1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Imtësohet filtri i dhënies së shtetësisë gjermane

Anila Shuka6 Maj 2006

Ministrat e brendshëm të landeve e shtynë për takimin e dytë çështjen e refugjatëve me Duldung. Në konferencën e radhës që u zhvillua në Garmish Partenkirhen, ata ranë dakord për njësimin e procedurës së integrimit të të huajve, si edhe atë të fitimit të shtetësisë. Ndryshimet janë bërë sipas parimit “ndihmo dhe kërko”

https://p.dw.com/p/Ar0e
"Jo për kriminelët" - pasaporta gjermane
"Jo për kriminelët" - pasaporta gjermaneFotografi: BilderBox
Tetë vjet qendrim i duhet një të huaji për të fituar shtetësinë gjermane. Kush është i integruar dhe dëshmon që e njeh mirë gjuhën ose aktivizohet në organizata në dobi të shoqërisë, si zjarrfikset apo Kryqi i Kuq, e fiton nënshtetësinë pas gjashtë vjetësh. Ky ishte i vetmi lehtësim në kuadër të procedurës së dhënies së shtetësisë, për të cilin ranë dakord ministrat e brendshëm të 16 landeve gjermane, në konferencën e tyre të pranverës (4./5.05) në Garmish Partenkirchen. Ministri federal, Volfgang Shojble, që është mysafir special i konferencës, e konsideron çështjen e integrimit të suksesshëm të të huajve, guri përfundimtar i të cilit është pikërisht fitimi i shtetësisë gjermane, si “një nga problemet qendrore për qendrueshmërinë e rendit politik dhe shoqëror gjatë viteve të ardhshme.” Prandaj edhe parimi kryesor i vendimit njëzëri të ministrave ishte: “Kush kërkon të jetojë në Gjermani duhet të kuptojë dhe të flasë gjermanisht,” tha të premten kryetari i Konferencës së Minitrave të Brendshëm, kryeministri kristiansocial i Bavarisë, Gynter Bekshtajn të premten. Krahas kurseve të gjuhës, migrantëve do t’u ofrohen edhe kurse integrimi, ku ata do të kenë mundësi të njihen me sistemin demokratik, mënyrën e zgjidhjes së konflikteve në një shoqëri të lirë demokratike, barazinë mes burrit dhe gruas e të ngjashme. Në përfundim të kursit do të merret një çertifikatë, për të cilën nuk mjafton vetëm prania. Se si do të provohen njohuritë e marra aty, kjo mbetet në kompetencë të landit. Disa prej tyre, si Hessen, Baden Vyrtemberg kanë filluar që tani që t’i pyesin pretendentët për shtetësi në bazë të një testi me shkrim. Ministrat socialdemokratë nuk ishin dakord që ky rregull të vlente për të gjithë Gjermaninë. Kursi i integrimit bëhet i domosdoshëm, pasi shtetasit të ardhshëm gjerman do t’i kërkohet që të deklarohet luajal me rendin e lirë demokratik të shoqërisë. “Prandaj edhe është e nevojshme që ai ta dijë se për çfarë po e bën betimin,” – sqaroi ministri i brendshëm i Berlinit, socialdemokrati Eberhardt Kërting, zëvendëskryetar i Konferencës. Kursin e integrimit e pagon vetë i interesuari. Kush nuk është në gjendje ta paguajë, mund të përgatitet vetë për testin, pyetjet e të cilit do të jenë në internet. Ministrat ranë dakord që të rrisin pengesat për personat që kanë kryer vepra penale. Dënimi maksimal i lejuar për kandidatin e nënshtetësisë këtej e tutje do të zvogëlohet nga 180 në 90 ditë burg. “Qëllimi është që të mos lejohet hyrja e kriminelëve,” – sqaroi Bekshtajn. Por edhe këtu ka përjashtime. Kjo kryesisht kur bëhet fjala për dënime të vjetra. Për ata që kalojnë me sukses përmes filtrit të shtetësisë do të bëhet edhe një festë, në mënyrë që ta ndjejnë veten të mirëseardhur në vend, e jo t’i dorëzohet certifikata shtetësisë “sikur të ishte ndonjë fletë gjobe”, tha Bekshtajn më tej. Ndërsa ministrat e brendshëm ishin shumë të lumtur për kompromisin e arritur njëzëri dhe pa nota protokollare në konferencën e tyre të radhës në Bavari, në opinion u dëgjuan edhe kritikat e para. Kryetarja e fraksionit të të gjelbërve në Bundestag, Renate Kynast tha: “U shtuan edhe disa pengesa të tjera, asgjë tjetër. Neve na duhen oferta për integrimin e migrantëve, në mënyrë që ata të kenë perspektivë për të ardhmen, të mësojnë gjermanishten, dhe pastaj të shtrojnë kërkesën për nënshtetësi.” Edhe përfaqësues të shoqatave myslimane e kanë kritikuar venidmin e marrë në Konferencë. Ministrat kanë ndërmend të nisin menjëherë një iniciativë në Këshillin Federal, në mënyrë që ndryshimet e propozuara prej tyre të inkuadrohen në të drejtën e shtetësisë, gjë që duhet të miratohet nga Bundestagu. Bekshtajn parashikon që ky ndryshim do të bëhet brenda disa muajve. Të pakënaqura u treguan organizatat e refugjatëve me shtyrjen që i bënë ministrat çështjes së afro 200 mijë personave, që për shkaqe humanitare lejohen të qendrojnë në Gjermani pa patur status të rregulluar. Gati një e treta e tyre vijnë nga Kosova. Kjo çështje është shtyrë për konferencën e dytë të ministrave, që do të mbahet në vjeshtë.