1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Humbje e rëndë për Blerin

Holger Senzel10 Nëntor 2005

Dhoma e Ulët e parlamentit britanik i shkaktoi Blerit humbjen e parë të rëndë që prej ardhjes në pushtet në vitin 1997. Parlamentarët refuzuan me shumicë propozimin për t'i mbajtur deri në 90 ditë në arrest, pa ngritur padi, të dyshuarit për terrorizëm.

https://p.dw.com/p/ArCn
Toni Bler
Toni BlerFotografi: AP

Kryeministri britanik zotëron pushtet të jashtëzakonshëm, sidomos kur mund të mbështetet në një shumicë të mjaftueshme parlamentare. Në vendimet e tij nuk mund të ndërhyjë madje as gjykata kushtetuese si për shembull në SHBA, e as kryeministrat e landeve nuk mund të prishin punë si në Gjermani. Rëndësi ka që të funksionojë disiplina e fraksionit, pra që të ashtuquajturit deputetë të radhëve të fundit t'u përmbahen direktivave të udhëheqjes. Dje Dhoma e Ulët e parlamentit britanik i shkaktoi Blerit humbjen e parë të rëndë që prej ardhjes në detyrë në vitin 1997. Parlamentarët, mes të cilëve shumë laburistë, e refuzuan me shumicë propozimin për t'i mbajtur deri në 90 ditë në arrest pa ngritur padi të dyshuarit për terrorizëm.

Toni Bler e dinte që në fillim se mund të humbte, se do të ishte vendimtare çdo votë. Për këtë arsye ministri i jashtëm, Jack Straw ishte kthyer para kohe nga Moska dhe ministri i financave Gordon Brown, kishte ndërprerë udhëtimin në Izrael. Por në fund kjo nuk mjaftoi. Me 322 kundër 291 votave ligji kundërterror u hodh poshtë në Dhomën e Ulët.

E tëra kjo kur shumica laburiste përbën 66 vende. Jo vetëm opozita, edhe shumë deputetë laburistë votuan kundër ligjit. Ky parashikonte mbajtjen deri në 90 ditë në arrest të të dyshuarve për terrorizëm pa ngritur padi, ky do të përbënte rekord evropian. Deri tani në Britaninë e Madhe afati është 14 ditë.

Projektligji ishte i diskutueshëm që në fillim dhe u parapri me debate të forta. Opozita konservatore e akuzoi qeverinë laburiste se po i kufizonte tepër të drejtat qytetare. Udhëheqësi në largim i konservatorëve Michael Howard, pati edhe një herë një prezantim të fortë në parlament:

"E pyes kryeministrin nëse mund të na përmendë një rast të vetëm kur policisë i janë dashur 90 ditë për të gjetur prova të mjaftueshme për ngritjen e padisë."

Toni Bler nuk ishte në gjendje ta bënte këtë, por tërhoqi këshillime nga ekspertët e policisë.

"Vetëm mund të këshilloj të lexohet raporti i Scotland Yard-it. Ai tregon qartë përse mund të jetë i nevojshëm afati prej 90 ditësh."

Kryeministri argumentoi me kërcënimin e një forme të re të terrorit. Sipas tij, policia duhet të ketë mundësinë e arrestimit në kohë të të dyshuarve, për të zbuluar dhe shmangur përbetimet.

"Sepse këta njerëz duan të vrasin në masë. Në korrik ata vranë 50, por nëse do të mundnin do të kishin vrarë edhe 500."

Sipas Blerit ligji prek shumë pak njerëz e veç kësaj, të dyshuarit i paraqiten çdo javë gjykatësit, i cili vendos mbi vazhdimin e arrestit. Ndaj kësaj opozita kundërshtoi me tezën: Kur provat janë bindëse, atëherë përse nuk ngrihet padi?

Në fund Dhoma e Ulët miratoi një ligj kundërterror me një afat 28 ditësh, në vend të 90 ditëve që Bler i konsideronte të domosdoshme. Për kryeministrin e dëmtuar, kjo ishte humbja e parë e një votimi në kohën e mbajtjes së detyrës. Një humbje tjetër e rëndë autoriteti pak pas dorëheqjes së ministrit të tij të brendshëm dhe njeriut të tij të besuar David Blunkett, e cila ringre më fortë pyetjen: Kur do të largohet Tony Bler?