1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Ka shumë rezoluta të OKB-së që nuk janë zbatuar”

Anila Shuka10 Prill 2007

Intervistë me Joseph Marko-n, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe drejtues i Qendrës Kompetente për Evropën Juglindore në Gracë të Austrisë

https://p.dw.com/p/ArWg
Takim për të ardhmen e Kosovës, Vjenë
Takim për të ardhmen e Kosovës, VjenëFotografi: AP

Deutsche Welle: Këshilli i Sigurimit po diskuton aktualisht planin e Ahtisaarit. Cili është mendimi juaj për propozimin e tij?

Joseph Marko: Plani i Ahtisaarit parë në aspektin e të drejtës ndërkombëtare është një përpjekje për të bërë të mundshme të pamundurën: ai kërkon të gjejë zgjidhje juridike mes pavarësisë së plotë, siç kërkohet nga pala kosovare dhe këmbënguljes së serbëve në tërësinë territoriale të Serbisë. Ishte një punë e vështirë dhe pavarësia e kushtëzuar që sugjerohet në plan është mesi i artë.

Deutsche Welle: Pra, sipas Jush, ky propozim është i arritur…

Joseph Marko: Se a është një propozim i arritur kjo do të tregohet në muajt dhe vitet e ardhshme: se a do të ndërtohen me të vërtetë mbi bazën e këtij plani dhe të masave të tjera të parapara në të struktura ligjore funksionuese dhe një ekonomi funksionuese. Sidoqoftë nuk ka tjetër rrugëdalje.

Deutsche Welle:
Deri tani shqiptarët janë ankuar që u kanë munguar kompetencat. Por edhe sipas planit të Ahtisaarit ku parashikohet një përfaqësues i lartë i BE-së qeveria dhe parlamenti nuk do të kenë të drejta të plota sovraniteti…

Joseph Marko: Është e vërtetë që administratori i ardhshëm ndërkombëtar do të ketë të drejtë të ndikojë mbi ligjvënien, por e rëndësishme është që administrata ndërkombëtare nuk do ta përcaktojë më politikën e përditshme, siç e bënte UNMIK-u deri më tani. Paskëtaj funksioni i saj do të jetë me karakter mbikëqyrës.

Deutsche Welle: Në rast se Rusia do të vendosë veton ose do ta shtyjë procesin deri në pafundësi, a ekziston një shans që të vazhdohet më tej, pa e zëvendësuar
rezolutën 1244?

Joseph Marko: Një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit do të ishte një përligjje shtesë e shumë e dobishme për realizimin e planit të Ahtisaarit në aspektin e së drejtës ndërkombëtare. Por edhe pa këtë vendim të Këshillit të Sigurimit, pavarësia e kushtëzuar e Kosovës mund të njihet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare në planin bilateral, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo vendet anëtare të BE-së. Ky do të ishte procesi i legalizimit të pavarësisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sigurisht që varet nga raportet pushtetare në politikën ndërkombëtare, se sa mund të pranohet kjo nga Rusia dhe nga vendet e tjera të
përfaqësuara në Këshillin e Sigurimit dhe se a do të shkaktonte kjo trazira të reja në Kosovë."


Deutsche Welle: A nuk do të duhej të zëvendësohej rezoluta 1244 për të përfunduar misionin e OKB-së, e për të vazhduar me misionin e BE-së?

Joseph Marko: Mandati i UNMIK-ut ka përfunduar. Ka shumë rezoluta të Këshillit të Sigurimit që nuk janë zbatuar asnjëherë nga palët kundërshtare dhe që për shkak të fakteve të reja ose rezolutave të reja bëhen të pavlefshme. Që misioni i ri i BE-së të vazhdojë në Kosovë, është parakusht që Bashkimi Evropian, ose të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian ta zbatojnë planin e Ahtisaarit në aspektin e së drejtës ndërkombëtare.


Deutsche Welle: A do të mund të funksiononte si duhej ky shtet i ri që do të përballej qysh në krijim me vështirësitë e legalizimit?

Josep Marko: Njohja në planin bilateral është një variant i rrezikshëm që nuk përjashton mundësinë që disa parti politike në Kosovë të mobilizojnë popullsinë
për të provokuar eksode të reja ose që të tjerë të kërkojnë ndarjen e zonës në veri të lumit Ibër, pra, të Veriut të Kosovës.

Deutsche Welle: Ish ministri i jashtëm Svilanoviç ka shprehur para disa kohësh mundësinë e zhvendosjes së kufijve brenda Kosovës. A e shikoni ju këtë një opsion real?

