1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kapitull i ri në historinë e Evropës - BE-ja ka që sot 25 vende antare

1 Maj 2004

Qytetarët në mbarë Evropën gjatë mesnatës festuan me koncerte, fetsa popullore e fishekzjarrë raundin më voluminoz të zgjerimit në historinë e BE-së. Ceremonia qendrore zhvillohet sot në Dublin të Irlandës, e cila është kryesuese e radhës së BE-së.

https://p.dw.com/p/ArHR
Pamje nga festa e zgjerimit të BE-së në Pragë
Pamje nga festa e zgjerimit të BE-së në PragëFotografi: AP

Komisari i BE-së për zgjerimin, Gynter Verheugen theksoi, se: "Zgjerimi do ta bëjë Evropën më të fuqishme, më të gjallëruar dhe më dinamike."

Presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi, i pranishëm në festën e organizuar në qytetin italo-slloven Goricia/Nova Goricia u uroi mirëseardhjen anëtarëve të rinj. Në urën që lidh qytetin Frankfurt mbi Oder me Slubicen e Polonisë ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher dhe homologu i tij polak Vlodzimirez Cimoszevic duke shtrënguar duart hapën në mënyrë simbolike kufirin midis dy vendeve.


Në qytetin kufitar Zitau, ku takohen me njëri-tjetrin kufiri gjerman, ai polak dhe ai çek, zhvillohet ceremonia festive, në të cilën marrin pjesë kancelari gjerman Gerhard Schrëder si dhe koleget e tij Vladimir Spidla nga Çekia dhe Leshek Miller nga Polonia. Ne kuadër të kësaj ceremonie, kancelari i Gjermanisë Gerhard Shrëder, nënvizoi:

"Ky është një shans unikal historik, për ta shmangur një herë e përgjithmonë ndarjen e Evropës. Me dhënien fund të ndarjes Evropa shndërrohet në një zonë, në të cilën do të mbizotërojë paqja dhe mirëqenia e përhershme. Ky shans historik për Evropën ka vlera të pacmueshme."


Pas ceremonisë në Zitau ata do të nisen që të tre për në Dublin, kryeqytetin e Irlandes, ku zhvillohet sot ceremonia qendrore me rastin e zgjerimit të BE-së. Irlanda është kryesuese e radhës së BE-së. Për të garatuar sigurinë e ceremonisë në kryeqytetin irlandez janë të gadishmeri 7500 Policë dhe ushtarë.

Vendet e reja anëtare të BE-së janë Polonia, Hungaria, Cekia, Sllovakia, Sllovenia, republikat Balltike Estoni, Lituani dhe Letoni, si dhe Qiproja e Malta. Në këtë mënyrë BE ka tani 25 shtete anëtare dhe 450 milionë banorë.