1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapet në Tiranë një universitet teologjik islami

14 Maj 2011

Një universitet teologjik islam në Tiranë, synon shmangien e importimit të modeleve radikale. Kuadrot shqiptare të klerit mysliman janë përgatitur deri tani në Universitetet teologjike islamike të Lindjes së Mesme.

https://p.dw.com/p/11Fz7
Xhamia Ethem Bey në Tiranë
Xhamia Ethem Bey në TiranëFotografi: DW/Pani

Universiteti teologjik islam është i pari i këtij lloji në Shqipëri. Sado e çuditshme të duket, godina e tij është ajo e ish Akademisë së Policisë, në periferi të Tiranës, e rikonstruktuar me fondet e BE.

Altin Shima, drejtor për Arsimin në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, thotë për DW se qeveria e Tiranës iu dhuroi këtij komuniteti godinën moderne të Akademisësë Policisë, ngaqë nuk ka mundësi t' i kthejë komunitetit mysliman pronat e tij, të sekuestruara që nga koha e regjimit komunist të Hoxhës. Kështu, në shtator, në auditoret e ish Akademisë së Policisë, do të ulen studentët e parë të teologjisë islame.

Çfarë studimesh të larta do t' u ofrojë atyre ky universitet?

“Universiteti Teologjik Islam i Tiranës ka Fakultetin e Shkencave Humane, me tri departamente: atë të shkencave islame, të komunikimit dhe të jurisprudencës. Fakulteti i dytë është ai i Gjuhëve të Huaja, me departamentin e Gjuhës angleze, asaj Turke dhe Arabe. Universiteti ka edhe Qëndrën e Kërkimeve për dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor. Ai pranon studente nga Europa dhe vendet e rajonit,” thotë për DW Altin Shima.

Altin Shima
Altin ShimaFotografi: DW/A.Ruci

Përkatësia në fenë islame nuk përbën kusht për pranimin e studentëve. Dyert e Universitetit do të jenë të hapura edhe për ata që kërkojnë të studiojnë në pjesën laike të tij: jurispudencë, shkenca të komunikimit, gjuhë të huaja. Në një mjedis të tillë miks studentor Universiteti, synon të realizojë dialogun kulturor.

Por në krye të këtij misioni është Qëndra e Kërkimeve për Dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, pjesë e rëndësishme e Universitetit. Drejtori Shima thotë se kjo qëndër do të gjejë rrugë të reja për të promovuar dialogun kulturor dhe ndërfetar. Ky duket se nuk do të jetë një mision i vështirë. Shqipëria ka një traditë të pasur dhe të konsoliduar të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. Komuniteti mysliman, ai ortodoks dhe katolik në Shqipëri kanë bashkëjetuar gjithmonë në paqe, në rrjedhat e historisë.

Pirro Misha, intelektual i mirënjohur në Shqipëri, Drejtor i Institutit për Dialog dhe Komunikim, e konsideron harmoninë fetare mes tre feve kryesore, një vlerë të çmuar, që duhet ruajtur.“Shoqëria shqiptare është një shoqëri që mund të konsiderohet model për sa i përket harmonisë dhe dialogut ndërfetar. Feja ne Shqiperi nuk është përdorur asnjëherë si një mjet ndarjeje, konfrontimi. Dialogu dhe komunikimi kulturor mes komuniteteve me fe të ndryshme është diçka krejt e natyrshme.” thotë thotë për DW, Z. Misha .

Edukimi me një islam që e sheh veten si pjesë të Europës

Por, kjo traditë e natyrshme dhe e konsoliduar e harmonisë fetare u rrezikua të cënohet nga të rinj shqiptarë, që kryen studime të larta teologjike islamike në Universitetet e vendeve arabe. Studimi në këto universitete ishte e vetmja mundësi për të mbushur vaakumin e kuadrove të klerit mysliman, që Shqipëria post- komuniste trashëgoi për shkak të ndalimit të besimit fetar nga regjimi komunist. Por mbushja e vaakumit u shoqërua edhe me probleme që kishin në themel të tyre financimin e studimeve të larta në teologjinë islame nga vende të Gjirit Persik, si Arabia Saudite, Pakistani apo Egjypti.

Piro Misha
Piro MishaFotografi: DW/A.Ruci

Kur të rinjtë e diplomuar nga universitetet teologjike islamike të këtyre vendeve, u kthyen në Shqipëri, ata sollën një lloj tjetër islami, të ndryshëm nga islami tradicional tolerant, që ka egzistuar në Ballkan, për shkak të bashkëjetesës me Perandorinë Romane."Shikimi i ndryshëm teologjik i islamit nga kuadrot që studiuan në universitetet e vendeve arabe u mbështetur nga këto vende me burime të konsiderueshme financiare dhe gjeneroi konflikte me shikimin tradicional, të konsoliduar në Shqipëri dhe në Ballkan, që është për një islam, i cili e sheh veten si pjesë të Europës dhe kundër një islami që i kundërvihet vlerave të Europës, pra një islami në përputhje me aspiratat e Shqipërisë dhe të rajonit për të qënë pjesë e Europës, një islami që është për dialog dhe shkëmbimi të vlerave shpirtërore me Europën,” thotë për DW, Pirro Misha.

Në këtë këndvështrim, Piro Misha, e vlerëson nismën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të hapur Universitetin Teologjik Islamik dhe licensimi i tij nga qeveria e Tiranës një hap pozitiv për të shmangur ndikimin ne Shqiperi nga ajo pjesë e botës, që dallohet për konflikte fetare dhe ku feja përdoret si instrument për konflikt.

Kapaciteti i Universitetit Teologjik Islamik të Tiranës është 2.500 studentë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama