1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohen hetime për fluturimet e fshehta të CIA-s në Evropë

Cai Rienäcker25 Nëntor 2005

Në fillim të kësaj jave, ministrat e jashtëm të BE ranë dakord të kërkojnë nga qeveria amerikane informacion për aktivitetin e CIA-s në Evropë. Këshilli i Evropës ka nisur një hetim zyrtar për këtë çështje.

https://p.dw.com/p/AqsT
Avion i CIA-s në Rumani, shkurt 2003
Avion i CIA-s në Rumani, shkurt 2003Fotografi: AP

Këshilli i Evropës ka vendosur të kryejë hetime për burgje eventuale ilegale të shërbimit të fshehtë amerikan CIA në Evropë. Kjo del nga një raport i sotëm i deputetit liberal zviceran Dick Marty.

Më parë, sekretari i përgjithshëm i KE, Terry Davis, përgjithësisht i kujdessshëm, vendosi të shfrytëzojë një instrument që është përdorur shumë rrallë. Ai shfrytëzoi një nen të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për të kërkuar nga shtetet anëtare informacione për faktin nëse të dyshuar për terrroristë mbahen në mënyrë të paligjshme në shtetet evropiane.

Zëdhënësi i Këshillit të Evropës, Matias Gruden: "Shkaku se pse ai vendosi të shfrytëzojë të drejtat e tij sipas nenit 52 të Konventës, ishte shtimi i informacioneve për arrestime ilegale dhe për fluturime, me të cilat transportoheshin persona, të arrestuar në rrethana ilegale."

Në letrën e tij drejtuar 45 shteteve nënshkruese të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, sekretari i përgjithshëm i KE kërkoi të dhëna për aktivitete të mundshme të shërbimeve të fshehta që prej vitit 2002. CIA nuk përmendet direkt. Por në një organ tjetër të KE puna ka ecur një hap më tej.

Asambleja Parlamentare e KE ka nisur tashmë hetime konkrete, nën drejtimin e liberalit zviceran Dick Marty. Günter Shirmer, nga sekretariati i komisionit juridik e ka përgatitur dokumentin: "Ka një sërë avionësh që mendohet të jenë përdorur për synime të CIA-s në të kaluarën. Ne do të donim të verifikonim ku dhe kur janë ulur këta avionë në Evropë, për të krijuar ndoshta një model të lëvizjeve të fluturimit."

Ndoshta bëhet fjalë për shoqëri shumë të vogla fluturimesh, kontakti i të cilave me CIA-n është i njohur. Lëvizjet e tyre në hapësirën ajrore evropiane vëzhgohen nga Organizata e Vëzhgimit e BE, Eurocontrol. Së bashku me informacionet e organizatave të të drejtave të njeriut për nisjen e transporteve të të burgosurve si për shembull nga Kabuli në Afganistan mund të mblidhen indikacione të rëndësishme.

Të dhëna për burgjet ilegale në Poloni ose në Rumani mund të verifikohen për vitet e fundit me pamje të qendrës satelitore evropiane në Torrejon të Spanjës.

Edhe BE ka kërkuar sqarim nga SHBA. Por BE-së i mungojnë mjetet kontraktore për të nisur një hetim për të drejtat e njeriut. Komisari i drejtësisë i BE, Frattini përshëndeti nga ky shkak shprehimisht mënyrën e veprimit të Këshillit të Evropës, si instancë e të drejtave të njeriut në Evropë. Organizata e Strasburgut është e interesuar në radhë të parë që t'i ndalojë në të ardhmen shpërdorime të tilla.