1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Islamizmi dhe Republika Franceze

Sigfried Forster1 Shkurt 2006

Në vitin 2003 në Francë u krijua Këshilli Kombëtar i Myslimanëve. Ministri i brendshëm francez, Nicolas Sarkozy shpreson që këshilli t'i shërbejë integrimit sa më të shpejtë të islamit në Republikën Franceze

https://p.dw.com/p/ArCA
Vajza myslimane
Vajza myslimaneFotografi: AP

"Presidente e këshillit rajonal të myslimanëve në rrethin e Limusinit". Ky është një titull i madh për Hanifen 24 vjeçare. Ajo i pret vizitorët në stacionin e trenit të qytetit të vogël Limozh, së bashku me bashkëshortin e saj Mustafa Gursal, i cili është edhe shefi i thesarit të këshillit rajonal të myslimanëve. Ajo mban një shami të zezë me lule në kokë dhe flet me zë të qetë dhe të ngadaltë. Skuqet pak kur tregon se ndonëse në mediat franceze emri i saj përmendet pothuajse përditë, në rrethin Limusin, s´e njonin shumë njerëz: "Në fillim merrja letra nga njerëzit, të cilët më uronin fat për detyrën e re. Njerëz që kishin lexuar në gazetë se një grua u zgjodh presidente. Unë gezohesha, ndonëse nuk i njihja personalisht këta njerëz. Por në përgjithësi unë jam person anonim, askush nuk më njeh në rrugë."

Gruaja e parë në krye të këshillit rajonal të myslimanëve: Tingëllon si revolucion. Por realiteti është ndryshe. Hanife Karakusi nuk ndjehet si revolucionare. Ajo është një nënë e re në moshë, e cila kujdeset për vajzën e saj 4 vjeçare Saliha dhe studion pë degën e juridikut. Bisedën e zhvillojmë në hollin e një hoteli të vogël, në të cilin s´ka hyrë ndonjëherë. Hanife nuk ka zyrë, sepse pas emrit të madh "Këshilli Rajonal i Myslimanëve" fshihen ende vetëm qëllime dhe premtime politike. Hanife Karakusi është presidentja e një shoqate, e cila nuk ka asnjë ndërtesë të sajën: "Mund të them se organizata nuk ka çati. Këshilli Francez i Myslimanëve u krijua në bazë të vullnetit politik të shtetit. Por këshilli ynë këtu në Limusin nuk ka asnjë ndërtesë apo zyrë pune në dispozicion. Ne kemi bërë kërkesa të ndryshme në prefekturë dhe bashki, por deri tani nuk kemi marrë përgjigje. Pra praktikisht jemi në mes të rrugës. Si adresë postare kemi dhënë një adresë private. Ne përpiqemi të punojmë sa mundemi."

Hanife Karakus është rritur në Mulhouse, si të gjithë fëmijët e tjerë francezë të rajonit, ndonëse ishte një ndër pesë fëmijët e një emigranti turk, i cili punon për industrinë automobilistike. Ajo flet rrjedhshëm turqisht dhe frëngjisht.

Kur vendosi të ndjekë studimet në degën e juridikut, ajo vendosi gjithashtu që të mbajë ferexhe: "Unë e quaj veten franceze myslimane. Të dyja këto fjalë janë pjesë e jetës time, unë nuk mund të jem franceze pa qenë myslimane apo anasjelltas."

Hanife Karakush është një grua, e cila ka ndërthurur shumë elemente në jetën e saj: Traditën dhe jetën moderne, emancipimin dhe trashëgiminë, politikanen dhe nënën, xhaminë dhe internetin, myslimanen dhe francezen. Bashkëshortin e saj e njohu në internet dhe u shpërngul me të në Limuzh. Tani ajo ka mall. Por jo për Turqinë, atdheun e prindërve të saj, por për vendlindjen e saj franceze Mulhouse.