1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

020210 Concorde Prozess

2 Shkurt 2010

Rreth 10 vjet pas rrëzimit të avionit Concorde sot (2.2.) fillon në Paris procesi për gjetjen e shkaqeve të kësaj fatkeqësie. se u shkaktua zjarri, nga një copë metali nga një avion tjetër, apo prej një gabimi në remont?

https://p.dw.com/p/LpUP
Fluturim i Concordës nga Londra, një vit pas katastrofës së Parisit
Fluturim i Concordës nga Londra, një vit pas katastrofës së ParisitFotografi: AP

Detaje teknike në fokus të procesit gjyqësor

25 korrik 2000. Një shoqëri gjermane lundrimi e kishte marrë me qira avionin supersonik për të çuar në Nju-Jork 100 pasagjerë që do të fillonin aty udhëtimin me një kryqëzor në Karaibe. Por pa kaluar as dy minuta nga starti, ky udhëtim përfundoi në një katastrofë:

"Concord-a ishte duke lëvizur në pistë dhe papritur shpërthyen flakë. Pastaj për një kohë nuk pashë dot gjë, sepse avioni kaloi përpara një ndërtese që më pengonte shikimin dhe pastaj u ngjit në ajër – u rrotullua për një çast dhe më pas ra si një yll nga qielli", tregon një dëshmitar.

Avioni Concorde, që kishte në depozitë 100 ton kerozinë ra mbi një hotel. 113 vetë gjetën vdekjen.

Tani 10 vjet më vonë gjykata e Pontoise-s pranë Parisit po merr në shqyrtim se kush ka qenë fajtor për këtë katastrofë. Gjatë katër mujave të ardhshëm nuk do të bëhet fjalë për viktimat, sepse shumica e të afërmve të tyre kanë marrë prej kohësh dëmshpërblime. Air France dhe një sërë firmash të tjera u kanë paguar atyre reth 115 milionë euro.

Gjoba për Continental-in po u gjet fajtore

Në proces pra do të bëhet fjalë në radhë të parë për detaje teknike, që çuan tek katastrofa. Objekti më i rëndësishëm për vërtetimin e akuzës është një lamelë titani që kishte rënë në pistë pas ngritjes për fluturim të një avioni amerikan të firmës Continental. Pra kjo copë metali që kishte rënë nga avioni, mund të ketë qenë shkaktarja e zjarrit. Në bankën e të akuzuarve gjenden përfaqësuesit e firmës Continental si dhe dy ish-punonjës të saj. Avokati i tyre Olivier Metzner është i sigurt se do ta fitojë gjyqin:

"Continental Airlines nuk mban kurrfarë përgjegjësie për këtë aksident. Dihet se është e lehtë t'ua hedhësh përgjegjësinë shoqërive ajrore të huaja – për të ruajtur imazhin e mirë të Concordes, xhevahirin francez."

Në rast se shpallet fajtore, shoqëria ajrore Continental mund të dënohet me një gjobë të madhe, kurse dy ish-punonjësit e saj me deri në pesë vjet heqje lirie. Ndërsa pala mbrojtëse do të sjellë 28 dëshmitarë që lamela që kishte rënë prej avionit të Continental Airlines nuk kishte të bënte me zjarrin, edhe prokuroria e ka shtuar rrethin e të akuzuarve. Prokurori i çështjes ka akuzuar edhe dy inxhinierë, konstruktorë të avionit Concorde, të cilët nuk kishin reaguar megjithë njoftimet e mëparshme për avari me këtë avion. Po ashtu i akuzuar është edhe një inxhinier i Autoritetit për Sigurinë Ajrore, i cili i kishte injoruar paralajmërimet e shumta për plasjen e rrotave apo pikat e dobëta në krahët e avionit supersonik Concorde, që Franca e konsideronte si prestigj.

Autor: Johanes Duhrov/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi