1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo aq e qëndrueshme sa duhet për BE-në - Anëtarësimi shumë larg për Ukrainën

Johann, Bernd (DW)9 Shtator 2008

Marrëdhënie më intensive me Ukrainën po, por në periudhë afatshkurtër asnjë shans për anëtarësimin në BE të dëshëruar nga Kievi. Ky është bilanci i dobët i takimit Sarkozi - Jushçenko në Paris.

https://p.dw.com/p/FF4M
Fotografi: AP

Ukraina kërkon me insistim një lidhje më të ngushtë me BE-në dhe kjo nuk ka të bëjë me hyrjen e rusëve në Gjeorgji. Por në sfondin e luftës në Kaukaz në Ukrainë është përhapur një ndjenjë pasigurie dhe kërcënimi. Një anëtarësim në BE është në këto kushte edhe më tërheqës.

Pjesa më e madhe e politikanëve në Kiev, si nga kampi qeveritar ashtu edhe nga opozita, synojnë anëtarësimin në BE për vendin e tyre. Ata nuk duan që Ukraina të përfundojë në një zonë gri mes Rusisë dhe BE-së. Në rradhë të parë qytetarët e Ukrainës do të përfitonin ekonomikisht nga një anëtarësim në BE. Kjo vlen edhe për bosët ukrainas të industrisë të cilët prej kohësh ia kanë vënë syrin tregjeve europiane.


Por një anëtarësim në BE nuk duket në horizont edhe pas samitit të Parisit. Një anëtarësim të Ukrainës e konsiderojnë të mundshëm vendet lindore të BE-së si Polonia, Çekia dhe vendet balltike por edhe Suedia dhe Britania e Madhe. Gjermania, Franca dhe pjesa më e madhe e vendeve të tjera anëtare janë skeptikë ndaj kësaj ideje. Duket se këta kanë arritur të triumfojnë me pozicionin e tyre në samitin BE-Ukrainë. Një afrim i mëtejshëm i Ukrainës me BE-në është i dëshëruar por asnjë premtin nuk jepet për anëtarësim. Ky është sinjali nga Parisi.


Deklarata e përbashkët në mbyllje të samitit, me përjashtim të termit "partneritet i asociuar" sjell pak të reja. Në të përsëriten objektivat tashmë të njohur: ngritja e një zone të lirë tregtie, lehtësime në politikën e vizave, dhe së fundi thellimi i bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Nuk ka asnjë dyshim se këto janë çështje të rëndësishme. Me të drejtë ato janë në axhendën e marrëdhënieve europiano-ukrainase. Nga këndvështrimi i qytëtarëve ukrainas me rëndësi në rradhë të parë është heqja e detyrimit të vizave për hyrjet në BE.


Por çështja thelbësore, pra perspektiva e anëtarësimit për Ukrainën, vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Samiti i Parisit iu shmang përgjigjes. Duke patur parasysh raportin e vështirë me Rusinë të krijohet përshtypja se BE-ja nuk dëshëron t'i përkeqësojë më tej marrëdhiet e rënduara për shkak të Gjeorgjisë, duke i ofruar Ukrainës anëtarësimin. Nga ana tjetër, dhe ky është me siguri argumenti kryesor i rezervave të BE-së, Ukraina nuk mund të cilësohet aspak e qëndrueshme politikisht.

Në mes të krizës së Gjeorgjisë dhe vetëm pak ditë përpara samitit BE-Ukrainë u shpërbë sërisht një koalicion qeveritar ukrainas. Prej vitesh politikanët ukrainas janë të përfshirë në intriga politike. Fundi i trazirave nuk duket në horizont. Ky është me siguri shkaku kryesor përse politikanët e BE-së nuk dëshërojnë të ftojnë tani Ukrainën për t'u anëtarësuar.