1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani dhe Siria kundërshtojnë SHBA për Lindjen e Mesme

Ulrih Pick (ADD)18 Shkurt 2007

Siria dhe Irani e përforcuan refuzimin e tyre për politikën e SHBA në Lindjen e Mesme

https://p.dw.com/p/Aqms
Presidenti iranian, Mahmud Ahmaxhinexhad
Presidenti iranian, Mahmud AhmaxhinexhadFotografi: picture-alliance/dpa

Në përfundim të vizitës së tij dyditore në Iran, presidenti i Sirise, Bashar al Asad theksoi sot se Irani dhe Siria do të kundërshtojnë me vendosmëri të gjitha përpjekjet e Uashingtonit për të dobësuar frontin midis Teheranit dhe Damaskut.

Edhe nëse gazeta "Teheran Times" në numrin e së dielës doli me kryetitullin "Presidentët e Iranit dhe të Sirisë diskutojnë tema të nxehta rajonale"- vizita e Bashar al Asadit në kryeqytetin iranian besohet se i ka shërbyer në radhë të parë deklarimit të miqësisë reciproke. Sepse Damasku konsiderohet si aleati më i ngushtë i Teheranit dhe kjo është vizita e dytë e presidentit sirian në Iran, që prej ardhjes në post të Mahmud Ahmadinexhadit, në gusht 2005.

Të dyja shtetet, Siria dhe Irani, janë aleatët më të ngushtë jo vetëm që prej sulmit irakian ndaj Iranit në vitin 1980, ata konsiderohen edhe si kundërshtarët më të rreptë të boshtit Jeruzalem-Uashington. Prandaj nuk është për t'u cuditur, që si Asadi, ashtu edhe Ahmadinexhadi i akuzojnë të dyja këto shtete për "një komplot kundër shteteve islamike".

Synim i politikës së SHBA është forcimi i pozicionit të Izraelit në dëm të shteteve myslimane në rajon. Kjo mënyrë veprimi, theksuan të dy politikanët, është e destinuar të dështojë. Vec kësaj, është jashtëzakonisht i rëndësishëm një qëndrim i bashkuar i shteteve të Lindjes së Mesme, theksuan politikanët. Në këtë kuadër, Ahmadinexhadi lëvdoi përpjekjet e dy grupeve palestineze, Hamas dhe Fatah për krijimin e një qeverie uniteti.

Se cfarë diskutuan të dy presidentët për gjendjen në Irak, deri tani nuk është bërë publike. Përballë faktit që si Siria, ashtu edhe Irani janë shtete direkte fqinjë me Irakun, ka shumë mundësi që për këtë temë të jetë diskutuar. Të dyja shtetet akuzohen më tej prej Uashingtonit se mbështesin kryengritës në Irak dhe se duan të dobësojnë qeverinë pro-perëndimore në Liban.

Qeveria e Teheranit nënvizoi në këtë kuadër edhe njëherë se drejtuesi irakian i shiitëve, Muktada al Sadr, nuk ndodhet aktualisht në Teheran, sic pretendon qeveria e Uashingtonit.

Që të shtunën, udhëheqësi shpirtëror i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei theksoi se vendi i tij do t'i përmbahet edhe më tej programit atomik. Me këtë hap, Iranin e presin që prej mesit të javës së ardhshme, kur përfundon ultimatumi i rezolutës 1737, sanksione të OKB-së. Rezoluta kërkon nga qeveria iraniane ndërprerjen e programit të saj bërthamor.