1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova tema kreysore e takimit Kanerva Steinmeier në Berlin

Anila Shuka8 Janar 2008

Shtajnmajer dhe Kanerva bisedojnë për Kosovën

https://p.dw.com/p/Cmi6
Ndërtesa e OSBE-së në PrishtinëFotografi: DW

Ministri finlandez i punëve të jashtme, Ilkka Kanerva, ka thënë se kohëzgjatja e misionit të OSBE-së në Kosovë nuk është përcaktuar ende. Mbas një takimi që pati të martën, më 8 janar, me homologune tij gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) Kanerva tha se në muajt e ardhshëm do të diskutohet edhe njëherë për kohëzgjatjen e këtij misioni. Të dy politikanët shpresojnë se rezultati i zgjedhjeve në Serbi do të ruajë kushtet për stabilitetin e mëtejshëm të Ballkanit.


Ministri i jashtëm i Finlandës, si kryetar i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Illka Kanerva, ka thënë se në shkurt ose mars do të diskutohet edhe njëherë për kohëzgjatjen e veprimtarisë së OSBE-së në Kosovë. Sipas Kanervës puna e OSBE-së është shumë e rëndësishme për zhvillimin dhe ndërtimin e shoqërisë civile: "Personalisht shpresoj që ky mision do të mund të vazhdojë punën e tij dhe se në të ardhmen Bashkimi Evropian do të marrë gjithmonë e më shumë përgjegjësi mbi të", tha shefi i OSBE-së për vitin 2008.


Misioni i OSBE-së në Prishtinë ka mbi 1000 të punësuar, të cilët muajt e fundit kanë qenë në shqetësuar për vendet e tyre të punës, pasi Rusia dhe Serbia kanë lajmëruar se nuk do ta mbështesin zgjatjen e mandatit në se Kosova shpall pavarësinë.


Tema e Kosovës si dhe zhvillimet në prag të zgjedhjeve presidenciale në Serbi ishin në qendër të takimit të parë bilateral mes dy ministrave të jashtëm. "Shpresojmë që këto javë nuk do të kemi dhunë dhe do të krijohet mundësia për të përgatitur vendimet e nevojshme që do të garantonin stabilitetin në Ballkanin Perëndimor", tha Shtajnmajer duke pasur parasysh parasysh zgjedhjet presidenciale në Serbi më 20 Janar.


Ministri gjerman i punëve të jashtme e theksoi edhe njëherë se nuk ekziston ndonjë lidhje ndërmjet statusit të Kosovës dhe pranimit të Serbisë në BE. Duke iu referuar parapërgatitjes që po bën kryesia sllovene e radhës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Serbinë qysh më datën 21 janar, Steinmeier theksoi se "vetëm në se konstatohet bashkëpunimi i plotë i Serbisë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, mund të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes."