1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Joshka Fisher tërhiqet nga politika

Hajnc Dylong27 Qershor 2006

Ish-shefi i diplomacisë gjermane heq dorë nga mandati i tij në Bundestag. Largimi i tij shënon fundin e një karriere të shquar politike - dhe një cezurë për të gjelbërit

https://p.dw.com/p/Ar0F
Joshka Fisher
Joshka FisherFotografi: AP

Pa dyshim është një cezurë për të gjelbërit që Joshka Fisher edhe pse vetëm formalisht tërhiqet nga skena politike, heq dorë nga mandati i tij në parlament dhe në të ardhmen në vend se të tërheq vëmendjen e të tjerëve në Berlin angazhohet në një universitet amerikan. Edhe pse mund të supozohet se hija e tij e gjatë do të mjaftonte edhe përtej Atlantikut, Fisher vet nuk krijon përshtypjen se dëshiron një gjë të tillë. Koha aktive në politikë e 58 vjeçarit ka kaluar.

Në fakt Joshka Fisher i ka dhënë vulë të qartë partisë së tij, të gjelbërve gjerman. Ai ishte prijësi i krahut real politik i cili pas konfrontimeve disavjeçare ngadhënjeu ndaj krahut fundamental. Me këtë rast jo gjithherë veprohej me dhimbsuri. Njëkohësisht ai ishte parakushti themelor që të gjelbërit si parti qeveritare arritën në nivelin federal.

Në landin e tij federal, pra në Hessen Fisher arriti të depërtoj në qeveri në një koalicion kuq e gjelbër që në vitin 1985. Ai bëhet ministër i ambientit dhe në këtë mënyrë ministër i parë i gjelbërt. Kundërshtari i bindur i centraleve bërthamore fitoi imazh edhepse Fisher nuk u konsiderua asnjëherë si politikan tipik ekologjik.

Pas kthimit të tij në Bundestag në vitin 1994 ai fitoi edhe njëherë peshë politike si shef i grupimit parlamentar të të gjelbërve. Imazhi se është lojëtar i vërtetë kundërshtar i qeverisë së atëhershme të koalicionit mes Unionit Kristiandemokrat dhe Liberalëve me siguri që ka ndikuar në zbutjen e kritikëve brenda partisë. Ata ishin të pranishëm gjithnjë, miqtë e partisë, të cilëve paraqitjet e Fisherit u dukeshin shumë autokrate. Siç duket pikërisht kjo ka ndikuar që Fisher asnjëherë mos të provoj që të ngjitej në krye të partisë së tij. Dhe me të vërtetë në kongreset e partisë ai filloi të përshendetej me duartrokitje të gjata vetëm pasi arriti postin e ministrit të jashtëm në qeverinë e koalicionit kuq e gjelbër në vitin 1998.

Por edhe në këtë post për të cilin siç duket ishte përpjekur me gjithë shpirt, ai nuk kurseu partinë e tij nga provokimet. Misionet e ushtrisë gjermane jashtë vendit - përfundimisht pjesëmarrja në luftën e Kosovës në vitin 1999 në partinë pacifike konsideroheshin si provokime të këtilla. Por linja e Fisherit arriti të fitoj shumicën. Dhe kështu ka mbetur deri sot.

Ky ndikim shpesh bën që ai të duket si baba i partisë, për largimin e të cilit nuk do të jenë të palumtur të gjithë të gjelbërit. E sigurtë është që partia mund të ekzistoj edhe pa të edhe pse pritet të tregohet se çfarë hije do të hedh ai në të vërtetë përtej Atlantikut.