1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italien Pressefreiheit

19 Janar 2011

Italia është i vetmi vend i Evropës Perëndimore i klasifikuar në indeksin e Freedom House për lirinë e shtypit vetëm si “partially free”. Italia e humbi klasifikimin si një vend me shtyp të lirë në vitin 2009.

https://p.dw.com/p/zzLi
Logo e RAI-itFotografi: AP

Gjatë një talk-show që transmetohet drejtpërdrejt në TV shtetëror italian gazetarja e njohur investigative Milena Gabanelli lexoi në nëntor 2010 listën e proceseve gjyqësore që po zhvillohen kundër emisionit të saj Report. Lista përmban 23 procese dhe shuma me të cilën është dënuar emisioni i saj është 251 milionë euro.

Në 14 vitet e fundit në të cilat Gabanelli raporton në emisionin e saj për raste të shpërdorimit të postit publik, për shpërdorim fondesh dhe politikanë dhe drejtues sipërmarrjesh të korruptuar ajo është dënuar me gjoba në mënyrë sistematike, por Gabanelli ka humbur vetëm në një rast, dënimi është 30.000 euro, dhe tani çështja është në gjykatën e apelit.

"Eshtë e qartë qe vendimet gjyqësore kundër nesh janë të tilla që të na mbajnë larg prej hulumtimit investigativ të disa çështjeve, ndërkohë që gjykimet vazhdojnë deri në 10 vjet. Vendimet e tyre kanë si qëllim të na frikësojnë.” - thekson Gabanelli.

Shumë prej gjyqeve janë iniciuar prej mbështetësve të Silvio Berlusconit dhe një prej vetë Berlusconit. Ai zotëron tre stacionet më të mëdha private në Itali dhe si kryeministër ka ndikim të fortë ndaj tri kanaleve të televizionit shtetëror RAI.

Berlusconi Misstrauensvotum NO FLASH
Silvio BerlusconiFotografi: AP

Sipas një raporti të fundit të International Press Institute konflikti i interesit i shkaktuar prej rolit të Berlusconit si kryetar i shtetit dhe pronar mediash private ka “inkurajuar ndikimin e politikës ndaj mediave.”

“Kritikat ndaj Berlusconit janë në shumicën e mediave italiane dhe në televizion shtetëror të tilla, që nuk përmbajnë asgjë të re, nuk ka asnjë lloj mënyre të re për të kritikuar Berlusconin.” - thotë Christopher Winner komentator politik.

Shumica e zërave që kundërshtonin konfliktin e interesit të Berlusconit si pronar masmediash dhe kryetar shteti u dëgjuan para më tepër se një dekade, kur ai hyri në politikë. Një grup i vogël pjesëtarësh kokëfortë të opozitës, gazetarësh dhe blogerësh vazhduan ta trajtojnë këtë çështje, por Berlusconi ka përparësi ndaj tyre.

“Në rrjetin e tij të mediave ka ose pak ose aspak qëndrim kritik. Duke qenë kryeministër ai ka një kontroll të madh ndaj televizionit shtetëror, i cili e minimizon frymën kritike, edhe pse vazhdon ta ketë. Por unë mendoj se kjo nuk ka pasur asnjë efekt konkret.” - thotë Christopher Winner.

Shumica e italianëve i marrin informacionet prej TV që ose janë pronë e Berlusconit ose kontrollohen prej tij.

Alessio Jacona që në blogun e tij merret me mediat italiane thotë se shumica e gazetave në Itali marrin fonde nga shteti dhe janë të lidhura ngushtë me partitë politike, dhe prandaj nuk mund të raportojnë në mënyrë të pavarur.

“Një pjesë e madhe e gazetave tona i përket Berlusconit. Pjesa tjetër është kundër Berlusconit, por punon për dikë tjetër.” - sqaron Jacona.

Jacona thotë se italianët duhet të përpiqen të shfrytëzojnë burime të ndryshme për lajmet për të kuptuar më mirë se ç'ndodh në vendin e tyre. Kjo është një përpjekje që shumica e italianëve, të cilët preferojnë të ndezin televizorin për të ndjekur lajmet, duket se nuk kanë dëshirë ta bëjë.

Autor: Megan Williams / Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj