1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo lidhje nga dëshira, por një lidhje pune - Koalicioni i madh në Gjermani

Jens Thurau12 Nëntor 2005

Kancelarja e ardhshme e gjermanisë Angela Merkel dhe kryetari i SPD-së Franz Myntefering prezantuan të shtunën në Berlin marrëveshjen e koalicionit mes unionit demokristian dhe socialdemokratëve. Plani sipas së cilit këto parti do të qeverisin vendin nuk është ndonjë krijim i madh, por përmban një sërë barash të rënda për qytetarët.

https://p.dw.com/p/Ar2H
Agela Merkel, buzagaz edhe pse koalicioni i madh është më tepër zgjidhje nga halli
Agela Merkel, buzagaz edhe pse koalicioni i madh është më tepër zgjidhje nga halliFotografi: AP

Gjatë konferencës për shtyp të unionit demokristian dhe SPD-së mbretëroi një atmosferë gazmore. Edhe pse kancelarja e ardhshme po fluturonte nga gëzimi, që të dyja palët theksuan se koalicioni i madh nuk është një lidhje nga dëshira, por një lidhje pune e bazuar në raporte objektive.

Kjo përshtypje të krijohet edhe kur lexon marrëveshjen e koalicionit prej 100 faqesh. Në të nuk bie në sy asnjë orientim në këtë apo atë drejtim. Endërrat neoliberale të unionit demokristian gjatë fushatës elektorale pritet të bëhen po aq pak realitet sa edhe premtimet e socialdemokratëve, që qytetarët nuk kanë pse të presin më të keqen.

Kabineti i Merkelit e quan vitin e ardhshëm vit përgatitor para se të fillojnë të vihen në zbatim reformat vërtet të ashpra. Partnerët e koalicionit shpresojnë se gjatë këtij viti konjunktura në Gjermani do të fillojë të shënojë rritje. Pas vitit 2007 do të hyjnë në veprim masa të ashpra, rritja e tvsh-së në masën 19%, rritja e kontributeve që paguan gjithsecili për pensionet, shkurtime në buxhetin për nevojat publike, liberalizimi i ligjeve për pushimet nga puna.

Nga e gjithë java e gjatë e bisedimeve mes demokristianëve dhe socialdemokratëve mund të vihet në dukje një element cilësor: të dyja palët ishin më në fund të gatshme ta shihnin bashkarisht të vërtetën në sy. Askush nuk foli mirë për gjendjen e buxhetit në vend dhe kjo të bën të shpresosh se më në fund politika do të fillojë të veprojë.

Duke filluar nga viti i arshshëm do të hiqen ndihmat financiare për blerjen e shtëpive nga qytetarët. Po ashtu lirimi nga taksat i shpenzimeve për të shkuar në vendin e punës, do t'u lejohet vetëm atyre që kanë vërtet nevojë për këtë, pra që banojnë larg vendit të punës. Bashkë me përpjekjet për reformimin e sistemit federal në Gjermani kemi të bëjmë me tri probleme të mëdha, kapërcimi i të cilave dukej për shumë kohë si i pamundur.

Aleatët e koalicionit të madh duan të bashkëpunojnë me objektivitet dhe gjakftohtësi, dhe brënda mundësive nuk duan të bëjnë gabimet e qeverisë së mëparshme. Ata duan t'i diskutojnë gjërat larg ideologjive. Po ashtu koalicionistët e rinj ranë dakord që çështjet konfliktuoze që mund të shkaktonin tensione të mëdha diskutimi, si p.sh. reforma në fushën e shëndetsisë apo heqja dorë prej energjisë bërthamore, t'i lënë një herë për një herë pa ndryshuar.

Një qëndrim i tillë i shoqëruar nga kaq shumë harmoni mund të bëjë që partitë në koalicion të humbasin profilin e tyre, gjë që do të favorizonte partitë e vogla në opozitë.

Pra s'kemi një koalicion nga dëshira, as ndonjë projekt reformash mes demokristianëve dhe socialdemokratëve, dhe as ndonjë kthesë morale si në vitin 1982. Gjithsesi sa për fillim mjafton që në politikën buxhetore të kthehet e vërteta dhe që ritualet politike që kanë dalë nga moda, si p.sh. bllokimi në Këshillin e Federatës i vendimeve të Bundestagut për arsye partiake, të lihen mënjëanë.

Gjatë fushatës elektorale SPD-ja e quante Angela Merkelin si njeri të ftohtë dhe pa ndjenja, ndryshe nga Gerhard Shrëderi plot temperament. Merkeli i fitoi zgjedhjet, edhe pse pa shumë lavdi. Ndoshta edhe qeveria nën drejtimin e saj do të jetë e tillë, pa shkëlqim, realiste, pa vizione. Po për Gjermaninë kjo s'ka pse të jetë gjë e keqe.