1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Evropës: udhëheqësit kosovarë të zbatojnë Planin për Implementimin e Standarteve për Kosovën dhe decentralizimin

AURON DODI / Strasburg29 Prill 2004

Në rezolutën e miratuar dhe në debatin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u kërkua më tej pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në procesin politik dhe institucione

https://p.dw.com/p/AqvI
Salla e debateve në Këshillin e Evropës
Salla e debateve në Këshillin e EvropësFotografi: AP

Për më shumë se dy orë europarlamentarët e Këshillit të Evropës u përpoqën në Strasburg të gjejnë shpjegime për ngjarjet e marsit në Kosovë dhe të propozojnë hapa që do të pamundësonin përsëritjen e ngjarjeve të tilla. Në emër të Komitetit Politik të Këshillit të Evropës, eurodeputeti britanik Toni Lloyd kërkoi dënimin e atyre që organizuan dhunën:

“Ne të gjithë duhet të jemi të shokuar nga ajo që ndodhi, ne duhet të dënojmë njëkohësisht ata që e nxitën dhunën, por edhe ata që dështuan ta ndalojnë dhunën”, tha Lloyd.

Incidentet fillestare me fëmijët nuk u ndaluan nga politikanët lokalë të shndërrohen në ngjarjet e 17 dhe 18 marsit, tha ai. Por Toni Lloyd tha se puna nuk duhet të jetë vetëm zbulimi i dorasve, por edhe pranimi I përgjegjësive nga të gjithë. Ai kërkoi që vështrimi të mbahet tani përpara dhe të krijohen kushtet që të kthehen jo vetëm 4 mijë të ikurit së fundi, por edhe të gjithë të zhvendosurit nga Kosova.

Përfaqësuesi i Komisionit Juridik të Këshillit të Evropës, eurodeputeti rumun Ionel Olteanu tha se në Kosovë përsa I përket ligjeve dhe së drejtës sundon anarkia. Sistemi I deritashëm juridik i Kosovës nuk e justifikon veten. Tek popullata në Kosovë duhet të zgjohet besimi te drejtësia, tha eurodeputeti rumun. Ne ngulim këmbë për të drejtën e komuniteteve për drejtësi dhe dialog tha Olteanu.

Në fjalën e tij, kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Harri Holkeri paraqiti me shifra dëmet e shkaktuara nga trazirat në Kosovë. Numri prej mbi 4 mijë personash të zhvendosur në mars është më i madh se numri i personave të kthyer në 2003 në Kosovë tha ai:

„Ne jemi megjithatë të ndërgjegjshëm se dhuna ishte kryesisht rezultat e synimeve të ekstremistëve, të cilët nuk përfaqësojnë popullin e Kosovës. Krimet do të dënohen,“

tha më tej Holkeri, i cili shtoi se ky është një moment kyc për Kosovën. Holkeri deklaroi se pas trazirave janë arrestuar 260 vetë dhe dje është arrestuar njëri nga liderët që qëndron pas trazirave. Izolime të tilla kanë rëndësi, në mënyrë që organizatorët e trazirave të mos brohoriten si heronj nga popullata. Për këtë ekziston mbështetja e shumicës së popullatës së moderuar të Kosovës, tha ai.

Analiza e Harri Holkerit para Asamblesë nuk përmbante nota autokritike për vetë punën e UNMIK-ut. Në konferencën e shtypit pas debatit Holkeri deklaroi se UNMIK-u nuk kishte informata për atë që po përgatitej në Kosovë, dhe se ata që i patën nuk ia ofruan UNMIK-ut. Si sfidat kryesore para punës së tij, Holkeri përmendi:

„ Sfidat kryesore tani janë vënia para drejtësisë e përgjegjësve, ripajtimi, rindërtimi dhe rimarkimi i proceseve politike që vazhdonin para trazirave. Procesi i rindërtimit është themeli i procesit të ripajtimit që duhet të jetë i qëndrueshëm,“ tha Holkeri. Serbëve të Kosovës ai u kërkoi të ribashkohen me institucionet dhe të marrin pjesë në procesin politik. Zgjedhjet e 23 tetorit tani rezultojnë më të vështira përsa i përket ripajtimit, ndaj Holkeri kërkoi mbështetje ndërkombëtare të mëtejshme.

Ish-presidenti i Asamblesë Parlamentare të KE, lordi britanik Rasëll Xhohnston tha se shqiptarët nuk duhet të harrojnë se ne i cliruam nga serbët, jo për të ndërmarrë revansh ndaj tyre dhe të tjerëve. Më shumë se studimi i arsyeve për atë që ka ndodhur dhe për dështimin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, e rëndësishme është të punohet në drejtim të statusit final të Kosovës, tha Xhonston.

Deputetët serbë në KE thanë se në Kosovë kemi spastrim etnik të pastër. „A ka ndonjë popull në Evropë që kur është i pakënaqur me shtetin ku jeton lejohet të formojë një shtet të ri,“ pyeti kryetari i delegacionit serb në KE, Zoran Sami. Deputeti i Partisë Radikale Serbe,Tomislav Nikolic, ( i rikthyer si përfaqësues i vendit të tij në KE, pas pezullimit në krye të javës nga Asambleja) tha se fajin për atë që ndodhi në Kosovë e ka administrata e Holkerit. Në ndërhyrjen e tyre, disa eurodeputetë serbë të Bosnjës paralajmëruan që Kosova duhet të jetojë e kantonizuar në entitete, si Bosnja. Përndryshe, edhe ata do të kërkojnë të drejta të tjera.

Ndërsa deputeti nga Shqipëria, Taulant Dedja kërkoi që situata në Kosovë të shihet jo me pesimizëm. "Unë jam për shpalljen të pavarur të Kosovës", tha deputeti socialist shqiptar, vullnet që është shprehur nga kosovarët.

Asambleja e miratoi pa ndryshime esenciale projektrezolutën për Kosovën, me të cilën ju kemi njohur.