1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kazakistani përfiton nga rritja e çmimit të naftës

Hermann Krause27 Tetor 2004
https://p.dw.com/p/ArRq
Qendra e Astanës, kryeqyteti i Kazakistanit
Qendra e Astanës, kryeqyteti i KazakistanitFotografi: AP

Kazakistani po e merr veten ekonomikisht. Që kur u rritën çmimet e naftës, duket sikur po mbushtet xhepi i buxhetit shtetëror. Kafenetë dhe restorantet e mbushura plot, reklamat ndriçuese, bankat dhe hotelet e reja, të gjitha këto dëshmojnë se në këtë vend ka hyrë një frymë e re.

Nëpër rrugë të bien në sy biznesmenë të veshur mirë dhe zonja elegante, të cilat udhëtojnë në makina të shtrenjta. Kazakistani ja arriti kësaj dite falë rezervave pafund të naftës dhe gazit që ka ky vend. Por shumica e popullsisë jeton nën kushte të vështira ekonomike. Politikanët shpresojnë se përmirësimi i gjendjes ekonomike do t´i arrijë të gjitha shtresat e popullsisë:

"80% e firmave në Kazakistan ndodhen në duart e biznesmenëve privatë dhe 75% e të punësuarve punojnë në firma private. Siç e shihni ne kemi privatizuar shumë sektorë në Kazakistan. Por kemi ende shumë probleme për të luftuar. Duhet të luftojmë papunësinë dhe të rrisim standartin e jetës së popullit" - thotë presidenti Nursulltan Nasarbajev.

Por Nasarbajev nuk flet për shumë probleme të tjera që ka vendi i tij. si për shembull për liqenin Aral, i cili është kthyer në një nga katastrofat më të mëdha ekologjike të këtij shekulli. Por presidenti Nasarbajev nuk do të flasë për probleme ekologjike. Ai preferon të flasë për rezervat e naftës, që konsiderohen ndër më të mëdhatë në botë. Amerikanët dhe britanikët kanë vite që investojnë në Kazakistan, ndonëse vendi i preferuar i presidentit është kryeqyteti Astana:

"Astana është krenaria ime. Për mua ky qytet është një qytet euroaziatik. Ky qytet po zhvillohet me ritme të shpejta."

Në fillim të viteve ´90 Kazakistani konsiderohej si një vend pothuajse demokratik. Por falë presidentit Nasarbajev ky vend është kthyer në një diktaturë të vërtetë. Opozita dënohet pa mëshirë, njerëzit që angazhohen për të drejtat e njeriut futen në burg dhe askush nuk guxon më të flasë hapur kundër qeverisë.

Mediat kontrollehen tërësisht nga aparati shtetëror dhe as që mund të bëhet fjalë për lirinë e shtypit. Nasarbajev u zgjodh në vitin 1999 për gjashtë vite si president i Kazakistanit. Në fakt mandati i tij përfundon në vitin 2006 por shumë vëzhgues mendojnë se Nasarbajev do ta ndryshojë kushtetutën, në mënyrë që të mos e lirojë postin e tij.