1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Joshka Fisher : Perspektiva evropiane alternativa e vetme për Ballkanin

23 Prill 2009

Ish-ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher gjatë një qëndrimi në Londër flet për pavarësinë e Kosovës si alternativën e vetme. Inkuadrimi i Ballkanit perëndimor në BE është kyç për stabilitetin në rajon, mendon ai.

https://p.dw.com/p/Hcbw
Ish - ministri i jashtëm gjerman Joshka Fischer.
Ish - ministri i jashtëm gjerman Joshka Fischer.Fotografi: AP

Ish - ministri i jashtëm gjerman Joshka Fischer shprehet fillimisht mbi pavarësinë e Kosovës dhe procesin e legjitimitetit të saj. "Rasti i fundit për të evituar pavarësinë e Kosovës ka qenë Rambujeja. Çfarë u ofron vërtetë Beogradi kosovarëve. Dashje, pa dashje, ata përbëjnë mëse 90 përqind të popullsisë. Madje edhe sikur të ktheheshin të gjithë refugjatët serbë në Kosovë, shqiptarët kosovarë sërish do të përbënin 80-90 për qind të popullsisë."

Joshka Fischer theksoi se përkrah pavarësinë e Kosovës të tillë siç u shpall, e kufizuar, dhe si pjesë e zgjidhjes rajonale.

I pyetur mbi prospektin e Ballkanit në Bashkimin Europian, më saktësisht çfarë ndikimi mund të kenë vështirësitë aktuale rreth marrëveshjes së Lisbonës në këtë drejtim, Fisher përkujton rëndësinë e inkuadrimit të Ballkanit në BE. "Një nga shqetësimet është se ne (BE-ja) nuk do të mund të përmbushim shpresat rreth prospektit evropian". Fisher nënvizon rrezikun nga përsëritja e konfikteve nëse Ballkani do të mbetej jashtë rrjedhave evropiane. “Unë nuk jam i brengosur për Shqipërinë e madhe”. Ai shton se ai është më i shqetësuar për Maqedoninë, sepse lidhjet tradicionale të Kosovës nuk janë me Shqipërinë, të izoluar për dekada të tëra. “Mes Tetovës në Maqedoni dhe Prishtinës në Kosovë, kufiri ka qenë administrativ dhe nuk ka patur dallime serioze. Pra, sipas mendimit tim, nuk duhet harruar se këtu mund të hasim me probleme nëse nuk mendojmë në nënyrë strategjike dhe veprojmë me mençuri.”

Fisher, nënvizon rëndësinë e perspektivës evropiane për Ballkanin. Perspektiva europiane duhet të jepet. “Unë jam i sigurt për këtë”. Nuk mund të evitohet qendra e destabilizmit të mundshëm në Ballkanin perëndimor, mendon ai. Një shikim në hartë dhe kuptohet rreziku i problemeve të mundshme. “Nuk ka alternativë veçse të lihet dera e hapur dhe të ecim së bashku,” shton mes tjerash ish ministri jashtëm gjerman, Joshka Fisher.


Autor : Kim Bytyçi

Redaktoi : Aida Cama