1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kather: KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme

Fabian Schmidt3 Prill 2007

Intervistë me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Roland Kather.

https://p.dw.com/p/ArWs
Komandanti i KFOR Germany's Lt. Gen. Roland Kather
Komandanti i KFOR Germany's Lt. Gen. Roland KatherFotografi: COMKFOR

Deutsche Welle: Zoti Kather, çfarë mund të bëjë KFOR-i që faza kalimtare drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës të kapërcehet pa probleme sigurie?

Lt. Gen Roland Kather: KFRO-i mund të bëjë atë që ka bërë prej shumë vitesh, konkretisht të jetë i angazhuar për ruajtjen e një terreni të sigurtë. Prej disa kohësh ne jemi duke e bërë këtë me sukses. Unë mendoj, se edhe për një periudhë të caktuar kohe në detyrën tonë në të ardhmen nuk do të ndryshojë gjë.

Deutsche Welle: A mendoni, se është e mundur që serbëve t´u përçohet ndjenja e sigursë për të cilën ata kanë nevojë, që ata të duan të jetojnë në Kosovë dhe ta konsiderojnë veten si pjesë të Kosovës edhe pas një zgjidhjeje të statusit?

Lt. Gen Roland Kather: Unë ndonjëherë kam përshtypjen, se ekzistojnë mendime të ndryshme. Ndoshta kjo e gjitha ka të bëjë edhe me mënyrën e perceptimit. Unë udhëtoj shumë nëpër Kosovë dhe kudo që jam flas me njerëzit. Unë kam biseduar shumë edhe me serbët e Kosovës, sepse siç e dini KFOR-i e përmbush detyrën e tij në mënyrë krejtësisht të paanshme. Ne jemi këtu për të gjithë kosovarët, pavarësisht nga etnia, besimi i tyre fetar apo ngjyra e lëkurës. Ne e përmbushim detyrën tonë në të njëjtën mënyrë për të gjithë njerëzit. Nga bisedat e shumta me serbët e Kosovës kam krijuar përshtypjen, se shumica dërmuese e tyre do të qëndrojë në Kosovë, thjesht sepse ky është atdheu i tyre, sepse ata kanë lindur këtu dhe sepse ata e ndjejnë veten që i përkasin këtij vendi. Unë kam përshtypjen, se ndonjëherë perceptimi ka mënyra të ndryshme, që njerëzit në çastet kur janë mediet prezente, apo ka vizita të nivelit të lartë, përdorin një gjuhë tjetër. I tillë ishte edhe rasti dje me vizitën e Këshillit të NATO-s kur sërish u transmetua ndjenja sikur këtu mbizotëron frika e vazhdueshme. Unë nga përvoja ime personale nuk mund ta konfirmoj këtë. Por edhe nëse ekziston këtu kjo ndjenjë frike, një ndjenjë kjo subjektive, atëherë unë u kam thënë njerëzve që ne kemi këtu konceptin tonë funksionimit të organizatave vëzhguese dhe kontaktuese, ndaj ata çdo ditë mund të flasin me ushtarët e KFOR-it mbi problemet e tyre. Ne do të bëjmë ç´është e mundur brenda kapaciteteve tona që t´i ndihmojmë këta njerëz. Unë besoj që ky mesazh është kuptuar.

Deutsche Welle: KFOR-i do të mbetet një trupë e drejtuar nga NATO edhe pas zgjidhjes së statusit. A mendoni se do të ndryshojnë pikërëndesat në punën tuaj të përditshme?

Lt. Gen Roland Kather: Fillimisht dua të theksoj, se dje Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s konfirmoi, se KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa kjo trupë do të jetë e nevojshme. Nëse një ditë do të kemi një status, atëherë ne do të kemi një afat tranzicioni prej 120 ditësh dhe më pas, siç ka vendosur Këshilli i NATO-s, trupa e KFOR-it do të qëndrojë edhe për gjashtë muaj të tjerë me mision të pandryshuar, si në drejtim të mandatit ashtu edhe detyrës, organizimit dhe kapacitetit. Ne mund të themi që për vitin 2007 me KFOR-in dhe mandatin e tij nuk do të ndryshojë asgjë, kurse për vitin 2008 do të shikojmë se çfarë do të bëhet. Ky është një vendim që nuk bazohet në plane kohore por që do të merret duke gjykuar gjendjen. Unë mendoj, se në vitin 2008 mund të ndryshojë diçka vetëm gradualisht dhe me etapa. Ndaj mund të them, se edhe në të ardhmen KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë detyrën e tij. Tani për tani unë nuk shoh asnjë ndryshim dhe as nuk shoh nevojën për ndonjë ndryshim. Unë me kënaqësi mund të konstatoj që situata në Kosovë është e qetë. Megjithatë ka një tension të lehtë. Ne shikojmë një lloj nervoziteti të lehtë tek të dyja palët, gjë që është e kuptueshme nisur nga fakti se ku jemi me procesin e statusit. Por situata është e qetë dhe unë nuk kam asnjë tregues se ajo mund të ndryshojë në një të ardhme të afërt.

Deutsche Welle: Nëse Këshilli i Sigurimit nuk arrin në ndonjë rezultat përsëri nuk do të ndryshojë asgjë në aspektin e sigurisë?

