1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina dhe ShBA & Çernobili 20 vjet pas & Ksenofobia në Gjermani

Vilma Filaj-Ballvora22 Prill 2006

Në shtypin e sotëm komentohen vizita e presidentit të Kinës Hu Zhintao në ShBA. Një temë që tërheq vëmendjen e analistëve është 20 vjetori i katastrofës së Çernobilit. Nga politika e brendëshme temë kryesore e komenteve është problemi i ksenofobisë në Gjermani.

https://p.dw.com/p/ArqJ
Simbole të superfuqive SHBA -Kinë
Simbole të superfuqive SHBA -Kinë

Së pari mbi marrëdhëniet mes Kinës dhe ShBA një citat nga komenti i gazetës së Magdeburgut "Volksstimme": "Çfarë solli vizita e Hu-së në shtëpinë e bardhë? Jo ndonjë gjë domthënëse. Por ajo solli më shumë qartësi për ato që i bashkojnë kinezët dhe amerikanët, ndërsa kompleksi i temave dominuese ishin ato që i ndjanë këto dy vende. Të një mendjeje janë palët për të mbajtur sa më të vogël që të jetë e mundur rrethin e fuqive atomike, pra synohet të disiplonohen Korea e Veriut dhe Irani. Por sapo bëhet fjalë për mjetet se si të arrihet kjo mendimet ndahen. Ndërsa ShBA si në rastin e Iranit nuk duan të përjashtojnë asnjë opcion, Kina në mënyrë rigoroze kundërshton përdorimin e dhunës. Edhe më të mëdha janë mosmarrëveshjet për çështjet delikate të tregtisë. Hu shprehu mirëkuptim për shqetësimin e Bushit prej diballancës së madhe në disfavor të amerikanëve. Por vetëm kaq. Një mbrojtje më efikase e markës? Një gjë e tillë vetëm sa i bën të qeshin kinezët. Pirateria e prodhimeve e deri tek vjedhja e markave: e kush është ai që me dëshirë heq dorë prej burimit kryesor të bumit ekonomik?", këtë pyetje kritike shtron komentatori i "Volksstimme" pas vizitës së presidentit kinez në ShBA.

Më 26 prill mbushen plot 20 vjet pas shpërthimit tragjik në centralin atomik të Çernobilit. Kjo temë vazhdon të jetë aktuale edhe sot.

Ja se si komenton "Lausitzer Rundschau: "Në sfondin e mosmarrëveshjeve me Iranin dhe politikën e tij atomike, duhet të peshohet me sakstësi, se deri në ç´masë mund të shkojë zhvillimi dhe shfrytëzimi i energjisë bërthamore. Kthimi i arësyes për natyrën si dhe intensifikimi i studimeve dhe zhvillimit në drejtim të energjive të rigjenerueshme është urgjentisht i nevojshëm për të ardhmen. Jo vetëm se kjo do t´na kursejë pamje të tilla të tmerrshme si të Çernobilit, Hiroshimës e Nagasakit, por edhe sepse energjitë alternativë janë të domosdoshme për të ardhmen e planetit tonë dhe për njerëzit e kafshët që jetojnë në të", tërheq vëmendjen "Lausitzer Rundschau", që del në Kotbus.

Në mënyrë të ngjashme analizon edhe "Pforzheimer Zeitung" duke iu referuar në këtë kontekst diskutimit në Gjermani për nevojën e energjisë bërthamore: "Gati 20 vjet pas fatkeqësisë së reaktorit të Çernobilit këtu në vend po mendohet për një rilindje të energjisë bërthamore. Veçanërisht në sfondin e ndryshimit dramatik të klimës dhe pasojave për mjedisin tek tuk po rivlerësohet përdorimi paqësor i energjisë bërthamore. Por në këtë kontekst ne i qofshim falë vetëm Zotit që deri më sot nuk
është përsëritur një tragjedi si ajo e Çernobilit në vitin 1986. Sigurisht që s´kemi përse t´i falemi politikës për këtë. Nëse qeveria shfuqizon vendimin për ndërprerjen e energjiqë atomike, atëherë ajo do të angazhohej për opcionin e rrezikshëm duke e mbyllur praktikisht tregun për energjitë e sigurta", konstaton "Pforzheimer Zeitung".

Sulmi i ekstremistëve të djathtë me pasoja të rënda ndaj një shtetasi gjerman me orgjinë afrikane në Potsdam ka shkaktuar indinjatë në mbarë Gjermaninë dhe ka ndezur diskutimin për parandalimin e ksenofobisë në vend.

Nga komenti i "Rhein-Neckar Zeitung" shkëpusim: "Kryeartikuj të shëmtuar për një vend, që ka ftuar pothuajse gjysmën e botës me premtimin: i ftuar tek miqtë (në sfondin e kampionatit botëror të futbollit). Nisur nga moria e artikujve mbi këtë temë shumë raste penale prej ksenofobisë as që depërtojnë në titujt e kryeartikujve. Të duket sikur e ekzagjeron, e madje edhe si turp e aspak efikase, kur ministri i brendshëm i Landit dhe ai federal flasin për raste të izoluara, në një kohë që rajonet e Brandenburgut dhe të Saksonisë dominohen prej radikalizmit të djathtë mental dhe fizik Mjafton t´u hedhësh një sy statistikave për të kuptuar, se këto raste kanë evoluar në një problem veçanërisht gjermano-lindor", vëren "Rhein-Neckar-Zeitung".

Gjithashtu duke iu referuar ksenofobisë në sfondin e kampionatit botëror të futbollit në Gjermani gazeta "Frankfurter Neue Presse" shkruan: "Mos vallë republika është në buzë të greminës? Mos vallë të huajt që do të vijnë së shpejti për kampionatin tek ne janë në shënjetër? Jo, për fat të mirë demokracia s´ka arritur deri këtu. Rezultatet e fundit elektorale tregojnë, se tek ne s´kanë shans ekstremistët e djathtë. Madje duhet të themi se jemi me fat po të krahasohemi me Francën, ku një anketim rezulton se një në tre francezë ekstremizmin e djathtë e vlerëson si një pasuri për pejzazhin politik. Megjithatë nuk duhet ta nënvleftësojmë dhunën e djathtë dhe as të mbyllim sytë kundrejt faktit, që në landet lindore ksenofobia dhe brutaliteti po përhapen frikshëm", thekson "Frankfurter Neue Presse".