1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jovanoviç: Ne duhet të marrim parasysh realitetet dhe parimet e një epoke të re

Deutsche Welle30 Nëntor 2005

Në intervistë për gazeten gjermane "Tageszeitung", politikani liberal serb, kryetar i partisë liberale demokratike Çedomir Jovanoviç, pohon se Serbia duhet të jetë e aftë të arrijë një marrëveshje historike me shqiptarët

https://p.dw.com/p/AqsH
Prishtina
PrishtinaFotografi: AP

Gazeta "Tageszeitung" boton sot intervistën me politikanin liberal serb, drejtues i protestave studentore kundër Millosheviçit, Çedomir Jovanoviç. Drejtuesi i Partisë së re liberale demokratike, pohon për Tageszeitung se pavarësia e Kosovës është e përfytyrueshme.

I pyetur se si e sheh ai zgjidhjen e problemit të Kosovës, Jovanoviç shprehet: Në Kosovë ne duhet të marrim parasysh realitetet dhe parimet e një epoke të re. Plani "K2" i partisë liberale demokratike propozon territorin ku vlen parimi i të drejtave të barabarta. Ky plan parasheh që Beogradi të kalojë të drejtën adiministrative tek njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ai me këtë i jep komunitetit shqiptar edhe përgjegjësinë e një shoqërie moderne qytetare, e cila nuk ka ekzistuar më parë në Kosovë. Përveç kësaj ai merr përgjegjësinë t'u mundësojë serbëve të atjeshëm një jetë normale dhe të bëjë të mundur kthimin e refugjatëve serbëve në Kosovë.

Politikani liberal serb, Jovanoviç me tej pohon për gazetën "Tageszeitung", se do të ishtë një katastrofë, po qe se pavarësia e Kosovës do të vinte pas një konflikti, ku nga njëra anë të ishte Beogradi dhe nga ana tjetër Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare. Do të ishte më e përfytyrueshme, po qe se pavarësia e Kosovës do të ishte rezultat i dakordimit mes Beogradit dhe Prishtinës dhe ku serbëve t'u garantoheshin të gjitha të drejtat qytetare.

I pyetur nga Tageszeitung, nëse kërkon guxim pohimi i pavarësisë së Kosovës në Serbi, Jovanoviç pohon: Unë nuk e quaj guxim pohimin e së vërtetës. Rezoluta e qeverisë serbe që refuzon kategorikisht pavarësinë e Kosovës, tregon fundin e negociatave për statusin para se ato të kenë filluar. Në vend të përhapjes së ideologjisë së gjakut dhe truallit, ne duhet të jemi të aftë të arrijmë me shqiptarët një marrëveshje historike.