Lt. Gen Roland Kather: Nuk mund ta përjashtoj këtë. Ne jemi në Ballkan dhe në vitin 2004 përjetuam se sa shpejt dhe në mënyrë të papritur u zhvilluan ngjarjet. Por tani për tani unë nuk kam asnjë tregues, se mund të ndryshojë diçka. Njerëzit, ashtu si edhe ne, presin me interes atë që do të vendoset në Nju Jork dhe se ç´drejtim do të marrë çështja. Përgjigja ndaj pyetjes, "Se çfarë do të bëjë KFOR-i në rast se…" është sa komplekse aq edhe e thjeshtë. Detyra dhe mandati im janë mëse të qarta: Unë duhet të kujdesem që këtu të ketë një terren të qëndrueshëm dhe në një terren të tillë do të merren vendime të mençura politike. Në këtë mision nuk do të ndryshojë asgjë, pavarësisht nga ajo se çfarë do të vendoset në Nju Jork.

Deutsche Welle: Qyteti i Mitrovicës është ndoshta rasti më i vështirë në Kosovë. A shihni ju mundësinë që qyteti të ribashkohet?

Lt. Gen Roland Kather: Në këtë pikë unë mund të përsëris atë që thashë edhe më parë: të bie në sy që është më shumë çështje perceptimi. Në qoftë se ju dhe unë do të shkonim tani bashkë në Mitrovicë, do të konstatonit që atje ka një qarkullim normal midis pjesës jugore dhe veriore të qytetit. Më duhet të pranoj, se ura e Asterlicit bën përjashtim, ajo ka një karakter të veçantë simbolik. Por ka tri ura që janë paralele, një urë këmbësorësh në pjesën perëndimore dhe një urë tjetër automjetesh në pjesën lindore. Këto ura frekuentohen rregullisht. Pra në jetën e përditshme ka një bashkëjetesë midis etnive. Ndonëse kjo jo gjithmonë është pa tensione, mund të konstatosh që edhe këtu në krahasim me vitet e kaluara ka një përmirësim të dukshëm.

Deutsche Welle: Debatohet vazhdimisht për një ndarje të mundshme të Kosovës, a është kjo një temë për KFOR-in?

Lt. Gen Roland Kather: Natyrisht që kjo është një temë, sepse ne jemi edukuar që të bëjmë plane dhe që të jemi të përgatitur për çdo eventualitet, dhe siç më ka thënë dikur SACEUR (Supreme Allied Commander Europe ) "plan for the worst - hoppe for the best", natyrisht që ne kemi plane edhe për këtë rast. Por nëse i referohemi pejzazhit politik, atëherë nga perspektiva ime çështja është e qartë si kristali: Grupi i Kontaktit, duke përfshirë këtu edhe kolegët tanë rusë, ka vendosur që të mos arrihet në një ndarje. Ky është njëri prej kushteve thelbësore për mandatin e Grupit të Kontaktit. Ndaj unë nuk pres një ndarje të tillë. Por në rast se kjo do të ndodhë, atëherë fillimisht do të duhej një reagim politik, një reagim ky i qartë dhe i shpejtë dhe gjithëpërfshirës. Në rast se është e nevojshme do të duhet edhe një reagim i policisë e si rrjedhojë edhe ne do të duhej të ishim të përgatitur për një rast të tillë. Por e përsëris se unë tani nuk shoh një zhvillim të tillë.

Deutsche Welle: Plani i Ahtisarit parashikon shpërbërjen e TMK-së, a ka ndonjë program për riintegrimin e të gjithë atyre që do të mbeten pa punë nga kjo trupë?

Lt. Gen Roland Kather: Ne i njohim propozimet e përfaqësuesit Ahtisari, i kemi studjuar ato dhe brenda KFOR-it kemi nisur të mendojmë për këtë. Nëse do të ndodhë që TMK të shpërbëhet, atëherë do të jetë shumë e rëndësishme që kjo të bëhet me dinjitet duke respektuar faktin që TMK-ja vitet e fundit ka kryer një punë të shkëlqyer. Unë vetëm mund të them, TMK-ja e sotme as që mund të krahasohet me atë të viteve 1999-2000. KFOR-i dhe TMK-ja përmbushin detyrën e tyre. TMK-ja e bën këtë në mënyrë të shkëlqyeshme. Ndaj ne kemi një bashkëpunim të ngushtë dhe mund të them, se nëse kjo një ditë duhet të shpërbëhet atëherë me dinjitet. Por vetëm me dinjitet nuk mund të shpërblehen njerëzit dhe të afërmit e tyre, ndaj duhet të mendojmë se çfarë do të bëhet me këta njerëz, si mund të mbështeten ata financiarisht në formën e një pensioni. Të gjitha këto janë mendime që i kemi në konsideratë. Ne kemi nisur të mendojmë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare se si mund ta zgjidhim këtë, por këto janë vetëm diskutime të brendëshme, sepse për këtë është detyrimisht i nevojshëm vendimi mbi statusin.

Deutsche Welle: A ka plane konkrete për krijimin e një trupe sigurie pas zgjidhjes së statusit? A mund të integrohet një strukturë e tillë në Programin e NATO-s "Partneritet për Paqen" dhe në NATO?

Lt. Gen Roland Kather: Kjo është një çështje që i përket së ardhmes. Nëse do të arrihet në këtë vendim politik, ne kemi nisur të mendojmë duke krijuar një grup që merret me themelimin Forcës së Kosovës për Sigurinë. Këto janë vetëm mendime paraprake, por më e rëndësishmja që duhet është vendimi politik si një mandat për krijimin e një trupe sigurie. Kjo sepse mandati i ardhshëm i kësaj trupe do të jetë baza thelbësore për një strukturë, për një organizatë. Kësisoj ne do të mund të vlerësojmë se çfarë aftësie dhe çfarë profili është i nevojshëm për të përmbushur këtë detyrë. Sigurisht që nëse do të zbatohet plani i Ahtisartit edhe në këtë pikë, NATO-ja do të luajë një rol vendimtar e si rrjedhojë edhe trupa e KFOR-it. Por edhe në këtë drejtim mendimet tona janë në një fazë fillestare.