1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ideja e një pakti të përbashkët europian për emigracionin

Marc Koch30 Shtator 2006

Konferenca e ministrave të vendeve mesdhetare të BE-së në Madrid

https://p.dw.com/p/ArA3
Takimi i ministrave të vendeve mesdhetare, anëtare të BE-së, në Madrid
Takimi i ministrave të vendeve mesdhetare, anëtare të BE-së, në MadridFotografi: AP

Eshtë bërë një hap përpara drejt një politike të përbashkët emigrimi në BE - ky është bilanci që bëri mikpritësi i konferencës së ministrave të tetë vendeve mesdhetare të BE-së, mbajtur të premten në Madrid. Ndër të tjera vendet buzë Mesdheut kërkuan nga Bashkimi europian të ndalë fluksin e imigrantëve të paligjshëm në Evropën Jugore me anë të një rojeje bregdetare. Në konferencë u trajtuan edhe aspekte të tjera të imigracionit ilegal.

Të paktën vullneti i përbashkët egziston: grupi i ministrave pjesëmarrës në konferencë ka diskutuar në mënyrë të hapur dhe miqësore dhe ka qenë i një mendjeje për nevojën e një politike të përbashkët emigracioni në Bashkimin Europian. Kështu konstatoi i kënaqur ministri spanjoll të punëve të jashtme Miguel Angel Moratino:" U hodh ideja e një pakti të përbashkët europian për emigracionin. Mendoj se kjo është një ide e mirë të cilën e përkrahim të gjithë."

Veç kësaj ka patur edhe shumë propozime se si Bashkimi Europian mund të veprojë kundër imigracionit të paligjshëm. Minisitrat e vendeve mesdhetare anëtare të BE-së kanë qenë të një mendjeje për nevojën e ruajtjes dhe mbrojtjes më të mirë të kufirit të përbashkët jugor të Kontinentit Europian.

Në këtë kontekst zv/kryeministrja spanjolle Maria Tereza Fernandez de la Vega ka kërkuar që administrata europiane për ruajtjen e kufirit, Frontex, të pajiset më mirë me personel dhe mjete financiare: "Frontex duhet të pajiset menjëherë me më shumë material dhe njerëz të gatshëm për t'u angazhuar aty ku ka më shumë nevojë për ta. Dhe Frontex ka nevojë për një sistem të vërtetë europian kontrolli i cili të jetë në gjendje të kontrollojë të gjithë kufijtë e Unionit."

Në konferencë nuk u arritën marrëveshje konkrete por komisarja e BE-së për marrëdhëniet me jashtë Benita Ferrero Waldner tha se Bashkimi Europian ka nevojë për një përgjigje të shpejtë ndaj imigrimit ilegal. Javët e fundit Spanja ka theksuar në mënyrë të përsëritur se fluksi i refugjatëve nuk është një problem nacional por europian.

Ministri francez i rendit Nikola Sarkozi u kishte rezervuar një surprizë pjesëmarrësve në konferencë. Sarkozi paraqiti një katalog voluminoz masash të cilat parashikojnë ndër të tjera ngritjen e një zyre qëndrore europiane azili si dhe ndalimin e legalizimit në masë të imigrantëve të paligjshëm. Kjo e fundit u kuptua edhe si kritikë e hapur ndaj politikës spanjolle të emigracionit. Vitin e kaluar Spanja legalizoi 600.000 imigrantë që qëndronin në vend në mënyrë të paligjshme. Sipas ministrit francez të rendit një politikë e tillë ka efektin e një ftese dhe ka ndikuar në masë të madhe në shtimin e fluksit të refugjatëve. Ministri konservator theksoi gjithashtu se të gjitha ligjet kundër imigracionit ilegal nuk kanë asnjë vlerë nëse imigrantët e paligjshëm nuk dëbohen në mënyrë konseguente. Në pikë homologu i tij spanjoll Alfreda Perez Rubalcaba u shpreh:"Politikën e dëbimit do ta hartojmë bashkarisht, pasi së bashku jemi më të fortë kur duhet të negociojmë për proçese të tilla komplekse."

Pjesëmarrësit kanë theksuar se ndaj imigracionit të paligjshëm nuk mund të ketë përgjigje të shpejta. Megjithatë Spanja duket se ia doli të bashkontë në një linjë vendet anëtare të BE-së të prekura direkt nga imigracioni ilegal dhe kjo është një shenjë e mirë për popullsinë, u shpreh ministri i jashtëm spanjoll Moratinos.

Rezultatet e konferencës do të përmblidhen tani në një dokument dhe do të përpunohen më tej në samitin e Bashkimit Europian në tetor në Finlandë.