1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo shembull për Evropën- 50 vjet më parë u miratua ligji për barazinë gjinore në Gjermani

Ulrike Mast-Kirschning1 Korrik 2008

Ligji për barazinë e gjinive u fut në fuqi më 1 korrik 1958, por megjithë sukseset e shumta, barazia e plotë nuk është arritur deri më sot.

https://p.dw.com/p/EU5V

Lufta politike për barazinë e gjinive është më e vjetër se 100 vjet. Aktivistja më e njohur ishte Clara Zetkin, një ndër themelueset e ditës ndërkombëtare të gruas, me tetë mars. Teza e saj ishte se vetëm e drejta e barabartë e punësimit mund të çojë te barazia e gruas me burrin. 50 vjet më vonë kjo e drejtë u fut edhe në Kushtetutën e Gjermanisë. Për gratë është ky vetëm një hap modest, sepse pas kontributit të jashtëzakonshëm në rindërtimin e vendit, pas dy Luftërave Botërore, në vitet 50-të ato sërish u kthyen si tradicionalisht pranë vatrës së gatimit. Burri ishte i zoti i shtëpisë, ndërkohë që gratë as që mund të konkurronin për ndonjë punë pa nënshkrimin e tij. Mendohej se familja romantike e shekullit të 19 duhet të sillte normalitet në një kohë jonormale: Burri si ushqyesi i familjes, gruaja si kujdestare në shtëpi dhe fëmijët. Kjo ishte përditshmëria e familjeve gjermane, e cila nuk ndryshoi as pas miratimit të ligjit për barazinë e gjinive, me 1 korrik të vitit 1958.


Pa dyshim që ndarja e roleve ndryshoi dalë nga dalë gjatë viteve 70-ta. Barazimi me ligj në Gjermani ishte arritur kaherë, por në fakt, deri më sot nuk është arritur synimi i duhur, sepse nuk mund të bashkohen në një vend të gjitha: fëmijët, puna dhe fleksibiliteti i duhur për orare më të gjatë pune e ndoshta edhe kujdesi për anëtarët e tjerë të familjes. Janë gratë ato të cilat duhet të punojnë më shumë. Vetëm në raste të rralla ato ia dalin të përparojnë deri tek ndonjë pozitë shumë e lartë udhëheqëse në ekonomi. Përqindja e tyre në vendet më të preferuara ende është e ulët. Edhe pagesat mesatare për gratë aktualisht janë rreth një të katërtën më të vogla se për burrat. Ky me siguri që nuk është ndonjë shembull i mirë, sepse Gjermania aktualisht në Evropë zë vendin e katërt nga fundi.


Duket se shumë burra në Gjermani ende e kuptojnë profesionin si bastionin e fundit për të ruajtur privilegjet, pushtetin dhe influencën drejt një karriere dhe të ardhurash më të mira. Këtu nuk mund të ndihmojë as një kancelare e cila deri më sot nuk ka paraqitur ndonjë koncept konkret për barazinë e vërtetë mes burrit dhe gruas. Asaj i mungon guximi i një kryeministri spanjoll Zapatero, i cili ka fituar shumë vota me angazhimin për barazinë e gjinive, ndërkohë që ka emëruar edhe një grua në postin e ministres së mbrojtjes. Asaj i mungon edhe konsekuenca e qeverisë norvegjeze, e cila parashikon punësimin e detyrueshëm të një përqindjeje të caktuar të grave në bursë.


Zgjedhësit në Gjermani duket se kanë shkuar më larg se kancelarja. Në sondazhet e fundit thuhet se barazia e gjinive ka ndikuar pozitivisht në shoqëri. Këtë nuk duan ta besojnë ata të cilët do të humbnin privilegjet patriarkale. Por edhe ata do të fitonin, sepse barazia e gjinive do të ishte një investim i mirë për ardhmërinë.