1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

HRW: Shkelje të rënda të të drejtave në Turqi

25 Tetor 2016

Organizata joqeveritare HRW njofton për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe të burgosurve në Turqi. Gjendja është keqësura shumë pas ngjarjeve të korrikut.

https://p.dw.com/p/2Rg1H
Human Rights Watch Logo

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan vendosi gjendjen e jashtëzakonshme pas përpjekjes për grushtin e shtetit në vend më 15 korrik 2016. Rregullat e reja, që vlejnë qysh atëherë, kanë mundësuar edhe shkeljen e të drejtave të njeriut, thuhet në raportin e fundit të organizatës humanitare Human Rights Watch.

Bashkëpunëtorët e kësaj organizate joqeveritare thonë se rregullat e reja kanë pasoja ekstreme negative për të drejtat e të arrestuarve. Në raport përshkruhen 13 shembuj të keqtrajtimeve të të burgosurve - duke nisur nga moslejimi i fjetjes e deri tek rrahjet, abuzimet seksuale dhe kërcënimet me dhunime.

"Askujt nuk i intereson, nëse të vras"

Në një rast, familja e një të arrestuari kishte dëgjuar një polic të kërcënonte një të burgosur: "Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, askush nuk do të interesohet nëse të vras". "Unë do të them se të kam vrarë, gjatë përpjekjeve për ikje". Avokati i të burgosurit i ka thënë Human Rights Watch, se policët e kanë kërcënuar të burgosurin se do ta dhunojnë me shkopinj dhe se ai nuk do t'i mbijetojë 30 ditët e ardhshme në burg.

Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme qytetarët mund të mbahen në burg deri në 30 ditë pa ndonjë kërkesë të gjykatës. Më parë një gjë e tillë ka qenë e mundur deri në 4 ditë. Të arrestuarve mund t'u mohohet kontakti me avokatë deri në pesë ditë. Rregullat sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut paraqesin një mundësi keqpërdorimi ndaj të arrestuarve, familjeve të tyre dhe një mjet për përhapjen e frikës.

Askush nuk guxon të flasë

Madje edhe të pafajshmit në Turqi mund të mbahen në burg deri në një muaj, pa ndonjë dëshmi. Si pasojë e urrejtjes së pëhapur nga Erdogani ndaj disa grupeve, në veçanti disidentëve, qëndrimi në burg është shndërruar në një zhvillim shumë të rrezikshëm, pohon Human Rights Watch.

"Me nxjerrjen nga fuqia të ligjeve që pamundësojnë dhunën në burgje, qeveria turke i ka dhënë një karta bianka autoriteteve që t'i keqtrajtojnë të burgosurit", thotë Hugh Williamson, nga Human Rights Watch.

Keqtrajtimet kanë filluar menjëherë në korrik. Andrew Gardner, një nga autorët e raportit, thotë se shumë viktima kanë frikë të flasin për atë që u ka ndodhur në burg. Ndërkohë që edhe shumë pak avokatë kanë pasur guximin të njoftojnë për këto raste.