1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelari Shrëder dëshiron të kthehet në bazë

Jens Thurau12 Tetor 2005

Pas deklaratës së kancelarit Gerhard Schrëder se nuk pretendon për ndonjë post në qeverinë e re gjermane, kryetari i SPD-së, Franz Myntefering, do të prezantojë sot (13.10) kandidatët e tij për postet e minstrave.

https://p.dw.com/p/Ar2b
Fotografi: AP

Që të martën në darkë Shrëderi kishte deklaruar se nuk pretendonte për asnjë portofol ministror në kabinetin e kancelares Angela Merkel. Gjatë kongresit të Sindikatës së minierave, të energjitikës dhe të industrisë kimike, që u zhvillua në Hanover, ku Shrëderi u prit me duartrokitje frenetike, ai deklaroi me një zë të prekur se: "Unë nuk do të jem anëtar i qeverisë së ardhshme, definitivisht jo. Po pritja juaj më ka bërë disa gjëra të qarta. Dua të mbetem mes jush, sepse e di nga vij dhe e di se kujt i takoj." - tha Shrëderi.

Pra përfundimisht qeveria e re gjermane do të krijohet pa Gerhard Shrëderin. Gjithesesi ai dëshiron që të thotë fjalën e vet në bisedimet për krijimin e koalicionit të madh. Shrëderi tha se këtë e bën pasi dëshiron që koalicioni mes dy partive më të mëdha të vendit të jetë i sukseshëm. Gjithsesi, mesazhi i tij për kancelaren e re është që qytetarët gjermanë votuan kundër një liberalizimi të fortë të shoqërisë gjermane, si dhe në radhë të parë kundër shkurtimeve të mëtejshme të shtetit social.

"Unë besoj se 80% e qytetarëve në Gjermani na dhanë neve të gjithëve si dhe vetes një mesazh të qartë. Ata i duan reformat, sepse janë të domosdoshme, por duan që ato të kryehen me maturi dhe me përgjegjësi sociale." - tha Shrëderi.

Ndërkohë në Berlin vazhduan diskutimet e kryesive të të dyja partive në lidhje me shpërndarjen e posteve ministrore. Pritet që SPD të shpallë gjatë ditës së sotme tetë kandidatët për postet e ministrave që i takojnë dhe kërkesat themelore për bisedimet për koalicion, që do të fillojnë ditën e hënë. Me shumë kërshëri po pritet se kujt do t'i besohet posti i ministrit të punëve të jashtme dhe njëkohësisht i zëvendëskancelarit. Një ndër kandidatëm është kryetari aktual i socialdemokratëve Franz Myntefering.