1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapje e "kujdesshme" e tregut gjerman të punës

Anila Shuka16 Korrik 2008

Qeveria gjermane miratoi një program për hapjen e tregut të punës për të kualifikuarit me shkollë të lartë.

https://p.dw.com/p/EdZn
Agjencia e punës në Gelsenkirchen
Agjencia e punës në GelsenkirchenFotografi: AP

"Me këto propozime po hapim në mënyrë të kujdesshme tregun e punës në ato sektorë ku nevojiten kandidatët e kualifikuar", tha ministri i brendshëm kristiandemokrat, Volfgang Shojble (Wolfgang Schäuble) gjatë prezantimit të programit para gazetarëve në Berlin. Së bashku me ministrin e punës, Olaf Sholc (Olaf Scholz) ai më parë e kishte kaluar për miratim në kabinetin qeveritar program-veprimin e ri, i cili synon të mbushë boshllëqet e tregut të punës në planin afatshkurtër dhe afatmesëm.

Sholci përmendi tri rrugë që do të përdoren tani për të tërhequr më shumë specialistë nga bota. "Së pari, ndaj cilitdo që ka një kualifikim të lartë dhe që jeton në vendet e Bashkimit Evropian. Ndaj çdo specialisti nga e gjithë bota, i cili kandidon për një vend pune, për të cilin nuk ekzistojnë specialistë gjermanë. Së treti, për këdo që futet në punë me të ardhura vjetore mbi 63.000 Euro", sqaroi ministri socialdemokrat.

Ndryshe nga legjislacioni aktual, tregu i punës hapet pa kufi për specialistët nga vendet anëtare të BE-së. Gjermania dhe Austria janë të vetmet vende, që kanë vendosur klauzola, me të cilat përjashtojnë punësimin e shtetasve të dhjetë anëtarëve më të rinj të BE-së, duke filluar që nga Polonia e deri tek Bullgaria. Ndërsa tregu hapet për të kualifikuarit me shkollë të lartë, për ata me kualifikim të mesëm do të mbetet i mbyllur: "Në rast se do të kemi mangësi në fuqi punëtore si zdrukthëtarë, bojaxhinj e të ngjashme, atëherë ne do t'u hapim menjëherë vende kualifikimi për ta", premtoi Sholc.

Për vite me radhë ekonomia gjermane kërkonte nga qeveria që të lehtësonte kushtet e migracionit ekonomik për të kualifikuarit. Në vitin 2005 ajo pat reaguar ndaj kësaj kërkese me një ligj, ku lejonte pranimin e specialistëve nga vendet jashtë BE-së, me kusht që ata të kishin në Gjermani një rrogë prej minimumi 86 mijë Euro në vit. Si pasojë e këtij rregulli në vitin 2006 dhe 2007 në Gjermani erdhën më pak se 1000 specialistë, dhe kërkesat e tregut të punës nuk u plotësuan.

Specialistët megjithatë janë për hapjen e tregut ndaj të gjithë personave të kualifikuar dhe implementimin e një ligji migracioni me sistem pikësh, siç është për shembull në Kanada. Por qeveria gjermane preferon migracionin me destinacion fushat, ku nevojiten specialistë. Prandaj edhe qeveria ka ndër mend të krahasojë çdo muaj kërkesën me ofertën në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke shmangur në këtë mënyrë që specialistët e huaj të vënë në rrezik vendet e punës për kolegët e tyre gjermanë.