1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet riaktivizimi i projektit për korridorin 8

Viron Gjymshana/Bruksel19 Shkurt 2004
https://p.dw.com/p/ArIK
Fotografi: AP
Komisioni i Transporteve i Parlamentit Europian aprovoi këto ditë një amendament të eurodeputetit italian, Vinçenzo Lavarra, për rivënien e Korridorit 8 në listën e projekteve me rëndësi përparësore në rrjetin infrastrukturor të BE-së.

Eurodeputeti italian pohon gjatë një interviste për «Deutsche Welle-n» se heqja e këtij korridori nga projektet me rëndësi parësore të BE-së bie në kundërshtim me politikën e integrimit të këtij rajoni në Bashkimin Europian. Prandaj Komisioni i Transporteve do të kërkojë që menjëherë porsa ky amendament të aprovohet në seancë plenare nga Parlamenti Europian ai t’i paraqitet Këshillit të Ministrave të BE-së për tu marrë në shqyrtim.

Gjashtë muaj më parë Komisionerja e Bashkimit Europian, Loyla del Palaçio si dhe ish – komisioneri Karel van Miert njoftuan publikisht se Korridori 8, që duhej të bashkonte portin e Durrësit me atë të Varnës në Detin e Zi, ishte hequr përfundimisht nga lista e projekteve të infrastrukturës paneuropiane që do të duhet të ndërtohen deri në vitin 2020. Dhe pikërisht kur mendohej se ky projekt ishte varrosur një herë e mirë, një rreze shprese vjen përsëri nga Brukseli.

Komisioni i transporteve i Parlamentit Europian ka aprovuar këto ditë një amendament të propozuar nga eurodeputeti italian Vinçenzo Lavarra për ripërfshirjen e këtij korridori në projektet përparësorë të Bashkimit Europian.

Duke spjeguar përmbajtjen e këtij amendamenti eurodeputeti Lavarro pohon për « Dojçe Velen » se…. heqja e këtij korridori nga projektet përparësore të BE-së bie në kundërshtim me politikën e Bashkimit Europian ndaj rajonit ballkanik. Nga njëra anë BE-ja deklaron se zgjerimi i Bashkimit Europian do të përfundojë vetëm pas përfshirjes në të edhe të vendeve ballkanike dhe nga ana tjetër nuk punon për të përshpejtuar këtë integrim, - thotë ai. Kjo është edhe arsyeja që Komisioni i Transporteve i BE-së aprovoi këto ditë amendamentin që kërkon përfshirjen e Korridorit 8 në projeket me rëndësi përparësore në rrjetin infrastrukturor të BE-së. Lavarra shton se në rast se edhe Parlamenti Europian e mbështet këtë iniciativë, atëhere edhe Këshilli i Ministrave i BE-së do të detyrohet të marrë parasysh këtë propozim dhe ta shqyrtojë atë në takimin e ministrave të transportit të vendeve të 15 –shes.

Si përfundim mund të thuhet se Korridori 8 doli nga harresa ku ishte lënë, por deri në përfshirjen e tij edhe një herë në projektet e BE-së ka shumë pengesa që duhen kapërcyer.