1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Katastrofa në Birmani: Pritet rritja e numrit të viktimave

Bernd Musch Borowska6 Maj 2008

Numri i viktimave nga stuhia në Birmani i ka kaluar të 22. 000 vetët. Taifuni ka shkaktuar një krizë shumë të rëndë humanitare.Ngadalë po mbërrijnë edhe ndihmat emergjente.

https://p.dw.com/p/DuNZ
Shkatërrim në MyanmarFotografi: picture-alliance / dpa

Numri i viktimave po shtohet nga ora në orë. Autoritetet njoftojnë se në Birmani deri tani kanë humbur jetën të paktën 15.000 njerëz. Këtë numër e konfirmoi edhe ministri i jashtëm Nyan Uin gjatë një takimi me diplomatët e huaj në kryeqytetin Rangun. Në mediat shtetërore deri tani flitej për 4000 të vdekur dhe rreth 3000 të zhdukur. Mirëpo, përmasat e katastrofës dhe numri i viktimave për momentin nuk mund të parashikohen. Pritet të jetë shumë i madh, pasi mjaft persona konsiderohen të zhdukur.

Linjat telefonike me Rangunin ende janë të shkëputura. Dëshmitarët okularë njoftojnë për televizionin e Australisë për një katastrofë të vërtetë: Më e keqja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Kulmi i hotelit tim fluturoi sikur të mos ishte asgjë dhe shkaktoi një zhurmë të jashtëzakonshme. U shkatërruan shumë drurë, madje edhe ata më të vjetër se 100 vjet, u nxorën me rrënjë. Njerëzit këtu thonë se diçka të tillë nuk kanë përjetuar kurrë."

Organizatat humanitare llogarisin se pa kulm mbi kokë kanë mbetur rreth dy milionë njerëz. Për ndihma emergjente me ujë pije dhe ushqime kanë nevojë më shumë se 100.000 njerëz. Ndërkohë edhe regjimi ushtarak në Birmani, ka kërkuar ndihma humanitare prej organizatave ndërkombëtare. Ndihma kanë ofruar shumë vende. Për ndihma emergjente, BE ka ndarë dy milionë euro, ndërsa Gjermania 500.000 euro.

Myanmar Birma Zyklon Aufräumarbeiten
Përpjekje për të përballuar katastrofënFotografi: AP

Rrezik përkeqësimi i situatës

Eksperti për Birmaninë, Larry Jagan deklaroi në televizion se pa një ndihmë të shpejtë, gjendja mund të keqësohet edhe më shumë. "Në furnizimin me ushqime që tani ka çrregullime të shumta. Për shembull, çmimi i vezëve është rritur me më shumë se 1000 përqind. Qeveria duhet të përballet me emergjencën e shpenzimit të shpejtë të ushqimeve. Ajo e di se në qoftë se nuk e zgjidh shpejt këtë problem, shpejt do të shpërthejnë edhe protestat e demonstratat, ne veçanti pas zhvillimeve të shtatorit të vitit të kaluar."

Grupet birmaneze në ekzil kritikojnë regjimin ushtarak për mosreagimin e shpejtë dhe ndalimin e ndihmave nga jashtë. Shefi i qeverisë së vetëshpallur në ekzil, Sein Uin thotë se njerëzve në zonat e katastrofës u ka mbetur edhe pak kohë për të mbijetuar, sepse nuk kanë ujë, ushqime dhe medikamente. Ndërkohë që dëshmitarët okularë thonë se ndihmat po depërtojnë shumë ngadalë. Sipas tyre, ditën e parë në rrugë nuk kishte asnjë ushtar, policë apo zjarrëfikës. Banorët e Rangunit përpiqeshin me duar t'i largojnë drunjtë e rrëzuar. Nga autoritetet nuk kishte në fillim asnjë ndihmë.

Deri tani nuk është e qartë nëse do të zhvillohet referendumi i parashikuar për fundjavën që vjen. Regjimi ushtarak thotë se do t'i përmbahet itinerarit, si synim ka kthimin e vendit në binaret e demokracisë.