1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Inkurajim gjerman për Serbinë, por mungon fjala e fundit

Shuka, Anila10 Janar 2008

Gjermania parimisht e mbështet propozimin e Sllovenisë për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Serbinë në fund të muajit janar.

https://p.dw.com/p/Cn8j
Vuk Jeremiç, ministri i jashtëm serbFotografi: AP

Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç pritet të dëgjojë në takimin me Shtajnmajer ditën e sotme (10.01) fjalë inkurajuese. Sipas qarqeve qeveritare në Berlin bëhet e ditur se Gjermania e mbështet propozimin slloven për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Serbinë qysh më 28 Janar. Gjermania megjithatë nuk do të pozicionohet që tani duke respektuar kështu qendrimin e disa vendeve anëtare të BE-së që e kundërshtojnë kategorikisht nënshkrimin e MSA-së, përsa kohë që Serbia nuk e plotëson kushtin e bashkëpunimit me Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.

Prandaj edhe zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane Martin Jaeger në konferencën e shtypit u shpreh me rezerva ndaj propozimit slloven: "Ky është një propozim që ekziston, por që ende nuk është specifikuar. Ne jemi në kontakt me kolegët sllovenë dhe partnerët tanë të tjerë në BE, sidomos me Komisionin Evropian, për të arritur në një gjykim të përbashkët se si ta shoqërojmë Serbinë në nënshkrimin e mundshëm të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit."

Sllovenia pritet të dalë me propozimin që vetë ministrat e jashtëm të BE-së ta gjykojnë se a bashkëpunon Serbia sa duhet me Gjykatën e Hagës.

Deri tani BE e ka konsideruar bashkëpunimin me Hagën si të pamjaftueshëm, pasi një nga të dyshuarit kryesorë për krime lufte, Ratko Mladiç, nuk është kapur ende. Ministrat e BE-së janë bazuar kështu në gjykimin e ish-kryeprokurores së kësaj gjykate, Karla del Pontes, mandati i së cilës përfundoi në fund të vitit. BE-ja ende nuk ka filluar bisedime zyrtare me pasardhësin e saj, Serzh Bramerc (Serge Brammertz).