1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania për herë të parë me ligj integrimi

Naomi Conrad15 Prill 2016

Gjermania do ketë për herë të parë në historinë e saj një ligj për integrimin. Sipas ligjit, atij që refuzon integrimin do mund t'i shkurtohen ndihmat sociale, kush braktis kualifikimin mund të humbasë lejen e qëndrimit.

https://p.dw.com/p/1IW75
Pressekonferenz Angela Merkel Horst Seehofer Siegmar Gabriel Thomas de Maiziere
Angela Merkel (në qendër), majtas kreu socialdeokrat, Sigmar Gabriel, në të djathtë të Merkelit, kreu kristiansocial, Horst SeehoferFotografi: Reuters/F. Bensch

Fotografët dhe kameramanët shtynin njëri-tjetrin të enjten (14.04) në sallën e shtypit të zyrës së kancelares. Një truprojë mbajti larg me vështirësi gazetarët, kur Angela Merkel, Horst Seehofer dhe Sigmar Gabriel dolë në podium të zënë vend, të shoqëruar nga ministrat e Brendshëm, të Drejtësisë e Punës. Kryetarët e partive dukeshin në humor të mirë. Arsyeja: "Koalicioni ka vënë në lëvizje projekte të rëndësishme", tha Merkel. Pas grindjes disamujore brenda koalicionit, krerët e partive të mërkurën në mbrëmje në një maratonë bisedimesh që zgjati shtatë orë, ranë në ujdi për një koncept të integrimit dhe refugjatëve si edhe një paketë masash për luftimin e terrorizmit.

Ligji i parë gjerman i integrimit

"Një hap historik", i cilësoi Sigmar Gabriel vendimet e para për ligjin e integrimit -me këtë Gjermania për herë të parë në historinë e saj do të ketë ligjin e integrimit, i cili pritet të miratohet më 24 maj. Kancelarja Merkel bën të qartë se qëllimi i këtij ligji do të jetë integrimi sa më i mirë i refugjatëve në tregun e punës. Këtu vlen parimi: "ofro dhe kërko". Kështu ata refugjatë që refuzojnë masat e integrimit do të llogarisin me shkurtime të ndihmave sociale, dhe kush e ndërpret kualifikimin profesional mund të humbasë edhe të drejtën e qëndrimit në Gjermani.

Pressekonferenz Angela Merkel mit Sigmar Gabriel und Horst Seehofer
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Kreu i partisë kristiansociale, Horst Seehofer e quajti këtë një "çështje të të trajtuarit drejt". Një masë tjetër është përcaktimi rezidencial për refugjatët, që nuk do zgjedhin menjëherë vendin se ku do të banojnë, një vendim ky i kritikuar nga organizatat humanitare në Gjermani.

Kritika e organizatave humanitare

Një anë pozitive janë edhe lehtësimet për punësimin e refugjatëve. Deri më tani një azilkërkues apo një azilant me të drejtë të kufizuar qëndrimi mund të punësohej, vetëm kur nuk kishte asnjë kandidat tjetër për këtë vend pune nga Gjermania apo nga BE. Rregullorja e re, i ashtuquajturi "verifikimi i prioritetit", do të shfuqizohet tani për tre vjet. Organizata ProAsyl i kritikoi planet e qeverisë gjermane duke i cilësuar ato si plani i "dezintegrimit". Një ligj integrimi, i cili parashikon sanksione, "ushqen përkundër të gjitha fakteve vetëm paragjykimin se refugjatët nuk duan të integrohen"- Vendimtare për integrimin është mësimi i gjuhës dhe sidomos statusi i qëndrimit. Por pikërisht ky "refuzohet vite me radhë", thekson ProAsyl.

Krahas projektligjit për integrimin, krerët e koalicionit në Gjermani ranë dakord për një paketë masash për luftën kundër terrorit, të cilën kancelarja Merkel e cilësoi si "një progres të madh". Këtu parashikohet një bashkëpunim më i ngushtë me shërbimet sekrete të vendeve të tjera për të shkëmbyer të dhëna në luftën kundër terrorit. Sipas kreut socialdemokrat e zëvendëskancelarit, Sigmar Gabriel, ajo që vlen është "kooperim e jo konspiracion". Po ashtu në të ardhmen si masë preventive kundër rrezikut do të angazhohen hetues të fshehtë.