1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungarezët votojnë parlamentin e ri

Tamás Szabó8 Prill 2006

Hungaria do të zgjedhë një parlament të ri. Zgjedhjet do të zhvillohen më 9 dhe më 23 prill. Sipas sondazheve më të fundit, si qeveritarët socialstë (MSZP) ashtu edhe Aleanca opozitare e Qytetarëve (Fidesz-MPSZ) kanë shanse të mira për të fituar

https://p.dw.com/p/AqqT
Parlamenti hungarez, Budapest
Parlamenti hungarez, BudapestFotografi: Illuscope

Fushata zgjedhore ishte më e ashpër sesa kishin menduar shumë ekspertë. Si socialistët në fuqi, të cilët kryesohen nga Ferenc Xhurxhanj, ashtu edhe partia opozitare Aleanca e Qytetarëve, e Viktor Orban, janë të gatshëm të luftojnë për çdo votë. Të dy politikanët janë pothuajse në një moshë, të dy kanë qënë në të kaluarën kryetarë qeverie dhe të dy vlerësohen si politikanë dinamikë dhe të vendosur. Xhurxhanj mburret me krenari mbi rezultatet e deritanishme të qeverisë së tij:

"Ne jemi krenarë se vendi ynë ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur dhe se u kemi dhënë shpresën miliona njerëzve, se në Hungari mund të jetohet mirë."

Multimilionari 45 vjeçar trashëgoi në shtator të vitit 2004 postin e kryeministrit të vendit nga Peter Medjexhi. Xhurxhanj arriti t´i bindte socialistët se kanë një të ardhme në vend, ndonëse përpara dy vitesh Alenaca e Qytetarëve kishte shanse shumë më të mira.

"Këto zgjedhje do të vendosin diça shumë të rëndësishme. Ose do të hedhim një hap përpara, ose do të kthehemi mbrapsht. Unë propozoj që të hedhim një hap përpara drejt punës së përbashkët, drejt përgjegjësisë së përbashkët dhe drejt suksesit. Pra drejt rrugës së kompromiseve të qeta, të forta dhe të mençura."

Socialisti Xhurxhanj kërkon një shtet të fuqishëm, i cili punon në mënyrë efikase dhe është në gjendje të konkurrojë në tregjet botërore. Ai premton shumë: Rritjen e nivelit të jetesës, perspektiva për të dobëtit dhe vende të reja pune, ndonëse kuota e papunësisë në vend është 7.3%.

Konkurrenti i tij Viktor Orban, i cili ka qënë kryeministër nga vitit 1998 deri në 2002, ka deklaruar se do të ndryshojë shumë gjëra në rast se fiton:

"Hungaria e ka pranuar tani se ne jetojmë më keq se të tjerët dhe se duhet të gëzohemi në rast se situata sot është vetëm pak më keq se ç´ishte dje."

43 vjeçari Orban është i bindur se e njeh recetën e duhur:

"Nuk kemi nevojë për premtime, por për zgjidhje. Ne duhet të kujtohemi të gjithë me mburrje se ja dolëm njëherë që ekonomia hungareze të stabilizohej plotësisht. Ne kemi shumë mundësi për t´i zgjidhur problemet dhe do t´i përdorim këto mundësi, në rast se do ta fitojmë besimin tuaj."

Ndërkohë që qytetarët hungarezë janë të kënaqur me këto premtime, ekonomia botërore është e preokupuar se si do të mund të realizohen ato. Në fakt situata ekonomike në Hungari është e rëndë: Në vitin 2005 Hungaria arriti një defiçit shtetëror prej 6.1%. Madje deri në shtator të këtij viti, Hungaria duhet të paraqesë përpara BE-së një plan të ri mbi buxhetin shtetëror të saj. Por meqënëse normalisht premtimet zgjedhore plotësohen, opinioni publik pret tani me padurim se si do ta zgjidhë këtë problem qeveria e re, pa rëndësi se kush do të fitojë.