1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet sqarimi i incidentit në Mitrovicë

2 Korrik 2010

Udhëheqësit kosovarë e dënojnë ashpër shpërthimin e sotëm në Mitrovicë, ku për pasojë një person humbi jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën. Ata kërkojnë nga organet e rendit që urgjentisht ta ndriçojnë këtë akt.

https://p.dw.com/p/O9RU
Ura mbi Lumin Ibër
Ura mbi Lumin IbërFotografi: Filip Slavkovic

Zyrtarë të policisë së Kosovës thonë se në bazë të hetimeve të para, shpërthimi i granatës së dorës në turmën e protestuesve serbë në veri të Mitrovicës ka ardhur nga brenda turmës. Policia nuk i njeh akoma autorët e shpërthimit, si pasojë e të cilit një person humbi jetën nga plagët dhe 10 të tjerë u plagosën. Udhëheqësit politikë kosovarë duke e dënuar shpërthimin në Mitrovicë u kërkojnë autoriteteve të rendit që urgjentisht të ndriçojnë këtë akt dhe fajtorët t'i nxjerrin përpara drejtësisë.

Serbët kundërshtonin hapjen e një zyre të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu thotë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për krijimin e një mjedisi paqësor, stabil dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim përkatësie etnike. Në një deklaratë të shkruar, ai thotë se dhuna cënon interesat e qytetarëve të Kosovës. Shpërthimi në Mitrovicë, ndodhi gjatë një proteste të serbëve, të cilët kundërshtonin hapjen e një zyre të qeverisë së Kosovës për regjistra civilë. Kryeministri, Hashim Thaçi, thotë se kjo zyrë ofron shërbime për të gjitha komunitet dhe nuk duhet ta pengojë askënd.

“Kjo zyrë u shërben të gjithë qytetarëve, që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës dhe ajo nuk paraqet asnjë rrezik për askënd. Qeveria është e përkushtuar që t'u sigurojë shërbime të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim përkatësie etnike. Unë i ftoj qytetarët që të përmbahen nga veprimet e dhunshme, të rrinë të qetë dhe pakënaqësitë eventuale t'i shprehin përmes formave demokratike”, thotë kryeministri Thaçi.

Serbia do të kërkojë reagimin e organizmave ndërkombëtare

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Boris Tadiç incidentin e sotëm në Mitrovicë e ka cilësuar provokim për paqen dhe Serbinë. Sipas mediave serbe ai ka thënë se Beogradi nuk do të veprojë ndaj provokimeve, por do të kërkojë reagimin e të gjitha organizmave ndërkombëtare.

Gjendja në Mitrovicë sipas organeve të rendit tash paraqitet e qetë, ndërkohë, forca të shtuara të policisë dhe KFOR-it janë vendosur në urën qëndrore mbi lumin Ibër, që ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Reagoi: Auron Dodi