1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet zgjidhje e grindjes për Qipron

Bernd Riegert8 Dhjetor 2006

Në prag të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së të hënën më 11 dhjetornë Bruksel. Në qendër të konsultimeve është grindja për çështjen e Qipros dhe strategjia e BE-së për zgjerimin

https://p.dw.com/p/Ar9S
ushtar turk në kufirin me Qipron greke
ushtar turk në kufirin me Qipron grekeFotografi: AP

"Unë besoj vetëm pasi ta shoh vet anijen e parë qipriote që të ankorohet në një port të Turqisë." Me këto fjalë i komentoi një diplomat i BE-së ec e jaket lidhur me lëshimet e Turqisë në grindjen mbi Qipron. Deri tani - në radhët e ambasadorëve të BE-së në Bruksel dëgjohej të thohet se nuk ka asnjë ofertë të qartë të formuluar me shkrim nga ana e qeverisë turke për hapjen e një porti dhe aeroporti për Qipron, antare e BE-së.

Ndaj ambasadorët e BE-së në mbledhjen e jashtëzakonshme në Bruksel të premten më 8 dhjetor u morrën fare shkurt me temën e Turqisë duke iu përkushtuar çështjeve të mbetura pa shqyrtuar nga dita e mëparshme. Ndoshta në fundjavë qeveria turke do të paraqesë ndonjë shkresë, u tha prej këshillit të ambasadorëve, gjë që do t´i detyrojë ata të mblidhen sërish të djelën më 10 dhjetor.

Të hënën ministrat e jashtëm të unionit duan të konsultohen mbi propozimin e Komisionit të BE-së për prezullimin përkohësisht të bisedimeve të antarësimit me Turqinë. Turqia siç duket me manovrimin e saj donte ta parandalonte këtë vendim.

Presidenti finlandez i radhës i këshillit të BE-së Mati Vanhanen tha, se lëshimet e fundit të Turqisë nuk ishin të mjaftueshme: "Nga perspektiva e BE-së është shumë e qartë, që Turqia duhet të përmbushë detyrimet e saj. Ne analizojmë situatën dhe e vërteta është, se Turqia nuk i përmbush këto detyrime. Ndaj ne kemi arritur tani në pikën, që duhet të vendosim për ecurinë e bisedimeve të antarësimit."

Ministria e jashtme qipriote sërish tërhoqi vëmendjen, se Turqia me marrëveshje është e detyruar të hapë deri në fund të vitit të gjitha portet dhe aeroportet për të gjithë antarët e BE-së. Qeveria e pjesës greke të Qipros e hedh poshtë kushtin e palës turke për hapjen së paku të një porti, që do t´i jepte fund pengesës ekonomike të pjesës veriore të Qipros.

Lidhur me propozimin e Komisionit të BE-së, për ngadalësimin e bisedimeve të antarësimit me Turqinë, mendimet në radhët e antarëve të BE-së janë larg njëri-tjetrit. Pothuajse dy grupe të vendeve antare me madhësi të njëjtë kanë pozicione të ndryshme, sipas kryeministrit finlandez Mati Vanhanen: "Në radhët e vendeve antare mendimet janë të ndryshme. Disa thonë, se duan një qëndrim më të ashpër, nga sa propozon komisioni. Të tjerë thonë, se ne duhet të pezullojmë më pak pjesë të bisedimeve nga sa propozon komisioni."

Nëse ministrat e jashtëm do të bien dakord të hënën kjo është e pasigurt.

Kancelarja Angela Merkel, e cila në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm do të jetë kryetare e radhës së këshillit të BE-së, personalisht e refuzon antarësimin e plotë të Turqisë në BE. Ajo bashkë me presidentin e Francës, Zhak Shirak, propozoi, që gjatë 18 muajve të ardhshëm edhe një herë të verifikohet, nëse duhet të vazhdojnë ose të ndërpriten tërësisht bisedimet e antarësimit me Turqinë.

Sipas diplomatëve të BE-së Turqia ia ka arritur që me gatishmërinë verbale të shprehur së fundi të sinjalizojë lëvizje, por në Bruksel nuk preferohet që rendi i ditës së samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive javën e ardhshme të imponohet. Oferta për kompromis e presidencës finlandeze, që Turqia deri tani e ka hedhur poshtë me insistim, prej muajsh është e parashtruar në tryezë. Lëvizja e shahut në minutën e fundit në Bruksel nuk lë përshtypje të mirë.

Në takimin e së hënës ministrat e jashtëm do të shqyrtojnë edhe çështjen e zgjerimit në përgjithësi. Në këtë drejtim grinden kampet e njohura. Një grup shtetesh si Britania e Madhe dhe antarët evropiano-lindorë mendojnë, se zgjerimi duhet të vazhdojë edhe përtej Ballkanit. Grupi i dytë përreth Francës frenon.

Fillimisht duhet të përmirësohet aftësia integruese e antarëve të rinj në BE. Thellim dhe zgjerim. Pranimi i Ukrainës apo Moldavisë as që shtrohet për diskutim. Unanimitet ka lidhur me premtimet e bëra për shtetet e Ballkanit. Të gjithë këto vende dikur sipas përparimit që do të kenë duhet të pranohen në klub. Të hënën do të hyjnë në një fazë të re bisedimet e antarësimit me Kroacinë. Do të hapet kësisoj kapitulli i bisedimeve mbi arsimin dhe edukimin. Bisedimet me Kroacinë, që nisën përpara një viti bashkë me bisedimet për Turqinë praktkisht po kushtëzohen prej këtyre të fundit. Kroacia shpreson të antarësohet në BE brenda këtij dhjetëvjeçari.