1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Johanna Deimel: Serbia duhet ta njohë Kosovën

Bahri Cani10 Nëntor 2015

Votimi në UNESCO ka pasur edhe anët pozitive për Kosovën. Por Serbia nuk mund ta bllokojë Kosovën, thotë ekspertja Johanna Deimel në intervistë me Deutsche Wellen.

https://p.dw.com/p/1H3Q1
Johanna Deimel
Johanna Deimel, politologeFotografi: Southeast Europe Association

Deutsche Welle: Zonja Deimel, Gjermania ka qenë një prej mbështetësve kryesore për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Si e shihni ju dështimin e votimit të djeshëm?

Johanna Deimel: Ky votim mund të shihet nga dy anë. Një njërën anë, për Kosovën ka qenë ky një sukses i madh, sepse asaj i kanë munguar vetëm tri vota për të fituar shumicën e duhur, që nuk ësthë keq. Ky është një hap tjetër drejt njohjes së Kosovës. Shansi tjetër për anëtarësim është në vitin 2017, ndaj nuk mund të thuhet se nuk ia ka vlejtur. Kosova nuk është anëtarësuar në UNESCO, por ka arritur në mbështetje të gjërë. Dhe në anën tjetër, votimi ka qenë një sukses i madh për kundërshtarët e anëtarësimit të Kosovës - Serbinë dhe Rusinë. Edhe për këtë mund të gjenden argumenta, sepse megjithë faktin që Prishtina dhe Kosova garantojnë ruajtjen dhe kujdesin për vlerat kulturore, ato kanë nevojë për mbrojtjen e KFOR-it. Situata politike në Kosovë është relativisht jo e qendrueshme. Besoj se përdorimi i gazit lotësjellës në Parlament dhe në institucione, nuk ka ndihmuar përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe nuk ka ndihmuar për t'i bindur vendet e tjera që të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Qeveria dhe partitë në pushtet në Kosovë thonë se zhvillimet e dhunshme dhe përdorimi i gazit lotësjellës në Parlament e ka dëmtuar imazhin e Kosovës jashtë vendit. Sa qëndrojnë këto pohime?

Për një vend që ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe kërkon njohjen e këtij shteti, këto zhvillime të dhunshme e kanë dëmtuar shumë imazhin e vendit. Por pikërisht në këtë kohë Brukseli ka nënshkruar me Kosovën Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, dhe kjo meriton vërtetë të festohet. Kjo dëshmon se Brukseli është i gatshëm të bashkëpunojë me këtë vend për ta zhvilluar, reformuar dhe për ta afruar me BE. Unë i dënoj këto zhvillime, sepse një vend që synon të bëhet shtet me parime demokratike, nuk mund të sillet kështu.

Për çfarë zhvillimesh e keni fjalën?

E kam fjalën për sulmet me gaz lotësjellës në Parlament.

Serbia ka bërë një fushatë shumë të gjërë kundër antëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Sa do ta influencojë votimi i djeshëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, sepse një pjesë e marrëveshjeve parashikonte mos pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare?

Bisedimet gjithësesi janë momentalisht të ngrira. Kjo është një kohë e ngricave në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ndër tjera edhe për shkak të refuzimit të opozitës që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Raportet mes këtyre dy vendeve janë për momentin shumë të tendosura. Ndaj Brukseli duhet të bëj presion për vazhdimin e dialogut, sepse Kosova është shtet i pavarur. Këtë duhet ta pranojë edhe Serbia.

Votimi në UNESCO tregoi se Serbia do t'i bllokonte të gjitha përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në BE apo në organizmat e tjerë, në qoftë se ajo më parë anëtarësohet në BE. Pra a duhet të kushtëzohet Serbia me njohjen e Kosovës, para se të futet në BE?

Kjo është shumë e qartë. Ekziston kapitulli 35, ku flitet për normalizimin e raporteve ndërfqinjësore. Normalizimi duhet të vijë dhe në fund, Serbia duhet ta njohë Kosovën.

Në kohën kur Rusia e ka shtuar influencën e saj në Serbi, mendoni se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi është realitet?

Është e vërtetë që atje ekziston një influencë ruse, por do të thosha se influenca e Brukselit është më e fuqishme. Serbia nuk do të bëhet anëtare e Bashkësisë Ekonomike Euro-Aziatike, por anëtare e Bashkimit Evropian. Ndaj edhe duhet t'i përkushtohet plotësimit të kushteve të BE.