Joseph Marko: Ndryshimi i kufijve në Ballkan deri tani ka përfunduar me konflikte të përgjakshme. Ndryshime kufijsh nuk mund të ketë vetëm me negociata. Por unë mendoj se ndryshimet e kufijve nuk i zgjidhin problemet, sepse nuk ka rëndësi, se ku është kufiri, por se si është standardi i njerëzve që jetojnë aty.

Deutsche Welle: A nuk është pikërisht plani i Ahtisaarit që kërkon ndryshimin e kufijve?

Joseph Marko: Ky vendim i Ahtisaarit nuk do të ndryshojë ndonjë kufi ekzistues, por do të transformojë një kufi deri tani të brendshëm administrativ, në një ndërkombëtar, ashtu siç ndodhi edhe mbas prishjes së Bashkimit Sovjetik, ndarjes së Çekosllovakisë dhe prishjes së Jugosllavisë.

Deutsche Welle: Ekziston këtu një ndryshim, sepse vendi përgjegjës nuk e pranon ndarjen...

Joseph Marko: As Milosheviçi nuk donte ta pranonte prishjen e Jugosllavisë.

Deutsche Welle: Por, pikërisht ky është argumenti i qeverisë së sotme serbe, Milosheviçi ishte dikush që nuk donte të bashkëpunonte me perëndimin. Marko: Këtu nuk shtrohet pyetja se si kooperon dikush me perëndimin. Në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare shtrohet pyetja se si sillet një regjim me popullin e tij. Në aspektin politik qeveria e Koshtunicës nuk ka dallim nga regjimi i Milosheviçit. Popullsia shqiptare në Kosovë ka qenë e përjashtuar nga zgjedhjet, ka qenë e përjashtuar nga referendumi për kushtetutën e re serbe dhe është diskriminuar edhe më tej në shtetin e sotëm demokrat serb.

Deutsche Welle: A mund të shërbejë Kosova si rast precedent për rajone të tjera?

Joseph Marko: Kosova mund të shërbejë si rast precedent, megjithëse duhet shtruar pyetja se në ç'aspekt? Njëri prej varianteve të mundshme është, kur një grup etnik ndahet nga një shtet demokratik dhe krijon një shtet të ri. Ky do të ishte një interpretim i mundshëm, që do të kishte pasoja ndaj shteteve të Evropës Perëndimore, në mënyrë të veçantë ndaj Spanjës, por edhe ndaj Britanisë së
Madhe, ndaj konfliktit të Irlandës së Veriut. Në anën tjetër, ekzistojnë edhe të ashtuquajturat "konflikte të ngrira", si për shembull, Trans-Dnjestri në Moldavi, Nagorni Karabak dhe zona të tjera në Kaukazin e Veriut, ku gjithashtu pala ruse kërkon pavarësinë e plotë të tyre. Unë mendoj se Kosova nuk është rast precedent as për Evropën Perëndimore e as për Kaukazin Veriut, me përjashtim të Çeçenisë, sepse historia e shtypjes deri në përpjekjet për gjenocid në Kosovë tregon qartë se shqiptarët e Kosovës kanë përdorur të drejtën për vetëvendosje mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, meqenëse ata kanë qenë të përjashtuar nga çdo lloj ndikimi në procesin e vendimmarrjes politike, si në periudhën e Milosheviçit, ashtu edhe në atë të Koshtunicës. Historia ka treguar qartë që në këtë rast e drejta e vetëmbrojtjes është zbatuar përmes të drejtës për vetëvendosje, si ultima ratio e së drejtës për vetëvendosje. Parë nga ky këndvështrim, Kosova nuk përbën rast precedent as për popullsinë shqiptare në Maqedoni e as për atë serbe në Bosnjë. As në Bosnjë e as në Maqedoni këto dy grupe nuk janë përjashtuar nga procesi demokratik i vendimmarrjes.

Deutsche Welle: Një shtet nuk do ta pranonte pavarësinë e Kosovës për një kohë shumë të gjatë, Serbia. A mund të ekzistojë paqe në rajon në këto kushte?

Joseph Marko: Varet se çfarë nënkuptohet me Serbi. Serbia ka një qeveri që udhëhiqet nga një kryeministër me emrin Koshtunica dhe ka parti të tjera politike, të cilat kanë mendime të kundërta. Rreziku që shoh unë për Serbinë është shtimi i forcave radikale rreth kryetarit të partisë radikale, Vojislav Sheshelj, që do të ketë si rrjedhojë një polarizim më të fuqishëm të forcave të brendshme në vend. Ky polarizim nuk do të ishte në favor të shtetit juridik a të zhvillimit të ekonomisë së vendit, dhe ai mund të çojë deri në zgjedhje të reja të parakohshme dhe në një rast të tillë, gjë që mund ta kthente fletën edhe në Serbi.