1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ja që fjala nuk është vetëm tek shëndeti i popullit

2 Dhjetor 2006

Në qendër të komenteve: mbyllja e vizitës së papës dhe vendimi i koalicionit gjerman për ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike

https://p.dw.com/p/Armi
Fotografi: AP

Tema të përmbledhjes së sotme janë mbyllja e vizitës së papës, Benediktit XVI në Turqi, dhe marrëveshja e koalicionit qeveritar gjerman për ndalimin e pirjes së duhanit në restorante.

Pas kritikës disamujore ndaj citatit të papës mbi fenë myslimane gjatë vizitës së tij në Bavari, Benedikti XVI ka korrur shumë lavdërime nga pala myslimane në mbyllje të udhëtimit katërditor në Turqi.

Gazeta Neue Ruhr/Neue Rhein-Zeitung që botohet në Essen shkruan:

"U lut vërtet papa në xhami, apo vetëm "meditoi", siç theksoi zëdhënësi i tij? Këtu ndihmësit e Benediktit janë më katolik se papa. Çasti i lutjes së heshtur në Xhaminë Blu ishte një gjest i madh, historik. Çështja nëse këtë e quan lutje apo meditim, është dytësore. E rëndësishme është që udhëtimi i papës i dha vlefshmëri të re një parimi, i cili duhet të ishte një mençuri e njohur, por që në "luftën e civilizimeve", e cila theksohet me forcë, bie në harresë: Është e dobishme kur e njeh personalisht palën tjetër."

Ndërsa Stuttgarter Zeitung vëren:

„Kush nuk e do dialogun në të dy anët, shkon drejt shumë të theksuarës luftë të kulturave. Është e vërtetë që me fanatikët nuk flitet, por t'i akuzosh përgjithësisht myslimanët për fanatizëm dhe të refuzosh çdo dialog me ta, kjo është shkatërrimtare për botën. Më tej është e vërtetë që nuk ka një autoritet të vetëm, një zëdhënës të fesë islame dhe që Benedikti XVI për vite të tëra nuk do të kishte udhëtuar në një vend mysliman, nëse synimi kryesor i vizitës së tij, patriarku ortodoks nuk do ta kishte rastësisht selinë në një vend mysliman. Por papa e shfrytëzoi rastin që të paktën të përmirësonte imazhin tek përfaqësuesit e matur të fesë islame dhe që t'i tregonte një populli mysliman 70 milionësh fytyrën e një krishtërimi miqësor.“

Ndërrojmë temë:

Në Gjermani do të ndalohet gjerësisht pirja e duhanit në restorante dhe diskoteka. Për këtë është marrë vesh një grup pune, i përbërë nga përfaqësues të bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial dhe të Partisë Socialdemokrate. Sipas planeve, duke filluar nga korriku i vitit të ardhshëm pirja e duhanit do të lejohet vetëm në hapësira të ndara. Veç kësaj do të ndalohet shitja e cigareve për të rinjtë nën 18 vjeç.

Lidhur me këtë në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung lexojmë:

„(...) Ja që fjala nuk është vetëm tek shëndeti i popullit. Askush nuk do të kuptojë, përse në klube birre pirja pasive e duhanit qënka më pak e rrezikshme sesa në restorante apo në spitale. Por cilido do të kuptonte se do të ishte groteske që një klub të doje ta ktheje në vend kure. Arsyeja e thjeshtë për këtë është se pirja e duhanit nuk ka të bëjë vetëm me kancerin e mushkërive, por edhe me shoqërinë në pirjen e duhanit, me nevojën e sëmurë për ta pirë dhe me emancipimin e gruas. Këtë mund ta cilësojë si nostalgji qytetare, kush kërkon ta shkulë me rrënjë nga trualli postmodern bimën e kultivuar të duhanit; por ja që diskotekat nuk janë restorante ngrënieje.“

Për të njëjtën temë gazeta e Rostokut Ostsee-Zeitung komenton:

„Dallimi delikat për shembull midis klubeve të birrës - këtu ende lejohet pirja e duhanit - dhe restoranteve - këtu për të pirë duhan duhet të dilet jashtë dere - sikur të fton vetë për të mashtruar. Që në diskoteka të ndalohet pirja e duhanit, kjo është një gjë e mirë edhe vetëm për arsye të mbrojtjes së të rinjve. Por nuk nevojitet shumë fantazi për të përfytyruar sesi pronarët e diskotekave mund t'i anashkalojnë rregullat qëllimmira. Për shembull duke e deklaruar sheshin e kërcimit si bar nate. Ligji i ardhshëm për mbrojtjen e personave që nuk e pijnë duhanin ka nevojë për shumë më tepër qartësi.“