizmi nuk mungon

19 Nëntor 2009

Vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së për të shqyrtuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për antarësim është tema e ditës për qytetarët dhe analistët e Tiranës.

https://p.dw.com/p/Kavf
Tirana
TiranaFotografi: DW

Vendimi i Këshillit të Ministrave të BE -së për të shqyrtuar kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për antarësim është përshëndetur nga qeveria dhe maxhoranca si një vendim politik i Brukselit, që e sjell më pranë realizimin e aspiratës së Shqipërisë për t'u bërë pjesë e BE-së.

Si një hap pozitiv, por me mjaft skepticizëm në lidhje me kohën e integrimit, e shohin vendimin e Brukselit, qytetarët e Tiranës. Perceptimi i tyre mosbesues niset nga shifrat e sapopublikuara të Transparency International per rritjen e korrupsionit apo nga situata e vështirë ekonomike dhe papunësia.

“Marrja e këtij statusi lidhet me plotësimin e disa kushteve, ndër të cilat edhe lufta kundër korrupsionit. Por tani marrim vesh që Shqipëria ka bërë prapa në klasifikimin e vendeve me korrupsion. Nuk është synim më vete marrja e statusit të vendit kandidat por kushtet duhen plotësuar realisht. Kemi shkuar prapa dhe jo para. Nuk ndjej ndonjë optimizëm,” thotë një qytetar.

Si mund të shkohet në Europë me këtë pension?

“Gjë e mirë është. Por shteti duhet t'i përgjigjet Europës. Kam punuar 40 vjet specialist i lartë dhe marr 100 euro pension në muaj. A dalin këto? Si mund të shkohet në Europë me këtë pension? Jam skeptik... Europa nuk të fut kështu me kë ty gjendje. Do të na lërë në korridor,” thotë një pensionist.

“Nuk shpresoj shumë. Më ka humbur besimi. Ndofta nuk kalon shumë kohë. Të kemi punë këu, pse të emigrojmë,” thotë një vajzë e re, e papunë.

Një grup ndërministerial në Tiranë, prej rreth 500 vetësh po përgatitet të fillojë punën për të plotësuar pyetësorin voluminoz me 2000 pyetje, që pritet të mbërrijë nga Brukseli në Tiranë, në mes të muajit të ardhshëm dhe të rikthehet atje pas tri muajsh, në fund të shkurtit 2010.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama