1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italia merr kthesë të fortë djathtas

26 Shtator 2022

Triumfoi kampi i djathtë në zgjedhjet parlamentare në Itali, i cili e arriti shumicën për krijimin e qeverisë. Giorgia Meloni, nga partia radikale, Fratelli d'Italia mund të zgjidhet kryeministrja e parë femër e Italisë.

https://p.dw.com/p/4HKpk
Wahl in Italien | Wahlabend in der FdI Parteizentrale
Fotografi: Gregorio Borgia/AP/picture alliance

Një aleancë rreth partisë radikale të djathtë, Fratelli d'Italia, FDI ka fituar zgjedhjet në Itali. Aleanca e partisë populiste të djathtë, Lega dhe partisë konservatore, Forza Italia pritet të marrë më shumë se gjysmën e vendeve në parlament, sipas llogaritjeve të fundit. Televizioni italian, RAI ka parashikuar, se aleanca e djathtë mund të marrë mes 227 dhe 257 vende në dhomën e deputetëve dhe 111 deri në 131 mandate në senat. Kryetarja e partisë më të fortë nga këto zgjedhje, 45-vjeçarja Giorgia Meloni mund të drejtojë qeverinë e ardhshme dhe të zgjidhet kryeministrja e parë femër e Italisë. Pas zgjedhjeve ajo ngriti pretendimin për këtë. "Italianët kanë dërguar një mesazh të qartë në drejtim të një qeverie të djathtë nën drejtimin e Fratelli d'Italia", tha Meloni në Romë. "Ne do të qeverisim për të gjithë."

Italien I Politikerin I Giorgia Meloni
Fotografi: Tiziana Fabi/AFP/Getty Images

Më shumë se 50 milionë italianë votuan të dielën për parlamentin e ri.Gjatë së hënës pritet që të jepet rezultati zyrtar i zgjedhjeve.

Që në sondazhet para zgjedhore aleanca e djathtë dilte kryesuese, kurse të dielën Fratelli d'Italia arriti të marrë më shumë vota, se partia Lega dhe Forza Italia së bashku, me një rezutat 26%. Kurse rivalët politikë të majtë dhe të qendrës nuk u bashkuan në këto zgjedhje. Aleanca zgjedhore e socialdemokratëve nën ish-kryeministrin Enrico Leta me partitë e majta dhe Të Gjelbrit dilnin në prognoza me rreth 25,5% të votave. Socialdemokratët e Letas e pranuan humbjen të dielën dhe bënë të ditur, se do të kalojnë në opozitë. Në zgjedhjet e së dielës (25.09) Lëvizja Pesë Yjet arriti të marrë vetëm 13,5 deri në 17,5% të votave.

Italien | Wahlen
Enrico LetaFotografi: Alessandra Tarantino/AP/picture alliance

Shqetësim në BE

Giorgia Meloni gjatë fushatës bëri gjithçka për të bërë të pranueshme partinë, të cilës nuk i hiqet etiketa "postfashiste". Partia është organizata pasuese e lëvizjes, MSI, Movimento Sociale Italiano, e krijuar nga ish-funksionarë të diktatorit, Benito Musolini pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në logon e partisë ndodhet simboi i zjarrit, që të kujton Musolinin dhe është një simbol për ultra të djathtët.

Meloni u paraqit me tone të moderuara në fushatë dhe u përpoq të sigurojë partnerët, se Italia do të mbetet një partnere e besueshme. Ajo hodhi poshtë zërat e frikësuar, se fitorja e FDI do të çojë në një kthesë autoritare të Italisë apo në daljen e Italisë nga Bashkimi Europian apo eurozona.

Italien Politikerin Giorgia Meloni | mit Silvio Berlusconi und Matteo Salvini
Fotografi: GUGLIELMO MANGIAPANE/REUTERS

Megjithatë në Bruksel zgjedhjet në Itali janë ndjekur me shqetësim. Meloni e shpreh qartë mbështetjen për Ukrainën e sulmuar nga Rusia, dhe konsiderohet si properëndimore dhe mbështetëse e NATO-s. Por ajo është e njohur edhe për kritikën e saj ndaj institucioneve në Bruksel. Kurse aleati i saj i Legas, Matteo Salvini shpreh hapur dyshimin për efektin e sanksioneve kundër Rusisë.

Socialdemokratja Katarina Barley, zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian e cilësoi shqetësuese fitoren zgjedhore të aleancës së djathtë dhe rrezik për bashkëpunimin konstruktiv në Europë. "Girogia Meloni do të jetë një kryeministre që ka si modele politike Viktor Orbanin dhe Donald Trumpin" , shkroi Barley.

Deutschland Politik l Katarina Barley SPD, Parteitag in Berlin
Katarina Barley SPDFotografi: Florian Gaertner/photothek/Imago Images

la/wa/ack (dpa, afp, rtr)