1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Incidentet në brigjet libaneze & Marrëdhëniet gjermano-polake

VFB30 Tetor 2006

Nga komentet në shtypin e sotëm shkëpusim: zëra lidhur me incidentet në brigjet libaneze mes njësive të marinës gjermane dhe aviacionit izraelit, si dhe marrëdhëniet gjermano-polake në vigjilje të vizitës së kryeministrit polak Kazhinski në Berlin.

https://p.dw.com/p/ArnE

Gazeta "Nürnberger Zeitung" komenton: "Se sa të drejta ishin paralajmërimet nga një mision i tillë, kjo po dëshmohet vetëm pas pak javësh. Në disa raste ka ndodhur pikërisht ajo që sipas bindjes së qeverisë nuk duhej të ndodhte kurrë: një konfrontim direkt me ushtarët izraelitë. Përpara se të ndodhë edhe më keq, është mirë që anijet gjermane sa më shpejt të tërhiqen."

Në mënyrë të ngjashme shprehet edhe "Wiesbadener Kurier", citojmë: "Ministri i mbrojtjes Jung do të bënte mirë që gjatë udhëtimit në Lindjen e Mesme të mos ngurrojë dhe të mos rezervohet as në Bejrut dhe as në Jeruzalem. Libanezëve ai duhet t´u bëjë të qartë nevojën e një kontrolli të efektshëm ndaj Hisbollahut, me mandatin përkatës të OKB-së, që - siç u pranua tani në Bundestag - për fat të keq nuk është kaq robust. Ndërsa izraelitët i kanë borxh një deklarim të qartë politikës gjermane, nëse marinarët në brigjet e Libanit janë ndihmës të mirëseardhur, apo nëse ata konsiderohen si kontigjent i pasigurt që duhet të mbikqyret. Nëse vlen kjo e fundit, atëherë marinës federale nuk i mbetet gjë tjetër veçse të kthehet mbrapsht."

Në të përditshmen "Berliner Zeitung" lexojmë: "Nëse Evropa do të jetë mediatore e sukseshme në këtë konflikt, ajo duhet të insistojë për zbatimin e rezolutës së OKB-së 1701. E kjo ndaj të dyja palëve. Në Gjermani prej kohësh kjo nuk është thënë me qartësinë e duhur. U tha, marina gjermane është këtu për të mbrojtur Izraelin. Kjo ishte dhe është e drejtë. Por kjo është vetëm njëra anë. Tani që trupat gjermane janë në mision, duhet edhe në Berlin të bëhet shpejt e qartë, se bëhet fjalë gjithashtu edhe për Libanin."

Mbi këtë temë së fundi edhe një citat nga komenti i "Nordwest Zeitung" që del në Oldenburg: "Jo i pamundur, por me shumë të panjohura është misioni i marinës gjermane në brigjet e Libanit. Opozita po inisiton shumë duke i kërkuar ministrit të mbrojtjes, Jung që të publikojë detajet. Këto po dalin pak nga pak në dritë."

Kalojmë në temën e dytë vizita e kryeministrit polak, Kazhinski në Gjermani dhe marrëdhëniet midis dy vendeve.

Nën titullin "Fqinjësi e vështirë" gazeta "Süddeutsche Zeitung" komenton: "Një sukses në marrëdhëniet e mbetura në vend-numëro gjermano-polake as që pritet nga vizita e Kazhinskit në Berlin. Ndaj do të ishte një sukses, vetëm nëse kryeministri polak përvojën historike të popullit të tij do ta linte në sfond - dhe do të shihte përpjekjet e gjermanëve për rikuperimin dhe zbardhjen e së shkuarës. Shumica e bashkëatdhetarëve të tij e bëjnë këtë prej shumë kohësh. Ata nuk e ndjejnë veten kurrësesi të kërcënuar prej gjermanëve. Pëkrundrazi ata e kanë kuptuar, se një fqinjësi e mirë është në dobi të të dyja palëve."

Ndërsa "Lausitzer Rundschau" komenton: "Vizita e sotme e kryeministrit Kazhinski në Berlin është vetëm një stacion i ndërmjetëm në udëhtimin e tij në një fqinjësi ende të pasigurtë. Eshtë e drejtë, që ndërkohë ata që qeverisin në Poloni kanë vështirësitë e tyre me deklarimet e bëra tashmë të zakonshme e siç duket edhe të suskseshme mbi fqinjësinë e mirë. Fqinji i madh në Perëndim pothuajse përkufizohet po aq si një problem sa edhe Rusia, kundërshtari i vjetër në Lindje. Por kjo s´është as befasuese dhe as nuk duhet të krijojë shqetësim të ekzagjeruar. Kjo nuk do të çojë në një konfrontim të vazhdueshëm dhe të thellë me Poloninë. Koalicioni qeverisës në Varshavë është i dobët. Vendi në përgjithësi duhet të rigjejë veten."