1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grundgesetz Deutschland

23 Maj 2009

RFGJ e bashkë me të edhe Kushtetuta e RFGJ-së mbushin 60 vjet. Rrethanat e themelimit të shtetit ishin nën ndikimin e përfundimit të Luftës së II Botërore. Ligji themeltar ofroi kuadrin për fillimin e ri.

https://p.dw.com/p/HulA
Dokument origjinal i vitit 1949 i Kushtetutës së RFGJ, me nënshkrimet e kancelarit Konrad Adenauer dhe të personaliteteve të tjera
Dokument origjinal i vitit 1949 i Kushtetutës së RFGJ, me nënshkrimet e kancelarit Konrad Adenauer dhe të personaliteteve të tjeraFotografi: ullstein bild - Reuters

RFGJ - sot një demokraci e qëndrueshme, me një mirëqënie të pashembullt historikisht

RFGJ është sot një demokraci e qëndrueshme dhe funksionale; një anëtar i respektuar i bashkësisë ndërkombëtare; një fqinj, prej të cilit askush nuk ka pse të ketë frikë; një vend me një mirëqënie të pashembullt historikisht. Që ndërkohë është për shumë shtete të tjera shembull.

23 maji i vitit 1949 nuk ishte për gjermanët një ditë gëzimi

Të gjitha këto as që mund të parashikoheshin para 60 vjetësh. Në vitin 1949 themelimi i RFGJ-së u krye në një vend të pushtuar me këmbënguljen dhe lejen e amerikanëve, britanikëve dhe të francezëve. Një shtet gjermano-perëndimor i pjesshëm dhe për këtë i pranuar prej politikanëve gjermanë vetëm si diçka provizore. 23 maji i vitit 1949 nuk ishte për gjermanët një ditë gëzimi. Në atë kohë ata kishin halle krejt të tjera: mungesa e strehimit në qytetet e bombarduara, shtatë milionë gjermanë të dëbuar prej territoreve të dikurshme gjermane në Lindje që ishin në kërkim të një strehe të re, mungesa e vendeve të punës, më tepër se një milionë burra gjermanë që konsideroheshin të humbur apo që vazhdonon të ishin robër lufte. Po ashtu në vitin 1949, për shkak të krimeve të pashembullta të nacionalsocialistëve, Gjermania ishte edhe vendi më i përbuzur i bashkësisë ndërkombëtare.

RFGJ u drejtua prej kancelarësh të shkëlqyeshëm

Çfarë e bëri të mundur këtë transformim, këtë sukses të themelimit të shtetit përpara 60 vjetësh? Në Perëndim ishin dy gjëra: RFGJ u drejtua prej kancelarësh të shkëlqyeshëm. Në mënyrë të veçantë duhen përmendur Konrad Adenauer, Willy Brandt dhe Helmut Kohl. Adenaueri, skeptik kundrejt popullit të vet, i cili e inkuadroi vendin në bashkësinë perëndimore duke penguar kështu çdo rrugë tjetër "të veçantë" dhe fatale të gjermanëve, që e kishin çuar Evropën në dy luftra botërore. Brandt-i, i cili u zgjati dorën e pajtimit fqinjëve lindorë përtej perdes së hekurt të ideologjisë. Dhe Helmut Kohl, i cili e formësoi bashkimin e Gjermanisë në mënyrë të tillë, që askund nuk i krijua ndonjë frikë prej një Gjermania të forcuar rishtazi.

Sukses ekonomik i RFGJ

Shkaku i dytë është pa dyshim suksesi ekonomik i RFGJ-së. Me rritjen e mirëqënies nga vitet 50-të u rrit me shpejtësi edhe besimi i gjermanëve në vlerat e demokracisë liberale. Partitë radikale - pavarësisht të majta apo të djathta - që prej atëhere nuk kanë pasur sukses në asjë nga zgjedhjet parlamentare. Dhe edhe i vetmi votim i lirë në historinë e RDGJ-së për zgjedhjen e parlamentit në pranverë të vitit 1990 nuk ishte vetëm votë për lirinë, por në radhë të parë votë për t'i hapur rrugë mirëqënies sipas modelit gjermano-perendimor.

Këto bëjnë të qartë se edhe në vitin jubilar nuk po tregohet vetëkënaqësi. Një demokraci e qëndrueshme është një vlerë në vetvete - që i kapërcen edhe rastet e krizave ekonomike. Por në rast se çdo vit shtohet numri i gjermanëve, për të cilët siguria sociale dhe një ndjenjë e papërcaktuar nga afër "drejtësie" shoqërore janë më të rëndësishme se liria, kjo duhet të na alarmojë. Sepse "drejtësinë" e kishin shkruar vazhdimisht në flamujt e tyre edhe sistemet totalitare - por liri ka vetëm në demokraci. Për këtë liria nuk është një një gjendje e pandryshueshme, por diçka që në një demokraci të gjallë duhet siguruar rishtazi dhe për të cilën duhet luftuar çdo ditë. Nga qytetaret dhe qytetarët që janë bartës të kësaj demokracie dhe angazhohen në të. Për këtë, ligji themelor gjerman krijon edhe 60 vjet pas shpalljes një kornizë të mrekullueshme.

Autor: Felix Steiner
Redaktoi: Auron Dodi