1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapet në Selanik Universiteti Ndërkombëtar

3 Qershor 2007

Studentë nga vendet e Evropës Juglindore por edhe vende të tjera të botës do të ulen në auditoret e përbashkëta të një universiteti të ri ndërkombëtar, atij të Selanikut

https://p.dw.com/p/ArUi
Selaniku
Selaniku

Më në fund Greqia po bën realitet një ambicje të saj të shpallur vite më parë dhe treva ballkanike përfton një institucion të lartë arësimor. Me një vonesë relative, pasi ishte programuar për vitin 2007, në janar të vitit 2008 do të hapë dyert e tij Universiteti Ndërkombëtar i Greqisë, “një institucion i lartë i ndërkombëtarizuar”, sipas ministres greke të Arësimit, Marieta Janaku Kuçiku, “i cili do të përdorë të gjitha mjetet e dijes edhe të informacionit”. “Me universitetin ndërkombëtar, Selaniku, Maqedonia, Greqia shndërrohen gradualisht në një qendër arësimore dhe kulturore, në një qendër studimesh edhe novacionesh për rajonin më të gjerë të Evropës Juglindore” deklaroi kryeministri grek Kostas Karamanlis, i cili vizitoi mjediset e universitetit dhe u takua me stafin drejtues të tij.

Po cilët do të jenë studentët që do të frekuentojnë mjediset e këtij universiteti? Studentë nga gjithë bota, akoma edhe nga Kina nga kanë ardhur sinjale interesimi, por kryesisht nga vendet fqinje ballkanike, të Detit të Zi, vendeve arabe dhe Mesdheut Lindor por edhe bashkëkombas nga Evropa edhe Amerika. Me kusht që 6 vitet e fundit të kenë banuar jashtë Greqisë.

Tre do të jenë fakultetet sipas profilit të universitetit të përcaktuar me një ligj të posaçëm që ka marrë edhe aprovimin e parlamentit: Fakulteti i Shkencave Humanitare, Fakulteti Ekonomik edhe Fakulteti i Shkencave edhe Teknologjisë. Studimet do të jenë të nivelit pasuniversitar –me cilat edhe do të fillojë nga funksionimi i tij, por edhe të nivelit universitar në vazhdim. Mësimi do të zhvillohet anglisht dhe jo greqish, kurse studimet do të shtrihen në katër vite arësimore dhe do të sigurojnë diploma të shkallës se doktoraturës.

Fondet do të sigurohen nga shteti, programe subvencionesh evropiane por edhe pagesat e studentëve, që fillimisht të paktën për të siguruar klientelë do të jenë në kuota relativisht të ulëta.

Për këtë por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me proçedurën e regjistrimit por dhe programin mësimor, që do të shpallet brenda muajit qershor, të interesuarit mund të marrin informacion te site i ministrisë greke të Arësimit por edhe pranë autoriteteve konsullore greke.

Suksesi i universitetit mbetet një sfidë e hapur. Për ambicjen flet dhe fakti i firmave të hedhura këto ditë për korpusin e godinave të reja që do të jenë gati në vitin 2011 dhe do të zenë një sipërfaqe prej 30 hektarësh.