1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Impuls i fortë për pajtim - Ekspertët të bindur se marrëdhëniet ruso-polake do të përmirësohen pas tragjedisë polake

14 Prill 2010

Ekspertë gjermanë dhe politologë mendojnë se pas vdekjes tragjike te presidentit polak Kazniski dhe 9 politikanëve të tjerë të lartë polakë, marrëdhëniet mes Polonisë dhe Rusisë do të përmirësohen.

https://p.dw.com/p/MvdF
Kabineti qeveritar rus mbajti një minutë zi për aksidentin tragjikFotografi: DW

Shoku i madh lind impulse të reja

"Tani ka një shanc real për një fillim të ri", thotë Alexander Rahr, ekspert për Rusinë i Shoqatës Gjermane për politikën e jashtme në Berlin. Mesa duket qeveria në Moskë e kuptoi se ç'do të thotë kjo humbje për Poloninë dhe reagoi menjëherë më fjalët dhe gjestet e duhura. Sipas Rahr të dy kombet "janë shumë emocionalë dhe të vetëdijshëm mbi historinë" dhe të dyja vendet nuk do t'i harrojnë shpejt pamjet dhe gjestet e ditëve të kaluara.

Edhe Kai Olaf Lang i Fondacionit të Berlinit për Shkencë dhe Politikë mendon se tragjedia kombëtare e Polonisë do të sjellë lindjen e solidaritetit mes Moskës dhe Varshavës. Ai kujton sidomos fjalët e Putinit, që tha "Kjo është tragjedia jonë e përbashkët". Edhe fakti se një ditë pas katastrofës në televizionin kombëtar rus u transmetua filmi i Andrzej Wajda „Katyn“, është një sinjal i rëndësishëm, vazhdon politologu Lang.

Gjeste me karakter simbolik

Lang kujton gjeste me karakter simbolik si për shembull momentin kur kryeminsitri rus Putin përqafoi homologun e tij polak Tusk, ndërkohë që ky i fundit vuri kurorën në vendin e fatkeqësisë. Edhe fakti që Putini ndejti në Smolenk deri në momentin që trupi i Kazinksit u transportua në Varshavë ka një kuptin të madh, thotë Lang. "Kjo ndarje e Putinit nga presidenti polak ishte një ceremoni e thjeshtë por kuptimplotë".

Çfarë do të ndodhë tani?

Por politologët janë të vetëdijshëm se pajtimi emocional mund të realizojë disa gjëra, por se problemet reale që ekzistojnë mes Rusisë dhe Polonisë nuk do të zgjidhen kaq shpejt. Kai Olaf Lang përmend "temat e debateve" si energjinë apo partneritetin e NATO-s në lindje të Evropës. "por unë jam një optimist relativ", thotë Lang. Ai shpreson tani se së shpejti do të lindin "diskutime konstruktive".

Edhe Alexander i shoqatës DGAP mendon se marrëdhëniet mes Moskës dhe Varshavës do të përmirësohen. Por ai nuk është i mendimit se tragjedia është i vetmi element që luan një rol pozitiv në këtë zhvillim. "Fakti që Rusia reagoi në këtë mënyrë ndaj këtij momenti tragjik, flet për përpjekjet për afrim që këto dy vende kanë pasur muajt e fundit", thotë Rahr.

Dialogu vazhdon

Dialogu historik mes Polonisë dhe Rusisë do të zhvillohet më tej, thotë Alexander Rahr dhe thekson se disa nga problemet e mëparshme me Rusisë dhe Polonisë ishin duke u zgjidhur që përpara se të ndodhte aksidenti tragjik. Eksperti për Rusinë përmend si shembull situatën politike në Ukrainë. "Fakti që Ukraina është e interesuar në mbështetjen e Rusisë, e ka detyruar Poloninë prej kohësh që të mos e konsiderojë më Ukrainën si zonë delikate që ndodhet mes saj dhe Rusisë", thotë Rahr. "Edhe problemi i raketave amerikane në Poloni po zgjidhet së shpejti, njësoj so çështja e varësisë nga energjia ruse, sidomos sepse Polonia përpara pak kohësh zbuloi disa rezerva të mëdha gazi në vend", thekson politologu.

Megjithë vështirësitë e politikës reale, procesit të pajtimit po i afrohet më në fund një shanc real. Dhe ky shanc duhet shfrytëzuar patjetër në mënyrë pozitive, theksojnë ekspertët.

Autore: Rosalia Romaniec/ Sonila Sand

Redaktoi: Esat Ahmeti