1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Juristët nuk mund t'i japin zgjidhje ngërçit elektoral në Shqipëri"

Intervistoi Fabian Schmidt20 Dhjetor 2006

Intervistë me Genti Ibrahimin, ekspert i ligjit kushtetues

https://p.dw.com/p/AraF
Tirana
TiranaFotografi: DW

Zoti Ibrahimi, a qëndron pretendimi i opozitës se zgjedhjet do të ishin ilegjitime në rast se do të zhvilloheshin në këto kushte?

Etiketimi i një procesi zgjedhor si legjitim apo si jo legjitim e ka origjinën në disa faktorë. Natyrisht që një faktor i rëndësishëm është respektimi i mandatit kushtetues të të zgjedhurve vendorë, pra në qoftë se thuhet në kushtetutë që këto subjekte zgjidhen për tre vjet, ato duhet të shërbenin vërtet tre vjet dhe natyrisht që ky është një burim i rëndësishëm i legjitimitetit, por po ashtu burime të rëndësishme të legjitimitetit janë edhe respektimi i procesit të parashikuar nga ligji për përgatitjen e listave zgjedhore, po kështu pjesëmarrja në komisionet e zgjedhjeve e anëtarëve të parashikuar nga ligji dhe kështu me radhë. Pra në rastin konkret në rast se ne do të arrinim të gjykonim në lidhje me këto zgjedhje do të thoshim që zgjedhjet vërtet quhen legjitime për sa i përket afatit, ato u bënë në kohën e duhur, por ama ato nuk kanë standtardet e duhura sepse procesi i përgatitjes së listave nuk u realizua siç e parashikon ligji dhe pjesëmarrja në komisionet zgjedhore nuk ishte në mënyrën e parashikuar nga ligji.

Ligji sanksionon pjesëmarrjen e opozitës në komisionet zgjedhore. Cila do të jetë opozita në rast se opozita parlametare nuk regjistrohet për zgjedhjet lokale? A mund të konsiderohen si opozitë partitë e vogla jo të përfshira në koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike?

Natyrisht në një kuptim të gjerë të fjalës opozitë është çdo forcë politike, e cila nuk merr pjesë në koalicionin qeverisës, kështu që në këtë kuptim në rast se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve regjistrohen disa parti që nuk janë pjesë e koalicionit qeverisës, ato do të llogariteshin si opozitë. Por për fat të keq edhe kjo nuk na e zgjidh problemin, sepse gjuha e kodit zgjedhor shqiptar është mjaft specifike, ajo bën fjalë për opozitën parlamentare, pra për ato parti të opozitës që janë të përfaqësuara në parlament. Kështu që në kuptimin e kodit aktual mund të themi me gojën plot që opozita nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, dhe ky nuk është vetëm një problem politik, i tillë kishte për të qenë ndoshta në shumë vende të botës, por në Shqipëri është një problem i plotë juridik, sepse partitë politike sipas kodit tonë kanë një rol formal në procesin zgjedhor, pra nuk janë thjesht aktorë e konkurrentë politikë, por janë edhe menaxhues të procesit zgjedhor. Siç e thatë edhe ju në pyetjen tuaj, partitë politike në Shqipëri janë të supozuara të plotësojnë me anëtarë komisionet zgjedhore dhe në gjysmën e tyre komisionet zgjedhore kanë një shumicë të koalicionit qeverisës dhe në gjysmën tjetër kanë një shumicë të opozitës.

Çfarë do të ndodhte në rast se ato do ta bojkotonin ngritjen e komisioneve zgjedhore në ato zona ku bashkitë dhe komunat kontrollohen nga socialistët?

Teorikisht ato komisione, të cilat përbëhen në shumicën e tyre prej anëtarëve të koalicionit qeverisës do të mund të funksiononin, megjithëse po e përsëris që kjo është vetëm një konsideratë teknike, sepse politikisht zgjedhjet do të ishin të papranueshme edhe në këtë rast; por për t'u kthyer prapë tek kjo konsideratë teknike do të shtoja që edhe teknikisht është e pamundur që komisionet të funksionojnë në ato zona ku shumicën në to e ka opozita

Në rast se socialistët i bojkotojnë zgjedhjet në zonat në fjalë, ka mundësi që qeveria qendrore të ndërmarrë hapa ligjore kundër tyre për arsye të shkeljes së detyrimeve për organizimin e zgjedhjeve lokale? Pra në qoftë se një zyrtar i administratës lokale i ngarkuar me organizimin e zgjedhjeve nuk e kryen detyrën a do të konsiderohej kjo kundërvajtje apo edhe çështje penale?

