1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hashim Thaçi rizgjidhet kryetar i PDK-së edhe për dy vitet e ardhshme

Fadil GASHI, Prishtinë9 Tetor 2005

Në Prishtinë Kuvendi i Tretë i Partisë Demokratike të Kosovës ka rizgjedhur për kryetar të Partisë edhe për dy vjet të tjera Hashim Thaçin, kryetar i deritashëm. Delegatët e PDK-së kanë votuar pa asnjë votë kundër liderin e tyre Thaçi. Zgjedhja është bërë me vota të hapura dhe pa kundërkandidatë. Kryetari i rizgjedhur i partisë, Thaçi ka rikonfirmuar se do të shpërblejë besimin e dhënë nga baza. “Duke më dhënë besimin mua” tha Hashim Thaci, “jeni përcaktuar për vazhdimsinë e reformave, për respekt dhe unitet dhe për realizimin e vizionit për shtetin e sovran dhe të pavarur të Kosovës.”

https://p.dw.com/p/Aqt8
Hashim Thaçi dhe Bajram Rexhepi gjatë një aktiviteti elektoral të mëhershëm
Hashim Thaçi dhe Bajram Rexhepi gjatë një aktiviteti elektoral të mëhershëmFotografi: AP

Deputetët e Kuvendit të Tretë të PDK-së, kanë rizgjedhur për kryetar liderin e deritashëm Hashim Thaçi dhe Këshillin Drejtues të Partisë Demokratike prej 81 vetash, i cili më pas zgjedh kryesinë. Me këtë vendim, Kuvendi u ka dhënë fund punimeve dyditore të zhvilluara në Prishtinë. Zgjedhja e Hashim Thaçit në mënyrë unanime nga delegatët e kësaj partie pa asnjë kundërkandidatë, sipas vëzhguesve ka dëshmuar besimin e fortë dhe të plotë që lidershipi Thaçi gëzon në mesin e anëtarësisë së gjerë në PDK.

Kryetari i Partisë Demokratike foli për një profil dhe identitet të formaur të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila, tha ai, “lufton vazhdimisht për vlera të mirëfillta.” Pas votave që ka marrë Hashim Thaçi është zotuar se me punë dhe angazhimin e tij do ta arsyetojë dhe shpërblejë besimin e dhënë nga baza, ndëkohë që ka shtuar se me zgjedhjen e tij kryetar, delegatë e PDK-së kanë zgjedhur vazhdimin e reformave, respektin, unitetin dhe përcaktimin për relizimin e pavarësisë së Kosovës

Kongresi i PDK-së është mbajtur në një kohën, siç është cilësuar edhe nga vetë pjesëmarrësit në Kuved - vendimtare për Kosovën, në kohën kur Kofi Anan ka dhënë dritën e gjelbër për hepjen e bisedimeve për statusin e Kosovës. PDK ka propozuar një rezolutë për pavarësinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, e cila pritet të miratohet në seancën e radhës. Ndërkaq, në Kuvendin e saj të fundit zgjedhor ka konfirmuar njëzëri se vullneti i popullit të Kosovës për pavarësi është i panegociueshëm.