1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ivanoviq: Zgjidhja e statusit është ëndërr romantike dhe jo nevojë praktike

Sonila Sand29 Maj 2007

Intervistë me liderin e Listës serbe për Kosovë e Metohi, Oliver Ivanoviq.

https://p.dw.com/p/ArUx
Fotografi: AP

Sa e rëndësishme për ju është prania e forcave ndërkombëtare në Kosovë?

Ivanoviq: Vet prania e forcave ndërkombëtare këtu nuk na jep garanci të plotë, ndonëse një gjë të tillë e kemi pritur në fillm, në veçanti në vitin 1999. Atëherë kishte rreth 40.000 ushtarë të huaj, por serbët e kanë pësuar shumë keq. Kemi menduar se jemi shumë të sigurt, por shumë serbë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe kënë shkuar në Serbi. Ndjenja e pasigurisë vazhdon edhe sot. Megjithatë, Kfori është institucioni më i respektuar në Kosovë. Eshtë shumë më i respektuar se Unmiku, e të mos flas për institucionet tjera, ku nuk ka serbë, siç janë Qeveria, Kuvendi apo institucioni i presidentit.

Pse Kfori e gëzon një respekt kaq të lartë: për shkak të ardhmërisë apo për ndonjë shkak tjetër?

Ivanoviq: Kfori dhe Nato patjetër që do të jenë të rëndësishëm edhe në të ardhmen, pa marrë parasyshë se cili do të jetë statusi i ardhshëm i Kosovës, pas vendimit të Këshillit të Sigurimit. Mendoj se shqiptarët dhe serbët ende nuk janë të gatshëm për kontakte, dialog apo ndonjë marrveshje të drejtëpërdrejtë. Ne kemi nevojë për prani ndërkombëtare. Kjo edhe për shkak të traditës, sepse më shumë i bisedojmë institucioneve që kanë dhunën, siç janë Natoja dhe ushtria. Prania e tyre është e domosdoshme për të garantuar sigurinë e përgjithshme. Deri tani nuk kanë treguar ndonjë suskes tepër të madh, por besojmë se e kanë mësuar leksionin nga viti 1999 dhe 17 marsi i vitit 2004 dhe shpresojmë se në të ardhmen do të jenë më të sukseshme.

Po pse në këto rajone ka tensione të përhershme?

Ivanoviq: Kjo para së gjithash për faktin se ne të dy palët jemi bukur primitiv në qëndrimet politike. Qëllimet politike ndonjë herë nuk dimë t'i mbrojmë me argumente, por përdorim dhunën si argument për të përmirësuar pozicionin në negociata. 17 marsi është një dhunë e organiuzuar dhe e udhëhequr shumë mirë, prej një qendre të caktuar. Synimi i qartë ishte zvoglimi i serbëve dhe largimi i tyre prej linjave të komunikacionit, siç janë rrugët dhe hekurudha, me qëllim që të krijohen kushte më të mira në negociatat për statusin. Kjo duhet të ndërpritet dhe pres që bashkësia ndërkombëtare të jetë shumë e qartë. Kur them bashkësia ndërkombëtare mendoj, OKB-ja dhe Amerika, e cila ka përgjegjësinë më të madhe, për faktin se ajo gëzon një respekt shumë të madh të shqiptarëve. Faktori i dytë është Nato-ja, i cili nuk duhet të tolerojë dhunën. Në qoftë se koordinohen këta dy faktorë, unë nuk pres që sërish të ketë dhunë.

Kur flisni për Kforin, gjenerali gjerman Kater deklaroi se nuk pret që në Kosovë sërisht të ketë dhunë...

Ivanoviq: Shyqyr prej zotit që gjenerali Kater ka nisur të zbatojë një qasje të këtillë, me mesazhe të qarta. Prej ushtarakëve nuk presim fjalor dhe përgjigje diplomatike, por përgjigje të qarta. Ndoshta tingëllon tepër brutale, por do të dëshiroja që prej tij të dëgjojë përgjigjen: në qoftë se dikush kap armë në dorë dhe qëllon, ne do ta vrasim. Ky është obligimi i Kforit i cili duhet të sigurojë që askush të mos e qëlloj askend. Kjo do të thotë se ata të cilët janë problematikë dhe mendojnë se qëllimet mund t'i realizojnë me armë, duhet që me mjete shumë efektive të binden në të kundërtën.

Megjithatë a besoni ju në paqë dhe në bashkëjetesë?

Ivanoviq: Unë jam optimist dhe besoj se kjo mund të ndodhë. Eshtë shumë e sigurt që në këtë rrugë na pengojnë disa gjëra. Eshtë i keq insistimi i tepërt në zgjidhjen e statusit, si një formulë magjike për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Liderët politikë shqiptarë duhet të çlirohen nga një gjë e këtillë, sepse ata më së shumti janë të interesuar për statusin. Këtu më shumë kemi të bëjmë me një ëndërr romantike se sa me një nevojë praktike. Statusi mund zgjidhet vetëm në qoftë se pranohet prej të gjitha palëve. Në të kundërtën, në qoftë se nuk e kënaqë njërën prej palëve, mund të shkaktojë probleme të reja. Së dyti, shikuar në shtigje afatgjata, të gjithë janë të brengosur për ardhmërinë e tyre, sepse askush nuk u beson institucioneve të tanishme. Nuk u besojnë as shqiptarët e as serbët. Dhe së treti, nuk ka ndonjë perspektivë të qartë ekonomike. Gjërat mund të ndryshojë vetëm në qoftë se njerëzit e kuptojnë se problemet nuk mund të zgjidhen me dhunë. Duhet të gjejmë një zgjidhje që është e pranueshme për të dyja palët.