Në qoftë se vazhdojmë me këto ritme ne juristët e Shqipërisë do të bëhemi më të zotët në botë, sepse vërtet këto janë pyetje pa precedentë kështu që ne na takon të merremi me çështje shumë të vështira. Megjithatë do ta ndaja në dy momente pyetjen tuaj. Ka një rol administrativ në përgatitjen e zgjedhjeve, i cili i takon pushtetit vendor dhe natyrisht që ata që nuk i kryejnë detyrat e tyre në kuadrin e procesit zgjedhor janë personalisht përgjegjës. Por edhe kjo nuk është aq e thjeshtë, sepse ata kryetarë të organeve vendore që kontrollojnë socialistët, të cilët refuzojnë të kryejnë detyrat e tyre për përgatitjen e zgjedhjeve e kanë një argument. Argumenti i tyre është ky, që ju po na kërkoni të ndjekim një proces, i cili nuk parashikohet në ligj. Ata thonë që ne preferojmë të lexojmë ligjin, gërmën e ligjit dhe jo udhëzimin e ministrit të brendshëm. Pra edhe në këtë rast është e vështirë të gjykosh.

Nga ana tjetër komponenti i dytë është pjesëmarrja e përfaqësuesve të partive politike në misionet zgjedhore. Në këtë rast përgjegjësia është e partisdë politike, në rast se partia politike nuk dërgon përfaqësuesit e vet në komisionet zgjedhore atëherë përgjegjësia është e partisë, pra është e një personi juridik, dhe në këtë rast problemi i evidentimit të përgjegjësisë dhe aq më tepër ndëshkimit është akoma më problematik. Unë sinqerisht nuk e di se si mund të veprohet në një rast të tillë, pra që të ndëshkohet një parti politike sepse ajo nuk zbaton një detyrë të parashikuar për të në kodin zgjedhor për të caktuar përfaqësues në komisionet zgjedhore.

Kjo do të thoshte për Komisionin Qendror Zgjedhor se ai gjendet përpara një dileme të madhe, sepse çfarëdo që të bëjnë është i bie ndesh ligjit. Nëse ata vazhdojnë dhe i organizojnë zgjedhjet lokale kjo mund të shihet si anti-kushtetuese dhe në rast se ata nuk e bëjnë këtë gjithashtu veprojnë juridikisht gabim. A nuk është kjo e tepër e vështirë për t'u kapërdirë nga pikëpamja juridike?

Më shumë sesa e vështirë është e pamundur, po ky është bataku ku e sjell gjithë shoqërinë një klasë politike e paprinciptë, joprofesionale dhe mund të vazhdoj shumë gjatë me listën e epiteteve duke rrezikuar edhe të humbas etikën, kështu që po qëndroj këtu. Pra ne sot paguajmë kusuret e një klase politike të pareformuar, me një mentalitet të dekadave të shkuara që vazhdon të na qeverisë. Juristët nuk i japin dot zgjidhje këtij problemi, problemi është politik dhe zgjidhja në thelb në fund të fundit do të mbetet politike.

Cila është zgjidhja më e mundshme dhe më e arsyeshme sipas jush?

Edhe kjo është pyetje e vështirë, sepse ajo që është e arsyeshme për dikë mund të mos jetë e arsyeshme për një tjetër, por megjithatë duke pasur parasysh politizimin e thellë, jo vetëm të procesit zgjedhor por edhe të strukturës zgjedhore në Shqipëri, i kthehem asaj që thashë pak më parë që zgjidhja mund të jetë vetëm politike, pra një konsensus i momentit të fundit midis palëve për të bërë ndryshime në kodin zgjedhor, ndryshime që do të parashikonin afate të pranueshme për përgatitjen e listave dhe jo vetëm kaq por edhe që presidenti i Republikës ta merrte parasysh konsensusin e partive dhe të dekretonte një datë tjetër; sepse nuk ka ndonjë çudi që presidenti të thotë: ju merruni vesh sa të doni unë nuk e ndryshoj dekretin tim. Pra janë dy faktorë: konsensusi midis palëve dhe fleksibiliteti i presidentit të republikës për të ndryshuar datën e zgjedhjeve.