1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europarat

10 Gusht 2009

Më 10 gusht para 60 vjetësh u mblodh në Strasburg në seancën konstitutive Asambleja këshilluese e Këshillit të Evropës. K_ështu filloi punën një ndër organizatat e para evropiane të pasluftës, sot me 47 shtete anëtare

https://p.dw.com/p/J6sP
Nënshkrimi i statuteve themeluese të Këshillit të Evropës, Paris 1949´. Ne foto: salla e orëve e Ministrise së Jashtme Franceze me përfaqesues te 10 shteteve themeluese te KE
Nënshkrimi i statuteve themeluese të Këshillit të Evropës, Paris 1949Fotografi: ullstein bild

Nën drejtimin e Çërçillit përfaqësues nga 16 vende skicuan projektin e një bashkimi evropian

Në maj 1948, nën drejtimin e Çërçillit u mblodhën në Hagë për një kongres evropian, përfaqësues nga 16 vende për të skicuar projektin e një bashkimi evropian. Qëllimi: krijimi i një bashkësie evropiane, i një mbledhjeje konsultative dhe një Gjykate Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një vit më vonë, në maj 1949, u themelua në Londër Këshilli i Evropës. Ndër shtetet nënshkruese bënin pjesë Belgjika, Danimarka, Franca, Britania e Madhe, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Suedia.

10 gusht 1949: në Strasburg hapet seanca e parë e Asamblesë Konsultative të Këshillit të Evropës

Francezi Edouard Herriot hapi më 10 gusht 1949 në Universitetin e Strasburgut seancën e parë të Asamblesë Konsultative të KE-së. Diplomati belg Paul Henri Spaak u zgjodh njëzëri si president i parë i kësaj asambleje. Spaak konsiderohej si një ndër arkitektët e bashkëpunimit evropian dhe transatlantik.

Uinston Çërçill merr pjesë si delegat britanik në një mbledhje të KE, Strasburg 1949
Uinston Çërçill merr pjesë si delegat britanik në një mbledhje të KE, Strasburg 1949Fotografi: ullstein bild - dpa

Përveç asamblesë konsultative, organi i dytë qendror i Këshillit të Evropës është Këshilli i Ministrave. Në të dërgohen si rregull ministrat e Jashtëm të secilit vend. Kryesia e Këshillit të Ministrave ndryshon në çdo gjashtë muaj. Aktualisht atë e kryeson Sllovenia.

Këshilli i Evropës mbështet të drejtat e njeriut, demokracinë pluraliste dhe shtetin juridik

Këshilli i Evropës kishte që në fillim detyrën që të nxiste bashkëpunimin evropian dhe sikurse thuhet në kartën e themelimit ai drejtohet prej "idealeve dhe parimeve të përbashkëta të bashkësisë së popujve evropianë." Ndër to bëjnë pjesë në radhë të parë bashkëekzistenca paqësore, mbështetja e të drejtave të njeriut, demokracia pluraliste dhe shteti i së drejtës.

Si institucioni i parë mbarëevropian, Këshilli i Evropës u konceptua si instrument për përpilimin e marrëveshjeve të përbashkëta në sektorët ekonomikë, ligjorë, socialë dhe kulturorë, si një platformë evropiane për shkëmbimin e mendimeve. Pikërëndesa e punës së Këshillit të Evropës është sot në fushën e të drejtave të njeriut dhe nxitjen e proceseve të demokratizimit.

Këshilli i Evropës në Strasburg. Ne foto: pamje nga jashte e nderteses se KE në Strasburg
Këshilli i Evropës në StrasburgFotografi: picture-alliance/ dpa


KE u bë pas përfundimit të konfliktit Lindje-Perëndim një forum evropian gjithëpërfshirës

Këshilli i Evropës ishte motori i Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, nënshkruar në nëntor 1950. KE duhet të përcaktonte gjithashtu edhe direktivat për një Evropë demokratike. Fillimisht një klub ekskluziv i demokracive evropiano-perëndimore, KE u bë pas përfundimit të konfliktit Lindje-Perëndim një forum evropian gjithëpërfshirës, në të cilin bëjnë pjesë të gjitha shtetet evropiane, me përjashtim të Bjellorusisë. Në KE kanë statusin e vëzhguesit edhe disa shtete jo-evropiane si Izraeli, Meksika dhe SHBA.

Themelimi i KE para 60 vjetësh u bë me nismën e SHBA. Deri sot rëndësia e KE qëndron para së gjithash në strukturën e tij që përfshin të gjithë kontinentin. Kështu edhe pse ende deri sot jo anëtare e BE-së, Turqia është që në vitin 1949 anëtare e KE.

Pa Këshillin e Evropës lëvizja për bashkimin e Evropës as që mund të çohej nëpër mend

Këshilli i Evropës përdor të njëjtin flamur dhe himn si BE-ja - por de facto është BE- ai që i ka marrë ato prej Këshillit të Evropës. Por këto institucione nuk punojnë institucionalisht së bashku.

Këshilli i Evropës ka bashkëpunuar në ndryshimin e statusit të vendit të pushtuar për Gjermaninë

Pa Këshillin e Evropës lëvizja për bashkimin e Evropës as që mund të çohej nëpër mend. Një funksion tjetër i dikurshëm i kësaj organizate qe lidhja dhe afrimi i Gjermanisë në rendin evropian të pasluftës. Kështu

Këshilli i Evropës ka bashkëpunuar në ndryshimin e statusit të vendit të pushtuar për Gjermaninë. Njëkohësisht ai i ofroi Republikës Federale Gjermane, ende të re në moshë, një forum të parë ndërkombëtar. Aktualisht Këshilli i Evropës përfshin 47 vende. Anëtari më i ri është Republika e Malit të Zi.

Autor: Daniel Sheshkevic/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi