1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Instrumentalizim i dosjeve të Securitates

Keno Versec3 Gusht 2006

Asnjë prej vendeve evropiano-lindore nuk e ka pasur kaq të vështirë reflektimin për të kaluarën komuniste sa Rumania. Por sot 16 vjet pas përmbysjes së diktatorit Çaushesku, duket se ka shpërthyer një valë reflektuese për historinë

https://p.dw.com/p/ArAO
Shkrimtari me origjinë rumune Richard Wagner duke prezantuar romanin "Miss Bukarest" ku përshkruhet historia e agjentit Dinu Matache
Shkrimtari me origjinë rumune Richard Wagner duke prezantuar romanin "Miss Bukarest" ku përshkruhet historia e agjentit Dinu MatacheFotografi: PA/dpa

Së fundi në diskutimet për këtë çështje janë përfshirë edhe gazetarët. Nisma me emrin "Zëra të pastër" synon të nxjerrë në dritë se cilët gazetarë kanë qenë dikur spiunë apo informatorë të Securitates apo cilët prej tyre kanë apsur guximin ta refuzonin bashkëpunimin.

Presidenti rumun Trajan Basesku, krijoi në fillim të vitit një komision historianësh që do të merreshin me studimin e krimeve të periudhës komuniste në Rumani. Ky komision morri në pranverë në dorëzim dosjet e shërbimit sekret rumun. Tani organizata e gazetarëve "Civic Media" ka ndërmarrë nismën "Zëra të pastër" dhe ka kërkuar prej komisionit për analizimin e veprimtarisë së Securitates që të verifikojë nëse gazetarë të mirënjohur rumunë kanë punuar për Securitaten. Kjo organizatë paraqiti së fundi për verifikim dy lista me qindra emra gazetarësh, ndër të cilën gjenden edhe emrat e disa prej bashkëpunëtorëve të programeve rumune të BBC, Radios Evropa e Lirë, RFI dhe Deutsche Welle.

Aq sa e fisme tingëllon kjo iniciativë, aq të paqarta janë motivet që i shtyjnë organizatorët e saj. "Civic Media" është një organizatë e vogël gazetarësh me qëllime dhe aktivitete të paqarta. Gazeta ditore "Ziua", e afërt me këtë organizatë, ka kohë që spikat në treg përmes botimit të historive të dyshimta dhe të paverifikueshme rreth Securitates. Drejtori i kësaj gazete Sorin Roshka Stanescu ka qenë vetë përpara 1989 spiun i Securitates, sikurse e ka pranuar para disa vitesh edhe vetë.

Drejtuesi i komisionit për analizimin e veprimtarisë së Securitates, Claudiu Sekashiu nuk pranon të bëjë komente për nismëtarët e kësaj iniciative: "Ne e vlerësojmë këtë nismë si një gjest pozitiv për të mësuar të vërtetën. Unë nuk mund ta komentoj se prej cilës gazetë vjen kjo nismë. Kërkesa është legjitime dhe ne do ta përpunojmë atë."

Kjo nismë ka shkaktuar ndërkohë diskutime në mbarë vendin, sidomos pasi katër gazetarë me emër kanë pranuar se kanë punuar si informatorë të Securitates. Ndër ta bën pjesë edhe Carol Sebastian, një ndër gazetarët më të spikatur rumunë, i cili pranoi publikisht se gjatë kohës që ka qenë student, Securitate i ka bërë presion dhe ky ka shkruar raporte për shokët e vet.

Drejtuesi i komisionit për analizimin e veprimtarisë së Securitates, Claudiu Sekashiu e vlerëson një gjë të tillë si efekt pozitiv madje shërimtar të nismës "Zëra të pastër" për shoqërinë rumune.

Disa mendojnë se nisma e presidentit të vendit Trajan Basesku për krijimin e komisionit për analizimin e veprimtarisë së Securitates dhe të grupit të historianëve që do të analizojë mënyrën se si ka funksionuar komunizimi në Rumani, ka shkaktuar në vend "një ethe spastrimi".

Annelie Ute Gabanji, eksperte gjermane për Rumaninë mendon se me këtë fushatë presidenti rumun dëshiron të dobësojë kundërshtarët e vet politikë dhe të zgjerojë ndikimin e vet: "Sipas mendimit tim shërbimet sekrete në Rumani nuk janë instrumentalizuar asnjëherë më parë që prej kthesës politike sa sot. Po ashtu asnjëherë komisioni për analizimin e veprimtarisë së Securitates nuk ka qenë kaq i politizuar sa nën Baseskun. Për këtë nisma aktuale për ndriçimin e veprimtarisë së gazetarëve, është pjesë e nismave të mëdha të instrumentalizuara në këtë drejtim. Në vend po luhet aktualisht një lufte e madhe për pushtet."