Raportet e tendosura mes Serbisë dhe Kosovës me siguri që nuk ndikojnë pozitivisht as në gjendjen e përgjithshme në rajon. Sa e rrezikshme paraqitet gjendja atje, kur dihet se së fundi ka pasur aksione të dhunshme edhe në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi?

Natyrisht që Serbia është një vend qendror në Ballkan dhe ajo influencon zhvilimet edhe në vendet e tjera. Por medoj se shumë gjëra kanë lëvizur. Mali i Zi do të bëhet ndoshta anëtar i NATO-s. Mali i Zi, Maqedonia dhe Kroacia kanë votuar për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, që do të thotë se ka lëvizje pozitive. Serbia është e rëndësishme, por raportet mes Serbisë dhe Kosovës janë futur në rrugën e normalizimit dhe kjo duhet të ndodhë patjetër.

Si e shpjegoni ju dhunën e fundit që kemi parë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë?

Sfondin e dhunës nuk e di, por potenciali i zhgënjimit në këto vende është shumë i lartë. Kjo ka të bëj me mungesën e perspektivës ekonomike, sepse të rinjtë nuk shohin perspektivë. Ndërsa në Maqedoni kemi një sistem autokratik të presidentit Gruevski dhe shefit të shërbimit sekret, me një përgjim masiv. Ndaj njerëzit kanë reaguar me kundërdhunë ndaj dhunës së shtetit. Unë nuk e mbështes dhunën, por kjo mund të jetë një prej shpjegimeve.

Sa real është rreziku që BE ta "harrojë" Ballkanin dhe të humbasë kontrollin atje, për shkak të problemve të veta të brendshme?

Problemet në BE janë natyrisht shumë të mëdha. Aktualisht kemi një katastrofë humanitare, më të madhen pas Luftës së Dytë Botërore. Këto janë sfida të mëdha dhe ky është një test për BE, i cili ndoshta nuk përfundon mirë. Por nuk besoj se BE e ka lënë pas dore Ballkanin. Gjendja atje po shikohet me shqetësim të madh dhe shpresoj se do të vazhdojnë ndihmat për këtë rajon. Besoj se problemet janë të shumëllojshme dhe mund të cënojnë edhe stabilitetin e brendshëm në këto vende. Ndaj BE duhet t'i ndihmojë ato dhe ky projekt nuk duhet të dështojë.

Kjo deklaratë po më duket më shumë si dëshirë, sepse zoti Jean Asselborn, udhëheqësi i Presidencës së radhës në BE, ka deklaruar para dy ditësh se BE do të shpërbëhet nëse mungon solidariteti. Si mund të motivohen vendet e Ballkanit në këtë situatë që të vazhdojnë reformat dhe përpjekjet për anëtarësim në BE, kur nuk ësthë e sigurt nëse BE do të mbijetojë?

Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse edhe unë mendoj se ky është një problem shumë i madh. Në Raportin e Progresit për Turqinë për shembull, jepen vlerësime politike për shkak të krizës me refugjatët dhe zotit Erdogan i bëhen lëshime, sepse ai është një faktor i rëndësishëm për tejkalimin e kësaj krize. Ndërkohë që mbyllen sytë para mangësive në sektorin e shtetit juridik, apo për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe mediave në Turqi. Ky ësthë një sinjal i keq edhe për autokratët e tjerë që ekzistojnë në Ballkan.

Megjithë këtë krizë, mendoni se Ballkani ka shanse të mira që një ditë të anëtarësohet në BE?

Ne nuk kemi hequr dorë nga projekti i BE. Shpresoj se BE do të dalë edhe më i fuqishëm prej kësaj krize dhe do të vazhdojë procesi i zgjerimit të BE. Në Ballkan kemi një krizë të madhe me refugjatët dhe atje nuk na duhen edhe kriza politike. Pra zgjerimi i BE duhet të vazhdojë.

Edhe vet kancelarja Merkel ka deklaruar së fundi se mbyllja e kufirit me Ballkanin Perëndimor mund të shkaktojë konflikte atje...

Natyrisht që raportet atje janë të tendosura. Këtë e kanë dëshmuar edhe tensionet e fundit mes Kroacisë dhe Serbisë për shkak të refugjatëve. Nëse i mbyllim kufijtë e jashtëm me siguri që do të ishte shumë vështirë të flitet për një Evropë me lëvizje të lirë.