1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Keshilli Kombetar i Etikes kerkon kufizimin e testeve gjenetike para punesimit

Sabine Kinkarc.22 Gusht 2005

Kontroll mjekësor para punësimit. Kjo është më se normale për shumë profesione. Por deri ku duhet të shkojë ky kontroll. Këshilli Kombëtar i Etikës trajtoi javën e kaluar çështjen e analizave gjenetike dhe kërkoi ligjvënësi që të kufizojë analizat gjenetike për kandidatët për vende pune. Deri tani, ligji gjerman e lejon kontrolin e aftësisë shëndetësore, në varësi nga puna që do të kryejë puntori.

https://p.dw.com/p/Ar30

Tema u hodh në diskutim dy vjet më parë. Një mësueseje të re nga landi i Hesenit iu kërkua të paraqiste analizën gjenetike para se të fitonte statusin e nëpunëses së shtetit. Shkak ishte se i ati i saj vuante nga sëmundja e pashërueshme nervore që njihet me emrin Chorea Huntington. Mësuesja nuk pranoi ta bënte testin. Puna shkoi deri në gjyq dhe mësuesja kishte të drejtë: Ligji nuk detyron askënd të paraqesë pa dëshirë analizën e vet gjenetike.

Edhe Këshilli Kombëtar i Etikës është i mendimit, se kështu duhet të mbetet. Instanca që përbëhet nga ekspertë të disiplinave të ndryshme u lut nga qeveria gjermane që të merrej intesivisht me këtë temë. Pyetja është se deri ku lejohet të shkojnë kontrollet shëndetësore para punësimit. Kryetarja e Këshillit, Kristiane Veber-Hassemer me një përgjigje më se të qartë:

"Ne jemi të mendimit që këtu duhet të ketë kufizime. Punëdhënësi ka të drejtë të kërkojë vetëm informacione për sëmundje akute."

Sepse sipas këshillit është legjitim, që punëdhënësi para se të punësojë dikë kërkon të dijë në se është i aftë nga ana shëndetësore. Sa u përket analizave që kanë të bëjnë me sëmundje që do të ndodhin në të ardhmen, ato duhet të kufizohen vetëm në ato sëmundje që do të shfaqen gjatë një periudhe të caktuar kohore, me një probabilitet prej mbi 50 për qind. Kjo periudhë mund të jetë gjashtë muajt e parë, që në përgjithësi shërbejnë si provë për të dyja palët. Ndryshe qendron puna tek nëpunësit. Për ta punëdhënësi, pra në këtë rast shteti, është i detyruar të përkujdeset për të gjithë jetën.

"Në bazë të ligjit themeltar për ta vlen përzgjedhja e më të mirëve. Kjo do të thotë, që punëdhënësi publik ka të drejtë të kërkojë kandidatë, që i qendrojnë besnik për një kohë afatgjate. Por edhe në këtë pikë, jemi të mendimit që parashikimi, qoftë me metoda gjenetike, qoftë me të tjera, të mos jetë për një periudhë të pakufizuar kohore, por vetëm për pesë vjet."

Por edhe këtu nuk duhet të kërkohen sëmundje të përgjithshme, por vetëm kur te kete raste konkrete dyshimi. Në qoftë se puna e ardhshme do të ketë përgjegjësi për jetë njerzish, si për shembull, tek pilotët, shoferët e autobuzave dhe policët, atëherë vijnë në pyetje edhe kontrolle më të detajuara për gjendjen shëndetësore.