1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Ju lutemi, mos trokisni!'

Anila Shuka/ Berlin 24 Shkurt 2009

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha përfundoi në Bruksel takimet me përfaqësuesit e troikës evropiane

https://p.dw.com/p/H0WF
Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha
Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim BashaFotografi: Mimoza Dhima

"Shqipëria është e ftuar që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe kjo u konfirmua edhe një herë sot në mënyrë solemne", tha Karel Schwarzenberg, ministri i jashtëm i Çekisë, mbas takimit të tij me ministrin shqiptar të punëve të jashtme Lulëzim Basha, të martën në Bruksel. Por se kur do të lejohet Shqipëria të trokasë në portën e BE-së? Kësaj pyetjeje Schwarzenberg i përgjigjet me një analogji:

"Po të më ftonit në apartamentin tuaj dhe unë do të vija e do t'i bija ziles në momentin kur është prishur rubineti i ujit dhe apartamenti është zhytur në ujë, ju ndoshta nuk do të jeni shumë mikpritës". E tillë është edhe situata aktuale në Bashkimin Evropian, shtoi Schwarzenberg: "Kriza ekonomike e BE-së është si apartamenti i zhytur në ujë."

Shqipëria i ka plotësuar tashmë kushtet formale për aplikim në BE, që kur në fundin e vitit të kaluar Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit u ratifikua nga 27 parlamentet e vendeve anëtare. Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha pati paralajmëruar se Shqipëria do ta dorëzojë kërkesën për kandidaturë qysh në gjashtëmujorin e parë të këtij viti gjatë presidencës çeke. Por se a do të marrë Shqipëria statusin e kandidatit, kjo nuk varet vetëm nga presidenca, tha Lulëzim Basha të martën mbas takimit me të ashtuquajturën "troikë evropiane", ku merrte pjesë edhe ministri i jashtëm suedez, Carl Bildt.

"Momenti i kandidaturës është momenti i regjistrimit dhe për këtë si kjo presidencë, ashtu edhe presidenca e ardhshme na kanë siguruar mbështetjen e plotë. Ne tani po punojmë me zotin Schwarzenberg se si ta realizojmë atë. Por hapi tjetër nuk varet nga presidenca, por nga konsensusi i 27 vendeve, të cilët duhet të japin dritën e gjelbër", tha Basha.

Ngurrimin e Shqipërisë për të mos aplikuar që tani për anëtarësim në BE e pati përshëndetur edhe komisioneri Olli Rehn një ditë më parë, mbas takimit të tij me Bashën. Basha theksoi edhe një herë të martën se Shqipëria është shumë e angazhuar për përmbushjen e standardeve në zgjedhjet e 28 qershorit. "Është e qartë që nga ecuria e zgjedhjeve do të varet edhe çdo hap i mëtejshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së", shtoi ai para gazetarëve.

Në takimin e Bashës me troikën u fol edhe për nevojën e reformave të sistemit juridik dhe ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit, vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe bashkëpunimin ndërrajonal. Për sa i përket prioritetit të politikës së jashtme të Shqipërisë, liberalizimit të vizave, Schwarzenberg ritheksoi parakushtin e BE-së për futjen në përdorim të pasaportave biometrike.

Gjermania mban qendrim të rezervuar ndaj aplikantëve për anëtarësim. Siç bën të ditur ministria e jashtme për programin shqip të Deutsche Welles shkaqet e rezervave kanë të bëjnë si me mospërmbushjen e standardeve nga ana e vendeve aspiruese, ashtu edhe me situtatën aktuale juridike dhe ekonomike në të cilën ndodhet BE-ja. Kjo nuk vlen vetëm për Shqipërinë, por edhe për Bosnjën dhe Serbinë i tha një zëdhënës DW-së.